Në një bashkëbisedim me studentët në Fakultetin e Shkencave Sociale, ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin shpjegoi detaje të raportit të Komisionit Europian, që rekomandon hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ambasadorja Vlahutin theksoi se raporti është objektiv dhe tregon ecurinë e Shqipërisë. Ajo konsideroi se anëtarësimi i Shqipërisë në familjen evropiane është objektiv i përbashkët i shqiptarëve dhe Bashkimit Europian.
“Në raport përcaktohen çështjet ku Shqipëria duhet të përparojë. Do të jetë një proces i gjatë, por BE do ta asistojë Shqipërinë”- u shpreh Vlahutin shkruan Shqiptarja. Ndër të tjera, ambasadorja theksoi se aktivizimi i të rinjve është thelbësor për demokracinë e vendit. Sipas Vlahutin, duhet të ketë një planifikim të degëve që të ndjekin studentët.
“Tregjet e punës janë dinamike, kanë nevojë për profesionist. Universitetet duhet të bëjnë planifikim më të kujdesshëm që studentët të diplomohen aty ku kanë mundësi të punësohen”- u shpreh ambasadorja e BE-së. /a.m.