Në vijim të turit të “ Pastrojmë më tej Shqipërinë” Kryeministri Edi Rama deklaroi se për vitin e ardhshëm ekonomia dhe veçanërisht biznesi i vogël do të ndiejë ndryshime të ndjeshme në aktivitetin e tij pas vendimit për heqjen e taksave.
“Bizneset e vogla e fillojnë vitin e ardhshëm me një ndryshim shumë të ndjeshëm në ekonominë e tyre familjare. Nëse një dyqan ushqimor në një lagje me një familje të vetëpunësuar dhe me një xhiro vjetore 20 milionë lekë në vit, ka paguar 250 mijë lekë tarifë fikse, këto 250 mijë lekë do t’i mbajë për familjen e tij. Familje të tëra, 100 mijë në total, përfshirë dhe të punësuarit që kanë në to, do të çlirohen jo vetëm nga taksat, por dhe nga një stres i madh i shkaktuar nga një administratë tatimore që ka ende shumë për të bërë. Ne do t’i çlirojmë, të gjithë që merren me biznes.”- tha Rama.
Rama: Vitin e ardhshëm zyrat tatimore kthehen në zyra konsulence
Me ardhjen e vitit të ri, që në Janar sipas Kryeministrit zyrat e tatimeve do të kthehen në zyra konsulence, njësi në shërbim, për të asistuar bizneset në nevojat e tyre.
“Gjithë kontrolli do të bëhet në një mënyrë krejt të re, duke ndërtuar një sistem të teknologjisë së lartë dixhitale, që falë futjes në sistem të çdo biznesi përmes kasës i jep mundësi administratës, të marrë të dhëna për sjelljen dhe volumin e transaksioneve të çdo biznesi , nga më i vogli tek më i madhi. Eshtë po kompjuteri që jep alarm kur ka të dhëna kontradiktore.”- deklaroi kryeministri Rama.
Rama: Brenda vitit 2016 heqim afrofenë
Kreu i qeverisë u shpreh se brenda vitit do të ardhshëm do të hiqet afrofeja, në mënyrë që të gjithë abonentët të vendosen në sistemin e matjes së energjisë.
“Do të heqim afrofenë brenda vitit të ardhshëm. Do të vendosen të gjithë tek sistemi i matjes. Nuk do të shkojnë më fatura afrofe edhe tek ata njerëz që mbase me të drejtë thonë s’kam qenë këtu e s’kam ndezur asnjë dritë”, tha Rama.
Rama: Nuk ka më policë që e përdorin kapelen për të mbajtur fara
Kryeministri iu referua dhe reformës në rend dhe forcat policore. Sipas Ramës fenomeni i korrupsionit në forcat e policisë është luftuar dhe se sot nuk ka më policë që kërkojnë “birrën” për nisur punën e tyre.
“Nuk është policia që duam, por jam i bindur që do ia arrijmë të kemi një polici europiane. Por me përpjekjet e vazhduara do t’ia dalim. Më parë nuk hapej fare biseda pa i dhënë lekët e birrës. E pastaj fillohej të flihej, me policë që kapelën e përdornin për të grumbulluar farat që hanin. Edhe sot ka korrupsionin, por nuk janë të lehta rastet ku kjo ndodh. Pasi ka policë që sot të marrin e të çojnë në polici për korrupsion pasiv”, u shpreh kryeministri.









