Nis sot Eurovision 2023, festivali më i madh i këngës në Europë. Festivali do të mbahet në Liverpool Arena, në Mbretërinë e Bashkuar, ku Shqipëria do të performojë në natën e dytë gjysmëfinale më 11 maj.
Dy netët gjysmëfinale do të mbahen më 9 dhe 11 maj, ndërsa më 13 maj do të jetë finalja e madhe. Prej 11 vitesh në komentimin dhe dhënieve të pikëve të festivalit në RTSH, edhe këtë vit do të jetë gazetari Andri Xhahu.
I ftuar në “Mirëmëngjes Shqipëri”, Xhahu ndau emocionet që e shoqërojnë në këtë event. Xhahu shtoi se dëshiron të thyej rekordin për si komentatori që prezanton festivalin europian të këngës prej vitesh.
“Emocioni për eurovision më shoqëron prej muajsh shumë para se të nis festivali. E kam qëllim në vetvete të thyej rekordin e disa shteteve që kanë një komentator që e prezanton prej vitesh. Ky është viti im i 11, ndihem mirë, kjo nuk është vetëm çështje dëshire por edhe impenjimi.
Një njeri duhet të jetojë me eurovision që të komentojë, është edhe çështje informacioni, duhet të kesh njohuri. Ka patur që janë interesuar për të komentuar eurovision, por duan të japin vetëm pikët dhe jo komentin. Por kjo është paketë dhe e bëj këtë prej 11 vitesh”, tha Xhahu.
Lidhur me sondazhet, Xhahu kishte një këshillë për këngëtarët. Sipas tij, ato nuk duhet t’i shohin sondazhet pasi gjithçka ndryshon gjatë performancës live. Eurovisioni është festival i skenës, tha Xhahu, dhe performanca ndikon në renditjen e këngëve.
Performancat live të Albinës dhe Familjes Kelmendi janë vlerësuar pozitive duke e ngritur atë lart në sondazhe.
“Pas performancës live të “Duje” jemi ngritur lartë në sondazhe, sepse festivali europian është festivali i skenës dhe i vokalit dhe në skenë duket se sa të vlen lëkura. Kemi vokalin e jashtëzakonshëm të Albinës dhe performancën e kuruar në detaje.
Si më i moçmi në Eurovision, gjëja e parë që duhet të dinë është se nuk duhet të shohin sondazhet se demoralizojnë. Nuk duhen parë, ka një lloj orientimi, por nuk duhen parë”, tha Xhahu.
Si element që mund të çojnë këngën “Duje” në finale, Xhahu shikon vokalin, mesazhin dhe motivet identifikuese të këngës që përfaqësojnë Shqipërinë.
“Ka shumë element si mesazhi, vokali dhe e kemi identifikuese të vendit tonë. Fakti që janë një familje dhe Albina ka një super zë, ka shumë element që mund të na kualifikojnë”, tha ai.
Sonte nata e parë e Eurovision 2023 do të jetë me surpriza, ku e ftuar speciale do të jetë edhe Rita Ora.
Mes 37 konkurrentësh, Shqipëria do të përfaqësohet nga këngëtarja Albina Kelmendi dhe familja e saj me këngën “Duje” në gjysmëfinalen e dytë të “Eurovision”.
Eurovision 2023 do të transmetohet drejtpërdrejtë në RTSH 1, RTSH Muzikë, dhe Radio Tirana.
/a.r