++Një nga Peticionet më të mëdha shkencore mbi ekologjinë globale të ujërave të ëmbël bën thirrje për të ndaluar projektet e hidrocentraleve në lumin Vjosë në Shqipëri ++ Shkencëtarët kërkojnë nga Qeveria shqiptare të respektojë standardet shkencore të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) për projektin e Kalivaçit++
Në një Konferencë për shtyp në Tiranë, shkencëtarët shqiptarë të mbështetur nga kolegët e tyre nga Austria dhe Gjermania ngritën zërin për Vjosën, dhe veçanërisht kundër vazhdimit të procesit për projektin e digës së Kalivaçit.Në Tetor 2019 u mbajt në Tiranë një Simpozium Shkencor Ndërkombëtar për Lumenjtë e Egër (ISWR 2019). Shkencëtarë të njohur të ujërave të ëmbla, nga ShBA, Japonia dhe shumë vende europiane, diskutuan atëherë për gjendjen kritike të lumenjve në të gjithë botën dhe nevojën urgjente për të mbrojtur lumenjtë e fundit të paprekur. Për të vepruar në këtë urgjencë, komiteti shkencor dhe ligjëruesit në këtë Simpozium formuluan një listë kërkesash drejtuar vendimmarrjes përkatëse, si në nivelin e BE dhe atë kombëtare. Disa kërkesa u adresuan përkatësisht edhe për Kryeministrin, z. Rama, Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, z. Klosi, dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, zj. Balluku, Deklaratë, e cila u është dërguar në formë elektronike në Nëntor 2019. Ky aktivitet është në vazhdën e disa përpjekjeve të përbashkëta të ekspertëve shqiptarë me ekspertë austriakë, gjermanë dhe më gjerë në njohjen e vlerave natyrore të Lumit Vjosë, të cilat nisin që prej vitit 2014. Gjetjet janë paraqitur në disa aktivitete shkencore të organizuara sëbashku në Tiranë, në disa publikime shkencore të përbashkëta. Vlen të thuhet se gjithmonë materialet e botuara dhe kumtesat e gjithë takimeve u janë vënë në dispozicion në kohë gjithë palëve të interesuara të vendimmarrjes në vend, krahas ftesës përkatëse për të marrë pjesë dhe diskutuar sëbashku; kjo gjithmonë me qëllimin e mirë për një bashkërendim të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave të natyrës dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive në vend.Komiteti shkencor i ISWR 2019, duke ndjekur me shqetësim shpërfilljen nga vendimmarrja, dhe këmbënguljen në vazhdimin e projekteve të HEC-eve në Lumin Vjosë, përpiluan menjëherë një Peticion në mbështetje të mbrojtjes së këtij Lumi. Në të janë përshkruar rreziqet nga ndërtimi i digave, mbështetur në gjetjet në Vjosë gjatë këtyre viteve; konkretisht: shkatërrimi i këtij Ekosistemi të rrallë, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Europën; por dhe disa pasoja në rrjedhën poshtë digave: si rrezikun e përmbytjeve, dëme në bujqësi, në erozionin breglumor, atë bregdetar dhe në turizëm, në koston e lartë të mirëmbajtjes së ujëmbledhësve dhe jetëgjatësinë e shkurtër të tyre, në rrezikun sizmik etj. Në Peticion i kërkohet Qeverisë shqiptare, rishikim i politikës aktuale të HEC-eve në pellgun e Lumit Vjosë për dy vjet (2020/2021); në formulimin e një Strategjie të qëndrueshme për lumin Vjosë, brenda kornizës së menaxhimit të pellgjeve lumore; një Tryezë e rrumbullakët shkencore për Lumin Vjosë – me ekspertë vendas dhe të huaj; të ndjekë detyrimet politike/ligjore që burojnë nga konventat ndërkombëtare, si dhe kërkesat e BE-së të miratuara nga Shqipëria.Ky Peticion ka gjetur mbështetjen e rreth 776 shkencëtarëve nga 46 vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe personalitete botërore të ekologjisë lumore dhe menaxhimit të tyre. Është një nga Peticionet më të mëdha të shkencës në ekologjinë e ujërave të ëmbël, në nivel botëror. Peticioni u nënshkrua edhe nga 129 ekspertë shqiptarë, që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë moderne të vendit. Peticioni përfundoi që në Nëntorin e kaluar, por dorëzimi tek vendimmarrja dhe shpallja publike u shty për arsye të gjendjes emergjente që kaloi vendi. Gjatë kësaj jave u bënë përpjekje për ta dorëzuar Peticionin tek palët e interesuara, dhe për të ndarë shqetësimin si shkencëtarë vendas dhe të huaj nga pushtimi i skajshëm me HEC-e, dhe veçanërisht shqetësimin për Lumin Vjosë. Grupi organizator shpreh mirënjohje për pritjen dje (dt. 14 Shkurt 2020) të përfaqësisë pranë selive përkatëse: ndaj Presidentit Meta, ndaj Kryetarit të Kuvendit, z. Ruçi, ndaj Zv. Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Bejtaj, dhe ndaj Avokates së Popullit, zj. Ballanca. Grupi do të donte shumë që një gjë të tillë ta bënte edhe Kryeministria dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, por megjithatë mbetet gjithmonë me shpresë dhe i fton për një reflektim të thellë. Asnjëherë nuk është vonë për kthesë!Peticioni për Vjosën përkon me faktin që sa është paraqitur në publik në Memaliaj përmbledhja e Raportit të VNM-së për HEC-in e Kalivaçit. Për fat të keq, VNM-ja duket e shpejtuar dhe tepër e përciptë, shumë larg përmbushjes së kërkesave të standardeve dhe gjetjeve shkencore: kjo sepse periudha kohore për gjithë vlerësimin që grupi i ekspertëve ka bërë është shumë e shkurtër (vetëm disa muaj në vend të 2-3 viteve); nuk është vlerësuar asnjë ndikim ndërkufitar; si dhe ka mungesë të dhënash thelbësore. “I gjithë procesi duket se është i rremë dhe me të meta të rënda. Për vite me radhë, shkencëtarët shqiptarë dhe kolegët nga vendet e tjera kanë ofruar mbështetje për çështjen e Vjosës, por vendimmarrja shqiptare ka bërë të heshturёn! Sidoqoftë, ne qëndrojmë të këmbëngulim jo vetëm për Vjosën, por edhe për mbrojtjen e vlerave të tjera natyrore në vend, për shfrytëzimin e qëndrueshëm të tyre, dhe për përmbushjen e kërkesave të standardeve që burojnë nga gjithë konventat ndërkombëtare dhe direktivat e BE“, tha Prof. A. Miho nga Universiteti i Tiranës.
Prof. F. Bego nga Universiteti i Tiranës shton: “Vjosën, të vetmin lumë të lirë që na ka mbetur si e ka krijuar Natyra, ia kemi borxh edhe brezave të ardhshëm. Është i vetmi që ka mbetur që brezat e ardhshëm ta kenë si model për të ndrequr gabimet tona dhe për të shëruar jetën e egër lumore edhe në lumenjtë e tjerë të vendit. Përpara kësaj emergjence kombëtare, asnjë analizë mjedisore, aq më pak kjo e paraqitur nga VNM-ja në fjalë, nuk mund të qendrojë dhe të justifikohet”.
Prof. em. F. Schiemer nga Universiteti i Vjenës: “Sot, Vjosa është më shumë se një Lumë i bukur në Shqipëri; ky Lumё njihet sot gjerësisht në Europë, dhe madje globalisht në komunitetin shkencor. Për fat të keq, ne kemi dëshmi se VNM-ja e Kalivaçit është më shumë një karikaturë. Vlerësimet tona dëshmojnë vlerën e madhe të sistemit lumor të Vjosës. Sidoqoftë, nevojiten studime të mëtejshme, të hollësishme, 2-3 vjeçare, si bazë për një VNM të vlefshme. Gjithashtu, mbeten për t’u adresuar rreziqet e dukshme dhe dëmet në natyrë, tek banorët dhe tek ekonomia e vendit.“Për më tepër, Dr. K. Skrame nga Universiteti Politeknik i Tiranës, nënvizoi një nga shqetësimet e ditëve të fundit, rrezikun sizmik. “Ndërtimi digave në basenin e Vjosës është i gabuar, sepse ajo është një nga zonat më sizmike në Shqipëri. Zona nga Kalivaçi në Poçem kufizohet nga një shkëputje aktive në pjesën jugore. Ndikimet e saj në rrëshqitjet e sotme të tokës dhe ndërtimet e HEC-eve duhet të përcaktohen gjerësisht. Digat me rezervuare të mëdhenj rritnin rreziqet për banorët që jetojnë në rrjedhën e poshtme të digës.”Të gjithë shkencëtarët pohuan se janë të gatshëm të mbështesin Qeverinë, nëse ajo vendos të ndërmarrë një proces të denjë që respekton shkencën moderne dhe kërkesat ligjore. Prandaj, ekspertët i bëjnë thirrje përsëri autoriteteve përkatëse që të fillojnë një proces të ndershëm, dhe të ndalojnë procesin fals – të rremë – për digën e Kalivaçit. “Vjosa ka një vlerë të jashtëzakonshme për Europën dhe për këtë arsye ne nuk do të heqim dorë për këtë çështje!”, përfunduan të gjithë shkencëtarët.