Tre dyshohet të kenë qenë autorët e vjedhjes së tre armëve automatike dhe tre granatave në bazën ushtarake të Pashalimanit, ngjarje kjo e cila ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes. Ka dyshime se autorët janë ndihmuar nga ushtarakë të tjerë, personel i brendshëm i bazës, të cilët mund t’i kenë informuar për vendndodhjen e armëve në depon që nuk monitorohej nga kamerat e sigurisë, apo duke lënë të lirë vendrojen e saj, çka iu ka hapur rrugën grabitësve.
Dyshimet për bashkëpunëtorë të brendshëm përforcohen për faktin se roja i objektit ku u vodhën armët ka braktisur vendin e shërbimit pak para ngjarjes. Policia shoqëroi një ditë më parë rojen përgjegjës dhe katër ushtarakë të tjerë të cilët do të procedohen për shpërdorim detyre. Ata janë shprehur se kanë qenë në turn mbrëmjen kur ndodhi grabitja, por nuk kishin vënë re asgjë të dyshimtë përreth depove ushtarake.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bazës ushtarake, por pamjet filmike nuk kanë ndihmuar grupin hetimor në identifikimin e autorëve pasi objekti i vjedhur ka qenë jashtë rrezes së kamerave gjë ecila ka ndihmuar grabitësit të realizojnë me sukses qëllimin e tyre./a.meta