Korrupsioni cënon pavarësinë e sistemit ndaj reformimi i drejtësisë është i nevojshëm ashtu siç është i nevojshëm edhe konsensusi mes palëve kur vjen puna tek reforma. Kështu u shpreh ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë Romana Vlahutin në mbledhjen e tretë të Komitetit të Palëve të interesuara të projektit EURALIUS IV.
“Dialogu dhe diskutimi kanë rëndësi kritike për suksesin e reformës, askush nuk pret të ketë marrëveshje të plotë mbi gjithçka, por në një demokraci është shumë e rëndësishme të shkëmbehen mendime për të kërkuar zgjidhjet më të mira.”- tha Vlahutin.
“Raporti i KE e lavdëron punën e bërë për çuarjen përpara të procesit të reformës, që ka potencial ta riformatojë sistemin shqiptar të drejtësisë. Hapat e tjetër vendimtarë janë miratimi i reformës së gjyqësorit dhe i masave të nevojshme institucionale legjislative dhe procedurale. Një progres i qëndrueshëm në këtë fushë është kyçi për të ardhmen evropiane të këtij vendi dhe më konkretisht, për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, – u shpreh ajo.
Komiteti i Palëve të Interesuara është forum teknik i cili organizohet çdo gjashtë muaj për të diskutuar arritjet, rezultatet si dhe aktivitetet e projektit në muajt në vijim.
Fjala e plote e Vlahutin
Të dashur të pranishëm dhe ju lutem, lejomëni të them në veçanti, të dashur pjesëtarë të ekipit Euralius,
Zonja dhe zotërinj,
Ju uroj mirëseardhjen në takimin e tretë të Komisionin Drejtues të këtij projekti shumë të rëndësishëm. Do të sugjeroja që të mundohemi të jemi shumë konkretë dhe të fokusohemi në diskutimin tonë, në mënyrë që të shohim gjithçka që është arritur deri tani, por edhe se çfarë duhet bërë në mënyrë që kjo ndihmë e madhe të përdoret në interesin më të mirë për synimin tonë të përbashkët, që është përafrimi i sistemit shqiptar të shtetit ligjor me standardet e BE-së.
Por lejomëni të kujtoj parimet bazë të projektit Euralius, dhe po citoj:
Ndërsa projekti do të punojë për të rritur kapacitetet e autoriteteve shqiptare, përfituesi i fundit do të jetë popullsia shqiptare, që do të përfitojë nga një administratë gjyqësore moderne, më transparente dhe efikase, nga një legjislacion më i zhvilluar dhe më pranë standardeve të BE-së, si dhe nga një funksionim më i mirë dhe më transparent i sistemit gjyqësor…Prandaj projekti do të kontribuojë për t’u rikthyer njerëzve besimin te sistemi i drejtësisë, te konsolidimi i demokracisë dhe shteti ligjor në Shqipëri.
Ndaj kur të planifikojmë gjithë veprimtaritë e ardhshme, gjithnjë duhet të mbajmë në mendje këtë parim bazë, se paratë e taksapaguesve të BE-së që financojnë këtë projekt duhen shpenzuar në mënyrë të zgjuar dhe të përgjegjshme, çka në fund do t’i shërbejë besimit të njerëzve te sistemi.
Lista e përfituesve institucionalë është shumë e gjatë: Ministria e Drejtësisë, Zyra për Administrimin e Buxhetit të Gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme, gjykatat, Konferenca Kombëtare Gjyqësore, Shkolla e Magjistraturës, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterëve. Në Komisionin e fundit Drejtues u vendos që Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën e Drejtësisë do të ishte një ndër përfituesit kyç, për shkak të rëndësisë qendrore të përpjekjeve në vazhdim për reformën e gjyqësorit.
