Mesditën e 30 dhjetorit 2023, Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie për ish-kryeministrin Sali Berisha. Është një ndër ngjarjet më të bujshme politike që nisi orët e fundit të vitit 2023, për t’u shtrirë në zhvillimin e saj përgjatë vitit 2024. Ish-president, ish-kryeministër dhe një ndër figurat më të rëndësishme të politikës së tranzicionit, do të gjendej krejt i pafuqishëm ndaj arrestit të SPAK, sepse kjo strukturë e posaçme e akuzon për korrupsion në çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani. GJKKO dha masën arrest shtëpie për ish-kryeministrin, detyruar nga mosha e tij e thyer, për të mos i dhënë dënim më të ashpër.
Qysh ditët e para të vitit të ri, Berisha dhe arresti i tij do të zinin shumicën e hapësirës në media, jo vetëm prej specifikave të personazhit por edhe si një ngjarje kulmore në historinë politike të 30 viteve. Për herë të parë drejtësia guxoi t’i afrohet aq shumë gardhit të politikës duke dhënë masë arresti për një personazh vendimtar në zhvillimet politike të tranzicionit në Shqipëri.
Kishte ndodhur më parë të arrestohej kryeministri i Shqipërisë, por rastet janë të ndryshme. Sepse arrestimi i Fatos Nanos në vitin 1993, u kthye shpejt në çështje politike dhe Nano u pranua si i burgosur politik jo vetëm nga opozita e asaj kohe, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Më herët Vilson Ahmeti ishte arrestuar për korrupsion, por mbeti si një çështje e parëndësishme për shkak se Ahmeti nuk pati peshë në zhvillime politike para dhe pas dënimit për korrupsion.
Arresti i Berishës më 30 dhjetor 2023, u pasua me reagime të forta nga të gjithë faktorët. Ndër reagimet e para pas këtij vendimi të GJKKO-së ishte ai i ish-kryeministrit, Ilir Meta i cili e konsideroi Berishën të dënuar politik. Ndërkohë, Ilir Meta kishte shkelur disa herë në dyert e SPAK, i detyruar prej hetimit që SPAK kishte nisur ndaj tij për dosjen CEZ-DIA si dhe dosjen e lobimit në SHBA.
Berisha e zhvilloi betejën e tij nga ballkoni, për 331 ditë i ngujuar në shtëpi, i ndjekur nga një grusht militantësh që çdo natë pinin kafe e brohorisnin liderin te “rruga e Salës”. Ndërsa Ilir Meta bënte paradën e tij nëpër dyert e SPAK dhe shfaqej agresiv ndaj kreut të kësaj strukture, Altin Dumanit.
Arrestimi i Ilir Metës
Ishte ora 13:15 e datës 21 nëntor 2024, kur ish-presidenti Ilir Meta u gjend i rrethuar nga një grup forcash speciale në hyrje të kryqytetit. Ish-kryeministër, ish-kryetar parlamenti e ish-president, Ilir Meta do të tërhiqej zvarrë drejt automjetit të policisë, pasi kishte kundërshtuar vendimin e GJKKO-së për arrestimin e tij. Ilir Meta akuzohej për korrupsion në dosjen e lobimit të SHBA dhe CEZ-DIA. Ndër të parët që nxituan të reagojnë ishte padyshim ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e cilësoi arrestimin politik. Bashkë me Ilir Metën, kishte marrë masë sigurie me “detyrim paraqitje” edhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.
Lajmi i mesditës së 21 tetorit, se ishte arrestuar ish-presidenti i Shqipërisë, u shpërnda me shpejtësi në disa prej mediave kryesore në botë.
“Në Shqipëri është arrestuar ish-presidenti i vendit,” shkruante “La Repubblica”.
“Ish-presidenti i Shqipërisë Meta është arrestuar, dyshohet për pastrim parash,” shkruante “The Washington Post”.
“Stacionet televizive lokale treguan oficerë policie të maskuar dhe me rroba civile duke marrë Metën nga automjeti i tij pasi ai u kthye nga Kosova fqinje përpara mbajtjes së një konference për shtyp,” shkruante “Abc News”.
