Ka mjaft shtete që ende vazhdojnë të jenë skeptike rreth mundësisë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kjo, sipas burimeve diplomatike, është parë qartë edhe gjatë debatit të parë në Këshillin e Bashkimit Evropian, të zhvilluar në Bruksel nga ministrat e brendshëm të vendeve anëtare, të premten, në Bruksel.
Por ata diplomatë që mbështesin heqjen e vizave për kosovarët janë të mendimit se “pengesat nuk janë të pakapërcyeshme, sepse ka hapësirë për të bindur vendet skeptike”, shkruan Koha Ditore.
Shqetësimet kryesore rreth Kosovës, pohojnë burimet që kanë ndjekur diskutimet e ministrave, janë të lidhura me nivelin e lartë të refuzimit të vizave, potencialin e lartë të rrezikut të migrimit masiv nga Kosova, radikalizmit fetar dhe proporcionalitetit të lartë të pjesëmarrësve “shqipfolës” në grupet e krimit të organizuar në Evropë, që për shumë krime shfrytëzojnë pikërisht Kosovën si transit. (b.an)