Për ne pika kryesore e referimit në punën tonë është Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2015 që e konsideron sistemin gjyqësor shqiptar në stadin e hershëm të përgatitjes. Dhënia e drejtësisë është e ngadaltë, trajnimi profesional dhe pavarësia e gjyqtarëve është i pamjaftueshëm, korrupsioni po minon gjerësisht efikasitetin e sistemit. Por raporti e lavdëron punën e bërë për çuarjen përpara të procesit të reformës, që ka potencial ta riformatojë sistemin shqiptar të drejtësisë. Hapat e tjetër vendimtarë janë miratimi i reformës së gjyqësorit dhe i masave të nevojshme institucionale legjislative dhe procedurale.
Një progres i qëndrueshëm në këtë fushë është kyçi për të ardhmen evropiane të këtij vendi dhe më konkretisht, për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Ky moment i veçantë ka kërkuar masa të veçanta dhe një shkallë fleksibiliteti nga ana e asistencës së Bashkimit Evropian për institucionet shqiptare. Energjia dhe burimet e veprimtarive të planifikuara më parë u ridrejtuan, në marrëveshje me institucionet shqiptare, për të mbështetur përparësitë e caktuara nga partnerët tanë shqiptarë. Gjatë muajve të fundit, ekipi EURALIUS IV ka punuar me zell për t’i dhënë ekspertizën e tij teknike punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar dhe Sekretariatit të tij Teknik.
Por sigurisht, Reforma e Drejtësisë nuk do të mbarojë me miratimin e paketës kushtetuese, por aty do të fillojë. Zbatimi i reformës do të jetë një sfidë e madhe dhe një numër i madh aktesh legjislative janë në proces ndryshimi apo hartimi.
EURALIUS IV po e ndihmon ndërkaq këtë proces dhe është i gatshëm ta mbështesë fazën e zbatimit.
Përveç ekspertizës teknike për punën e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, EURALIUS IV ka mbështetur gjithashtu finalizimin e ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë. Ekipi EURALIUS ka punuar me draftin sektorial tëStrategjisë së Sektorit të Drejtësisë 2016 – 2020 dhe Planin e Veprimit. Strategjia do të jetë një dokument themelor për planifikimin e asistencës së ardhshme për gjyqësorin shqiptar, si dhe për zbatimin e reformës në vazhdim. EURALIUS ka mbështetur gjithashtu vazhdimisht Shkollën e Magjistraturës, punën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe ka siguruar ekspertizë për hartimin e akteve të tjera me rëndësi të legjislacionit.
Takimi i sotëm është një mundësi e mirë për t’i inkurajuar të gjitha palët e interesuara që të shprehin përparësitë e tyre për muajt e ardhshëm, si dhe për kuptuar këtë projekt, duke pasur parasysh nevojën për të siguruar koordinimin e veprimtarive dhe për të shmangur mbivendosjen. Reforma e Drejtësisë është kuadri udhëheqës i kësaj asistence dhe në këtë kuptim ne duhet të sigurojmë se ekziston një përqasje e harmonizuar dhe një koordinim i veprimtarive mes gjithë palëve të interesuara.
Unë do t’ju inkurajoja po ashtu të merrni pjesë në diskutim meqë po përpiqemi të alternojmë folësit për hapjen e çdo takimi dhe personalisht do të isha mirënjohës nëse do ta merrnin fjalën përfaqësuesit e partive opozitare në Komisionin e Posaçëm, veçanërisht zëvendëskryetari.
Dialogu dhe diskutimi kanë rëndësi kritike për suksesin e reformës, askush nuk pret të ketë marrëveshje të plotë mbi gjithçka, por në një demokraci është shumë e rëndësishme të shkëmbehen mendime për të kërkuar zgjidhjet më të mira.
Synimi i këtij projekti është krijimi i një sistemi gjyqësor më funksional, që do të përmirësojë jetët e qytetarëve shqiptarë, ekonominë e vendit dhe të ardhmen e tij në BE.
Ju lutem, bëhuni pjesë e diskutimit se si të përfitojmë sa më mirë nga kjo mundësi e madhe dhe nga gjithë asistenca që BE është e gatshme të sigurojë.