• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 5, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Vizita në Tiranë/ Zv.presidentja e Bullgarisë: Shqipëria, politikë konsistente të drejtat e pakicave kombëtare

by Java News
14/09/2023 18:00
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Dedë Kola

Iliana Iotova është Zv.presidentja e Bullgarisë, që ka nisur një vizitë dyditore në Shqipëri. Ajo flet për TemA, për këtë vizitë, duke folur për marrëdhëniet mes dy shteteve por edhe të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Zonja zv/presidente Iotova, duke ju falenderuar për intervistën, dua të evidentoi faktin se kjo është vizita e dytë në Tiranë (14-15 shtator 2023) që Ju zhvilloni në vendin tonë, e para ishte para 6 vitesh, ku u takuat me personalitete të larta të vendit, deputetë, por prekët dhe zona të largëta nga Tirana, pra kjo është një periudhë kohore e mjaftueshme për të shprehur një opinion lidhur me nivelin aktual të marrdhënieve midis Shqiperisë dhe Bullgarisë?
-Kam kujtime të mrekullueshme nga vizita ime në vitin 2017–momenti ishte shumë i rëndësishëm. Unë isha e para nga përfaqësuesit e lartë të shtetit bullgar që vizitova komunitetin bullgar në Shqipëri pas njohjes zyrtare të pakicës bullgare. Më kujtohet ende ndjenja e mire gjatë takimit me ta-veshjet e bukura bullgare dhe këngët popullore, gjuha e tyre e vjetër bullgare. Nuk do ta harroj atë që na thanë bashkatdhetarët tanë-fëmijët e tyre i mësojnë fjalët e para shqipe vetëm kur fillojnë klasën e parë. Në familje flitet bullgarishtja.

Zhvillova takime në nivelin më të lartë, pata biseda të dobishme dypalëshe me Presidentin e atëhershëm Ilir Meta, me Kryetarin e atëhershëm të Kuvendit Gramoz Ruçi, me kryeministrin Edi Rama. Ata më garantuan se të drejtat e pakicës kombëtare bullgare do të respektohen në praktikë, jo vetëm formalisht. Shteti shqiptar ka një politikë konsistente për garantimin e plotë të të drejtave të pakicave kombëtare. Mund të jetë një shembull për vendet e tjera që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kjo është qasja evropiane–mundësi për integrimin e minoriteteve së bashku me ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës, traditave të tyre. Sepse Bashkimi Evropian do të thotë të drejta dhe aty ku ato nuk respektohen, nuk është BE.

Bullgaria dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie miqësore prej shumë kohësh. Ne e mbajmë në mënyrë aktive dialogun në nivelin më të lartë dhe kjo është një garanci për zgjidhjen e problemeve, nëse ato shfaqen. Natyrisht, ka ende potencial të pashfrytëzuar në bashkëpunimin dypalësh në shumë fusha–ekonomi, tregti, turizëm, ndërlidhje infrastrukturore rajonale, arsim, shkencë, kulturë.

Zonja zv/presidente, cila është axhenta juaj gjatë vizitës dy ditore që do të zhvilloni në Tiranë?

-Programi i delegacionit bullgar është mjaft i ngjeshur. Do të kem rastin të takoj Presidentin Bajram Begaj, Zëvendëskryeministren Belinda Balluku, Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, Ministrin e Punëve të Brendshme Taulant Bala. Kemi shumë tema për të folur-si në kontekstin dypalësh ashtu edhe në atë panevropian. Natyrisht, theksi do të jetë censi. Besoj se ai do të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta evropiane, në kushtet e transparencës së plotë dhe se autoritetet shqiptare do të zbatojnë të gjitha masat e nevojshme kundër përpjekjeve të vendeve të treta për të penguar të drejtën e përfaqësuesve të pakicës kombëtare bullgare për vetëvendosje.

Para publikut shqiptar do të prezantojmë librin e prof. asoc. Spas Tashev “Bullgarët në Shqipëri”. Falenderoj shoqatën “Bullgarët në Shqipëri” që mundëm ta botonim në gjuhën shqipe këtë studim të vyer me këndvështrimin e tij historik dhe bashkëkohor dhe ta prezantojmë në prag të censit. Jam e bindur se libri do të kontribuojë për këtë që bullgarët dhe shqiptarët të njohin më mirë njëri-tjetrin dhe do të zgjojë interes në rrethet shkencore.

Më vjen mirë që do të kemi mundësi të takojmë Rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof.Artan Hoxha. Delegacioni bullgar përfshin profesorë nga universitetet bullgare dhe nga Akademia Bullgare e Shkencave. Besoj se do të arrijmë të thellojmë kontaktet në fushën e arsimit të lartë dhe shkencës.

