Ish-deputeti Myslim Murrizi dhe familjarët e tij, thuhet në kallëzimin e policisë, kanë kryer transaksione të dyshimta në vlera afro 734 mijë euro, vetë dhe përmes subjekteve që zotërojnë, në disa banka.
Veprimet e dyshimta bankare në shuma të konsiderueshme janë kryer gjatë një periudhe 13-vjeçare nga dhjetori 2008 deri në qershor 2021.
“Këto veprime financiare janë kryer nga vet zoti Murrizi, nga persona të tretë, kalime të hollash mes llogarive të shtetasit, kalime në favor të subjektit të administruar prej tij, ‘Murrizi 2009’ dhe tërheqje cash” – thuhet në dokumentet e paraqitura nga policia.
“Këmbime valutore, kalime nga/për të tretë me qëllim likuidim detyrimesh, shitblerje pasurish të paluajtshme, tërheqje në cash”, përshkruan policia një larmi veprimesh bankare të dyshimta me dhjetëra mijëra euro, të cilat kalojnë në përfitim të ish-deputetit Murrizi, herë si ortak, herë si kthim kontributesh, duke tërhequr vëmendjen e policisë për hapa të paligjshme, që duhen hetuar.
Ish-deputeti Murrizi i ka hedhur poshtë akuzat në mediat vendase, duke kujtuar se pasuria e tij është e deklaruar dhe se dokumentet janë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Zoti Murrizi ka theksuar se ka qenë dhe mbetet i hapur ndaj drejtësisë, ku në ngjarje të viteve më parë ka marrë pafajësi nga gjykata.
Denoncimi prej shumë faqesh i policisë është tashmë në zyrat e prokurorisë, e cila pritet të thotë fjalën e saj.











