Haidari, trevjeçar kishte një ëndërr. Të takohet me yllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo.
Vogëlushit, jetën e të cilit e shpëtoi nëna e tij nga bombat e ISIS-it në muajin nëntor, i është realizuar ëndrra, pasi është takuar me Ronaldon. Më poshtë keni rrëfimin për përqafimin e nënës që ia shpëtoi jetën trevjeçarit. Ky artikull u publikua në gazetën Koha Ditore më 24 nëntor.
Përqafimi i nënës që shpëtoi trevjeçarin nga bomba e ISIS-it
Çka nëse Leila Taleb dhe burri i saj, Hussein Mostapha, të vendosnin të mos e vizitonin motrën e Leilas mbrëmjen e asaj të enjte? Çka nëse prindërit të mos ishin ndalur që t’ia blinin të birit trevjeçar, Haidar, tortën më të preferuar të tij? Dhe çka nëse Husseini do ta parkonte makinën pak më larg rrugës, që të mos ishte afër motoçikletës të mbushur me eksploziv?
Janë këto pyetje që nuk po i ndahen familjes së Leilas dhe Husseinit prej ditës kur dy bomba shpërthyen në lagjen Burj el-Barajneh në periferi të Bejrutit të enjten e 12 nëntorit. Leila, 27 vjeç, dhe Husseini, ishin në mesin e 43 personave të vrarë atë ditë të kobshme. Sulmet, për të cilat përgjegjësinë e mori “Shteti Islamik në Siri dhe Irak” (ISIS), kishin cak një prej zonave më të qarkulluara tregtare ku jeton shtresa e mesme e qytetit. Rruga ishte e mbushur plot me familje që po bënin pazar nëpër qendra tregtare dhe po ktheheshin nga puna.
Një tjetër “po sikur”
Ka edhe një tjetër “po sikur” në këtë rrëfim. Çka nëse Leila do ta vendoste të birin e saj, Haidar, në sedijen e pasme të makinës – qysh kishte vepruar zakonisht – në vend se ta mbante në prehër? Kur arritën shërbimet e emergjencës në vendin e ngjarjes, pamë trupat e dy të rinjve të rritur në makinë për të cilët thanë se ishin të vdekur. Vetëm pas inspektimit të vendit të ngjarjes nga afërsia, panë dy duar të vogla në prehrin e Leilas. Dikush e kapi shpejt e shpejt fëmijën dhe e çoi urgjentisht në spital, duke e mbrojtur fëmijën prej shpërthimit të dytë.
Shpëtimtari i Haidarit, që bëri mburojë trupin e tij për Haidarin, mbijetoi sulmin, por është plagosur rëndë dhe ka copëza nëpër trup. Brenda pak minutash, djaloshi ishte shpëtuar dy herë prej trupave të të rriturve.
“Në momentet e fundit të jetës së saj, Leila e mbrojti Haidarin nga ndikimi i shpërthimit, duke e shpëtuar”, thekson Hadi, një prej vëllezërve më të mëdhenj të Leilas, që është kthyer nga Michigan në SHBA në Liban, që të kujdeset për nipin e tij.
“Ajo ishte e përkushtuar krejtësisht ndaj tij. Ajo do të ishte e fundit që do t’ia dorëzonte fëmijën mjekes dhe e para që priste te dera derisa mjekja e kontrollonte. Ajo jetonte për Haidarin dhe Husseinin”.
Më e reja prej 14 fëmijëve, Leila diplomoi për llogaritare dhe shihej si fëmijë i përkushtuar i familjes. Me shumicën e motrave dhe vëllezërve që jetonin jashtë vendit, kishte vendosur të kujdesej për prindërit, duke i vizituar dy herë në javë në zonën Burj el-Barajneh.
“Kur dëgjuam për shpërthimet, së pari menduam për prindërit tanë, sepse ata jetojnë në këtë zonë”, thekson Hadi. “Por kur morëm vesh prej motrës tonë se Leila kishte planifikuar të vizitonte atë, atëherë provuam të kontaktonim me të”.