Në fshatin e Ostrenit të Madh, në Gollobordë, do të takohemi me përfaqësues të pakicave kombëtare bullgare, si dhe me përfaqësues të pushtetit lokal. Do të çelim vitin e ri shkollor në shkollën për mësimin e bullgarishtes në qytetin e Elbasanit, ku do të bisedojmë edhe me përfaqësues të minoritetit bullgar.

Vitet e fundit kapitali, pra investimet bullgare kanë shprehur interes në rritje për tregun shqiptar. Doja të veçoja këtu bankën bullgare FiBank, e cila është rritur nga viti në vit-një model përfaqesues i biznesit bullgar, por edhe biznese të tjera në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Duhet evidentuar këtu edhe turizmi, interesi i bullgarëve për të kaluar pushimet në Shqipëri. Pastaj, Koridori 8-të, një arterie e rëndësishme, rajonale, ku shpesh ka patur spekulime, por siç deklaroi para pak ditësh në Tiranë eurodeputeti bullgar Andrey Novakov, se: “autostrada nga Sofja në Tiranë po kthehet në një prioritet strategjik evropian”. Si e gjykoni këtë zhvillim, dhe cili është mendimi juaj, a ka vend që shkëmbimet ekonomike duhet të jenë në një nivel më të lartë?

-Korridori i 8-të është me rëndësi strategjike për konektivitetin dhe tregtinë mes nesh, për forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Në këtë mënyrë do të përmbushet misioni ynë për të krijuar një rajon ekonomikisht të begatë e të bazuar në vlerat e përbashkëta, pluralizmin, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

Një zhvillim pozitiv është hapja e linjës direkte ajrore Tiranë-Sofje në dhjetor 2023. Jemi në proces organizimi të mbledhjes së Komisionit të Përzier Ndërqeveritar Bullgaro-Shqiptar për Bashkëpunim Ekonomik.

Do të doja shumë që Procesi i Berlinit të ishte më ambicioz dhe më efektiv. Bashkimi Evropian ofron shumë mundësi, por është në duart tona që të bëjmë një punë më serioze dhe konkrete.

Në vitin 2017, me miratim të Parlamentit Shqiptar, pakica bullgare për herë të parë u përfshi në kushtetutën e Shqipërisë, duke u njohur si minoritet, çka Borisov-kryeministri i atehershem bullgar u shpreh me shume konsiderata duke e quajti këtë akt “një ngjarje historike?. Çfarë ka sjellë kjo për pakicat bullgare në Shqipëri?

-Ne kaluam një proces jo të lehtë të njohjes së minoritetit bullgar në Shqipëri, u deshën shumë vite, por falë politikës konsistente të një sërë politikanësh bullgarë, përfshirë edhe në nivel evropian, arritëm këtë sukses. Natyrisht, kemi ende punë për të bërë. Pres nga ana e shoqatave bullgare që të jenë më aktive. i falënderoj ata për fushatën aktive para censit, nuk është një detyrë e lehtë duke pasur parasysh presionin e ushtruar nga përfaqësuesit e minoriteteve të tjera. Dua t’u bëj thirrje që të mos kenë frikë të vetëdeklarohen si bullgarë. Ata kanë mbështetjen e shtetit bullgar. Sa më shumë janë qytetarët shqiptarë që do të vetëidentifikohen si bullgarë, aq më shumë vëmendje dhe kujdes do të marrin nga shteti shqiptar dhe bullgar-për ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës, traditave bullgare, si dhe për zhvillimin e rajoneve të banuara me përfaqësues të pakicave kombëtare bullgare. Problemet ekonomike dhe sociale nuk janë të pakta në këto rajone.

Dua të theksoj se e konsideroj sukses finalizimin pas më shumë se një viti të procedures për emërimin e përfaqësuesit të pakicës kombëtare bullgare në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Republikën e Shqipërisë.

Znj.zv/presidente Iotova, si mendoni ju, sa ndikojnë mbështetja dhe mbrojtja e pakicave, reciprokisht në vendet tona, për njohje më të mirë të traditave, zakoneve dhe në afrimin midis dy popujve dhe qeverive tona?

-Përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme etnike janë motori i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Njohja e ndërsjellë është garanci për zgjidhjen më të lehtë të problemeve të mundshme, është çelësi i bashkëjetesës paqësore dhe rruga e suksesshme përpara. Sot çdo qytetar i Europës ka të drejtën e vetëidentifikimit, ka të drejtën ta tregojë dhe ta mbrojë identitetin e vet. Jam plotësisht e bindur se të zhvillohesh me sukses, të jesh adekuat me realitetin modern, nuk do të thotë të heqësh dorë nga identiteti yt. Në të kundertën.