“Partia e Lirisë në Shqipëri tha të hënën se lideri i saj dhe ish-presidenti shqiptar Ilir Meta, është arrestuar me akuza të dyshuara për pastrim parash,” shkruante “Associated Press”.
“Ilir Meta kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp në orën 13:40, me sa duket duke ditur arrestimin e tij të afërt, por policia e arrestoi para se të fillonte intervista,” shkruante media greke “Protothema”.
Padyshim, lajmi për arrestimin e Ilir Metës dominoi mediat shqiptare për disa ditë, por me kalimin e kohës, arrestimi i tij u harrua, madje edhe nga aleati i tij më i ngushtë Sali Berisha. Aq më shumë e harroi, kur GJKKO shpalli ndryshimin e masës së sigurisë për Berishën më 27 nëntor 2024. Bashkë me lirinë për të lëvizur jashtë banesës së tij, Berisha kishte fituar edhe vulën e partisë.
Vula e Berishës
Më 11 qershor 2024, vula e Partisë Demokratike u kthye në dorën e Berishës. Gjykata e Apelit, me trupë gjykuese të përbërë nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro, vendosën unanimisht mospranimin e ankimit të bërë nga grupi i Lulzim Bashës, duke lënë në fuqi vendimin e marrë më 25 marsin e vitit 2022 nga gjyqtari Agron Zhukri, i cili regjistroi ndryshimet statutore në Partinë Demokratike të miratuara në Kuvendin e Sali Berishës më 11 dhjetorin e vitit 2021.
Ky vendim i dha përfundimisht Berishës vulën e Partisë Demokratike. Vendimi erdhi pas 30 muaj luftë juridike, paralelisht betejës politike mes të dy palëve brenda Partisë Demokratike. Menjëherë pas vendimit të Apelit, Berisha e konsideroi aktin revolucionar nga ana e gjyqtarëve. Një gjuhë krejt e ndryshme nga ajo që kishte përdorur kur trupa gjyqtarësh merrnin vendime ndaj tij apo PD-së.
“Sot gjyqtarët guximtarë kryen aktin më të madh të trimërisë; ata guxuan dhe thanë të vërtetën. Xhorxh Oruell thotë se: “Të thuash të vërtetën në një kohë mashtrimi, është një akt revolucionar.”
Kalimi i vulës së PD-së tek Berisha dhe Rithemelimi, u pasua me zhvillime politike të rëndësishme brenda grupimeve të PD-së. Gazment Bardhi, kryetari i grupit parlamentar të PD-së së Bashës, iu bashkua Berishës dhe nisi luftën kundër Lulzim Bashës me të njëjtën retorikë si dikur kur akuzonte Berishën. Vula e Partisë Demokratike mori kështu me vete shumicën e deputetëve të PD-së, të cilët paturpësisht lëpinë gjithçka kishin pështyrë ndaj Sali Berishës në më shumë se dy vite dhe u rreshtuan duke brohoritur poshtë ballkonit të tij. Iu bashkuan atij, pa dhënë asnjë sqarim publik për akuzat e qëndrimet, asnjë llogaridhënie para elektoratit, asnjë argument që iu jep arsye për t’u bashkuar me një individ që është shpallur “non-grata” për korrupsion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Mosbindja e Gazment Bardhit ndaj Berishës u ndal ditën kur këtij të fundit iu kthye vula, dhe bashkë me të u rreshtuan në mosbindje ndaj faktorit ndërkombëtar, në aksionin e dështuar për mosbindje civile dhe kërkesë të pakuptimtë për qeveri teknike.
Tema ka renditur disa prej momenteve politike të opozitës për këtë vit por të tjera ngjarje priten në vazhdimësi, sidomos në këtë garë të thekur kush e kush t’i bjerë më shumë në sy padronit të tij, me qëllim që ta rendisë sa më lart në listën e sigurt të zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2025. Kulmi arriti kur në festën e fundivitit ata u shfaqën qesharakë duke kërcyer me melodinë e këngës për Sali Berishën, video e publikuar nga Tema. Një shfaqje turpshme e humbjes së dinjitetit. Të tjera shfaqje të ngjashme do të shohim këta muaj dei në kohën kur Berisha do të vendosë listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 11 majit 2025.