Ëndrra të shuara
Leila dhe Hussein, që kishin festuar katër vjetorin e martesës në ditën që u vranë, ishin takuar për herë të parë sebepi i familjeve të tyre që ishin nga i njëjti fshat në Liban. Dashuria e përkushtimi i Leilas ndaj familjes ishte i dukshëm për të gjithë ata që e njihnin.
“Leila donte të kishte familje të madhe, por njëherësh ishte e përkushtuar me mish e me shpirt me Haidarin”, thekson Hadi. Ishte një kohë e vështirë financiare për çiftin. Husseini kishte telashe të siguronte mirëqenien elementare të familjes, derisa Leila ishte zotuar të kursente gjithë paratë që kishte për rritjen e Haidarit. “Do të ndante gjithçka që mundte për kursime”, kujton Hadi. “Ajo do të sakrifikonte veten për të, për të blerë gjithçka për të, që të kujdesej për të”. “Çfarë mund të them”, vazhdon ai. Ajo ishte nënë e jashtëzakonshme”.
Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në varrimin e Leilas dhe Husseinit. Megjithëse nuk është më në gjendje kritike, me vraga nga copëzat metalike dhe djegie nëpër gjithë trupin, Haidari ende është në spital, por dhomën e k plot vizitorë. Mijëra njerëz kanë ardhur nga familja dhe të huaj të panjohur që dëshirojnë t’i dhurojnë nga një lodër Haidarit. Ai qëndron në prehrin e hallës, duke shikuar i habitur përreth se çfarë po ndodh.
Njerëzit hyjnë e dalin. Ai ka të veshur fanellën e tij të preferuar të ekipit spanjoll të futbollit, Real Madrid. Në mediat sociale ka nisur një fushatë prej një reporteri lokal që ka kërkuar prej yllit të Real Madridit, Cristiano Ronaldo, që ta vizitojë djaloshin. Përfaqësuesi i kombëtares portugeze është pajtuar që të aranzhohet një takim me të.
“Ku është Leila?”
Tani që mund të çohet nga shtrati në spital, Haidari flet pa ndalur me kushërinjtë dhe hallat, duke u ankuar për dhimbjen që po ndjen prej djegieve në krah. Ende ka shenja të djegies në fytyrë, por ngadalë po e rimerr veten prej plagëve të dy shpërthimeve të fuqishme. Por ka një plagë që nuk po shërohet.
“Ai ende nuk e di se prindërit i kanë vdekur”, thotë njëra prej hallave. “Por e di fort mriz se çfarë ka ndodhur”.
“Ai di ta përshkruajë fije e për pe se nënën e kishte kapluar zjarri dhe se babai kishte gjakderdhje. Gjaku i tij e kishte vërshuar”, shton Hadi.
“Por Haidari thotë se nëna dhe babai do të kthehen”. Ai përditë po i kërkon prindërit, duke i thirrur emrat e tyre, sikur ata të ishin të gjallë. “Ai gjithnjë po pyet: ‘Ku është Leila? Pse kaq shumë u vonua e nuk po kthehet. Ka kohë të gjatë që ka shkuar’”, thekson Hadi.
Familja e gjerë e Haidarit shpreson se vala e vizitorëve të shumtë do t’ia humbë mendjen dhe nuk do të mendojë shumë për prindërit derisa ta kuptojë se çfarë ka ndodhur. Ka edhe shumë të tjerë që do ta vazhdojnë jetën pa shumë prej të dashurve të tyre të vrarë në sulmet terroriste në Bejrut.
“Ata qyqarë erdhën dhe vranë njerëz të pafajshëm në një lagje të varfër. Ata nuk ishin në vijën e frontit të luftës, ishin njerëz që po kryenin punët e tyre të përditshme”, reflekton Hadi.
“Ajo çfarë nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë ata vrasës është se këta njerëz këtu e duan jetën, por nuk i frikësohen vdekjes”.