Në Shqipëri, java e fundit (19-25 Janar) shënoi një rritje të ndjeshme të rasteve dhe viktimave të koronavirusit, ndërsa testimet patën një rënie të lehtë dhe shtrimet në spitale mbetën në kuota të qëndrueshme.
Sipas të dhënave zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, numri i të prekurve arriti në 4830 raste, ose 20.4 përqind më shumë se një javë më parë. Ky është niveli më i lartë që pas javës së dytë të dhjetorit, momenti i cili shënoi kulmin e goditjes së pandemisë. Mesatarja ditore e rasteve ishte 690 të prekur.
Në javën e fundit, rritja e numrit të të infektuarve ishte në përpjestim të zhdrejtë me testimet, të cilat shënuan një rënie të lehtë, me -4.4 përqind, duke zbritur në kuotën e 21.185 tamponë, me një mesatare pre 3.026 testimesh në ditë.
Një tjetër tregues i përkeqësim të situatës, është dhe pozitiviteti, i cili u ngjit në 22.7 përqind, nga 18.1 përqind që ishte në javën pararendëse. Pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Që nga marsi i vitit të shkuar, kur u rregjistruan të prekurit e parë, në total janë 72.812 të prekur, ndërsa 27.197 janë ende raste aktive. Prej tyre me shumë se gjysma vetëm në kryeqytet, zona dhe me popullsinë më të madhe.
Në 24 orët e fundit, numri i të prekurve ishte më i ulti i gjithë javës, me 538 raste, por rënia duket se i dedikohet tërësisht reduktimit të testimeve, në kuotën e 1.918 tamponëve. Kjo konfirmohet dhe nga pozitiviteti, i cili kërceu në nivelin e 28 përqindëshit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në 38 bashki të vendit: 208 raste në Tiranë, 39 raste në Durrës, 36 raste në Lushnje, 28 raste në Vlorë, 27 raste në Fier, 20 raste në Elbasan, 18 raste në Shkodër, 19 raste Mirditë, 11 raste në Kamëz dhe Gramsh, 10 raste në Kurbin, 9 raste në Lezhë, 8 raste në Mallakastër, Divjakë, 7 raste në Kuçovë, 6 raste në Kavajë, Mat, Gjirokastër, Sarandë, 5 raste në Has, Delvinë, Dibër, Peqin, 4 raste në Tepelenë, Ura Vajgurore, Prrenjas, Vorë, 3 raste në Vau i Dejës, 2 raste në Krujë, Pukë, Rrogozhinë, Malësi e Madhe, Kolonjë, Poliçan, dhe 1 rast në Kukës, Librazhd, Përmet, Skrapar.
Po në 24 orët e fundit, u shënua dhe numri më i lartë i viktimave në 7 ditët e fundit. Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 9 persona që kanë humbur jetën në spitalet COVID: 3 qytetarë nga Tirana, 2 qytetare nga Durrësi, 2 qytetar nga Librazhdi, 1 qytetar nga Kurbini, dhe 1 qytetar nga Lushnja, të moshave 29-84 vjeç. Gjatë javës së fundit numri i vdekjeve u rrit me 26.4 përqind duke shkuar në një total prej 43 viktimash. Që nga nisja e pandemisë, në Shqipëri kanë humbur jetën 1.324 persona.
Në ndërkohë gjendja në spitale ka qenë e qëndrueshme, sa i përket numrit të pacientëve. Ajo që bie në sy, është një rënie e rasteve në gjendje kritike dhe atyre të intubuar, krahasuar me javën pararendëse. Deri pasditen e të hënës në spitalet COVID, sipas Ministrisë së Shëndetësisë “po trajtohen 282 pacientë, 19 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar”./a/p