Ahmetaj tha se gjatë kësaj vizite në Turqi është takuar me ministrin e Ambientit dhe Strehimit, me të cilin ka diskutuar për projektin e Laçit, që po rindërtohet nga qeveria turke, dhe që sipas ministrit shqiptar, do të jetë gati në muajin gusht, ku shtëpitë do iu dorëzohen qytetarëve.
Më tej, Ahmetaj vuri theksin tek investimet e Turqisë në vendin tonë, duke thënë se frutet tashmë po shihen, ndërsa eksperti i ekonomisë, Ardian Civici, i ftuar në studio, tha se Shqipëria duhet të jetë më largpamëse dhe të mos bjerë viktimë e këtyre investimeve, që ndonjëherë mund të jenë dhe afatshkurtër.
Pjesë nga diskutimet:
Vizita në Ankara, çfarë prodhoi?
Ahmetaj: Ishte në kuadër të vazhdimit të vizitave që ne kemi bërë dhe kontakteve që kemi me qeverinë turke në disa sektorë, dhe sigurisht edhe takimet e kryeministrit me Presidentin Erdogan. Frutet e takimeve ndër vite duken, prezenca e investitorëve turq në Shqipëri është rritur, interesi i tyre është rritur, si dhe marrëdhëniet dypalëshe janë shumë të mira, si në aspektin politik, edhe në atë ekonomik.
Unë u takova me ministrin e Ambientit dhe Strehimit, ministri që ka përgjegjësinë e ndihmës të Turqisë për tërmetin në vendin tonë, pra për projektin e Laçit, ku në fund të gushtit dorëzohen të gjitha banesat për qytetarët e Lacit. E falënderova dhe më pas vazhduam një diskutim gati 2-orësh për politikat e strehimit, instrumentet që ata kanë përdorur për politikat e strehimit. Në maj të vitit që vjen do të kemi zhdukur çdo shenjë të tërmetit dhe do kemi ndërtuar të gjitha sajtet.
Çfarë sjellin në Shqipëri investimet turke?
Civici: Turqia po bëhet një fuqi shumë e madhe investimesh në rajon. Meqë Turqia tashmë bën pjesë në grupin e ngushtë të vendeve që ne i kemi partnere, bashkëpunimi dhe financimet turke janë mëse të mirëpritura, ashtu si të vendeve të tjera që ne kemi përreth. E rëndësishme është që këto investime të shihen me një sy më largpamës. Shpesh vende si Shqipëria bien edhe viktimë, që kanë nevojë për investime, dhe investimet mund të vijnë dhe afatshkurtër apo thjesht si investime. Nëse ne vendosim prioritet në këto 4 vite shëndetësinë dhe arsimin, këto lloj projektesh janë të rëndësishme.
E besoni bastin e vendosur për Spitalin e Fierit?
Ahmetaj: Nuk ishte bast, por një angazhim. Në Shqipëri nuk luhen baste, edhe pse kam informacion që poshtë e lartë luhen baste, dhe shumë shpejt do ta shikoni një dorë të fortë në këtë drejtim. Nuk duhet ta trajtojmë spitalin si një investim, ai ishte grant. Ne kemi folur në vazhdimësi për një Spital Rajonal në Fier dhe ka qenë pjesë e programit tonë. Unë mendoj se Turqia nuk është akoma në nivelin e investimeve të huaja në Shqipëri, që ne do të donim. Potenciali i kapitalit turk në Shqipëri është i madh, por jemi akoma larg.
A kërkon ndonjë gjë në këmbim Turqia nga Shqipëria për këto investime?
Ahmetaj: Turqia ka të njëjtin interes që kemi ne ndaj Turqisë, që është zhvillimi ekonomik, integrimi ekonomik dhe rritja e shkëmbimeve tregtare, njerëzore, kapitale. Ne jemi vend i vogël, por shumë i rëndësishëm në rajon dhe gjeopolitikën e kemi në dy shtylla shumë të rëndësishme, e para brenda shtyllës së NATO. Shtylla e dytë është BE. Gjeopolitika jonë është e lidhur ngushtë në këto dy shtylla. Hapja jonë gjeopolitike, ekonomike, kalon në këto trase, kjo është e padiskutueshme. BW