Ja për shembull–hapja e qendrave kulturore në Sofje dhe Tiranë do të nxisë njohjen më të mirë dhe kontaktet mes dy popujve.

Në Shqipëri veprojnë dhe janë organizuar afro 10 shoqata të pakicave bullgare, si në Gorë, Gollobordë, Tiranë, Korcë, Berat, etj. Çfarë roli duhet të luajnë këto shoqata për të ruajtur traditat, sidomos gjuhën, e cila për arsye të ditura historike nuk është në nivelin e duhur?.

-Shqipëria e ka komunitetin bullgar të ruajtur më mirë në Ballkan. Për shekuj me radhë janë ruajtur gjuha arkaike bullgare, traditat dhe kultura bullgare. Është një ndjenjë e papërshkrueshme kur dëgjon dikë të flasë gjuhën bullgare, të cilën paraardhësit tanë e kanë folur që në “Shekullin e Artë” të shtetit bullgar-pra fundi i shekullit të 9-të dhe fillimi i shekullit të 10-të. Por kjo nuk mjafton sot në botën moderne. Pasardhësit e bullgarëve këtu duhet të dinë gjuhën letrare bullgare, kjo do t’u hapë atyre shumë mundësi, si për shembull studimi në shkollat e larta bullgare. Në këtë drejtim kemi shumë punë për të bërë-të zgjerojmë rrjetin e shkollave të ashtuquajtura të së dielës, ku mësohet bullgarishtja, të zhvillojmë bashkëpunimin mes universiteteve bullgare dhe shqiptare.

A ka qeveria bullgare projekte për të financuar aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimin e këtyre shoqatave, apo projekte infrastrurore për ato zona ku jeton komuniteti bullgar në Shqipëri?

-Shteti bullgar aktualisht siguron fonde në të dyja mënyrat e financimit. Tashmë ka projekte të realizuara, siç është botimi i librit “Bullgarët në Shqipëri”, të cilin do ta prezantojmë zyrtarisht. Janë realizuar edhe projekte më të vogla infrastrukturore. Natyrisht, ka ende shumë për të dëshiruar, ndaj ne kemi një plan për të siguruar fonde për pakicën bullgare në Shqipëri dhe rajonet ku ajo jeton. Gjithashtu presim që me censin do të konfirmohet numri i madh i bullgarëve dhe në këtë mënyrë do të shtohen mjetet financiare për ta.

Znj.zv/presidente Iotova, mesi i muajit shtator, është shoqëruar në shumë vende të botës me hapjen e shkollave bullgare, kryesisht për mësimin e gjuhës bullgare, si Valencia, Barcelone, Athinë, Pragë, etj. Besoi se kjo do të ndodhë edhe në vendin tonë, ku ka disa shkolla të tilla ku fëmijët mësojnë gjuhën bullgare. A është pjesë e programit tuaj, prania  në këto evenimente apo prania juaj në Shqipëri ishte një koncidencë me këto ngjarje arsimore?

Dita e parë e shkollës është festë e madhe që është edhe më e madhe në shkollat bullgare jashtë vendit. Unë përpiqem, nëse programi im më lejon, ta ndaj këtë ditë me bashkatdhetarët tanë jashtë vendit–qofshin ata në Siatëll të Australisë apo këtu në Elbasan. Sipas meje politika më e suksesshme e shtetit bullgar për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit është politika e arsimimit. Shkollat e së dielës forcojnë shpirtin bullgar, ruajnë dhe përhapin gjuhën dhe njohuritë për Bullgarinë. Ato janë lidhja e drejtpërdrejtë me Bullgarinë. Unë e admiroj zellin e nxënësve që arrijnë të frekuentojnë shkollat e së dielës në fundjavë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve në shkollat e tyre gjatë javës. Falenderoj mësuesit bullgarë të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe dashuri të pafund, tërheqin interesimin e fëmijëve për bullgarishten, duke transmetuar dashurinë e tyre të fortë për Bullgarinë. Falenderoj prindërit që nuk i harrojnë rrënjët e vet dhe i rrisin fëmijët me dashuri për atdheun.

Se fundi zonja zv/Presidente, dihet tashmë konflikti i krijuar midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, çka e ka penguar këtë të fundit por edhe Shqipërinë për hapjen e negociatave për integrimin në Bashkimin Evropian. A keni Ju besim se ky problem, përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut do të zgjidhet, ku e kaluara të mos bëhet “ferre” nëpër këmbë për të sotmen dhe të ardhmen, duke luajtur rol në stabilitetin e rajonit Ballkanik?

