Është shoqëruar me tensione procesi në Gjykatën Penale të Tiranës për Dan Hutrën, autorin e vrasjes së 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave.
Në seancën e së enjtes që u mbajt me dyer të mbyllura, u paraqit për të dëshmuar si dëshmitar Vladimir Kurti, një i dënuar përjetë, të cilit në Mars të vitit të kaluar Hutra i vrau të motrën.
Kurti refuzoi të jepte deklarime, teksa iu drejtua të pandehurit, me të cilin dikur kishte ndarë qelinë, si monstër, duke paralajmëruar se nuk e fal vrasjen e motrës së tij.
“Gjakun e motrës sime nuk e than dheu, nuk e fal. Ai është vrasës, ka futur në dhe 4 gra, refuzoj të jap deklarime përballë këtij monstre”, ka thënë Vladimir Kurti.
Nga ana tjetër, Dan Hutra u shfaq i qetë.
Seanca u shty për në datën 5 Dhjetor në orën 12:30, ku do të vijojë procesi gjyqësor për autorin e vrasjes së trefishtë, ngjarje të cilën e kreu pak ditë pas daljes nga burgu, më 1 Mars 2023, ku ishte dënuar për vrasjen e ish-bashkëshortes.
/a.r