-Së pari, dua të theksoj se kam qenë gjithmonë mbështetëse e tezës se dy vendet–Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, nuk duhet të ecin së bashku në rrugën e integrimit evropian. Kjo është madje e dëmshme. Duke qenë se konkluzionet e korrikut të 2022-ës të Këshillit treguan qartë ndryshimin në proceset e anëtarësimit të dy vendeve, përparimi i mëtejshëm i Shqipërisë dhe shpejtësia e negociatave varen vetëm nga përpjekjet dhe rezultatet e Tiranës, në përputhje me parimin e meritave të veta. Unë e përgëzoj Shqipërinë për fillimin e negociatave për anëtarësim në korrik 2022–një dëshmi e qartë për progresin e arritur.

Së dyti, Bullgaria është lobisti më i mirë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ju kujtoj se pas një ngecjeje afatgjatë, tema e anëtarësimit evropian të këtyre vendeve u fut në rendin e ditës në vitin 2018 nga Presidenca bullgare e Këshillit të BE-së. Jam e bindur se qëndrueshmëria e Bashkimit Evropian varet nga stabiliteti i Ballkanit Perëndimor. Besoj gjithashtu se pa Ballkanin Perëndimor BE nuk mund të jetë një lider ndërkombëtar.

Sa i përket Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfshirja e minoritetit bullgar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është diçka që do të garantojë të drejtat e tyre. Së bashku me njohjen e tyre, ne do të monitorojmë me përpikëri nëse këto të drejta respektohen në praktikë. Jo rastësisht në fillim të bisedës sonë tërhoqa vëmendjen ndaj kësaj se Shqipëria mund të shërbejë si shembull për vendet e tjera sa i përket qëndrimit të saj evropian ndaj përfaqësuesve të pakicave të ndryshme.

Next Post
Dështimi i bisedimeve/ Kurti: S’pati kompromis! Asociacioni s’mund të dalë si qerrja para kuajve

Dështimi i bisedimeve/ Kurti: S’pati kompromis! Asociacioni s’mund të dalë si qerrja para kuajve

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Një tjetër sulm me anije në Paqësor, Pentagoni njofton se ka vrarë 4 persona

Një tjetër sulm me anije në Paqësor, Pentagoni njofton se ka vrarë 4 persona

December 5, 2025
Dita e sotme me vranësira, reshje shiu dhe shtrëngata, zonat ku do ketë prezencë bore

Dita e sotme me vranësira, reshje shiu dhe shtrëngata, zonat ku do ketë prezencë bore

December 5, 2025
Seancë maratonë/ Kuvendi miraton 13 projektligje, AMF me drejtues të ri, zgjidhet Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil

Seancë maratonë/ Kuvendi miraton 13 projektligje, AMF me drejtues të ri, zgjidhet Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil

December 5, 2025
Qasja jonë e pamundur me Neoliberalizmin, inerci apo hipotezë sistemi

Pse “Salianjit” i duhet një dokument?!

December 5, 2025
A mund Salianji ta përsërisë historinë në PD siç bëri Rama në PS!

Forcë të re politike? Përgjigjet Salianji: S’kam marrë asgjë qyl në PD…

December 4, 2025
Karikimi i mjeteve elektrike, kryeministri Rama sqaron si do të jetë çmimi

Makinat elektrike, ERE rrëzon kërkesën e taksistëve, çmimi i karikimit mbetet 22 lekë/kWh

December 4, 2025
Erion Braçe: Po vjen tetori, komisionet duhet të nisin punën! Jemi shumë vonë me…

‘Revoltohet’ Braçe: Pensionet, një turp! Qeveria s’mund ta zëvendësojë reformën me shpërblime

December 4, 2025
“Nuk bërtas për spektakël”, Braçe për Veliajn: Më ka dhembur ajo histori, kisha të drejtë kur thashë se…

“Nuk bërtas për spektakël”, Braçe për Veliajn: Më ka dhembur ajo histori, kisha të drejtë kur thashë se…

December 4, 2025
Rama ndan punët për zgjedhjet në Tiranë, Braçe i pakënaqur: Më hoqën nga fushata në Njësinë 5 pa arsye, akt i padrejtë por..

Braçe kundër ministrit Malaj për “paqen fiskale”: Përfitojnë borxhlinjtë e mëdhenj…

December 4, 2025
“Harrove që më luteshe të të gjeja punë”/ Sherr mes Nokës dhe Bidos : Sa të bën kostumi, un aq kam pasurinë

“Harrove që më luteshe të të gjeja punë”/ Sherr mes Nokës dhe Bidos : Sa të bën kostumi, un aq kam pasurinë

December 4, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In