Nëse stili sulmues i Trumpit do të ishte thjesht një shkelje e etikës tradicionale presidenciale, do të mund të thuhej se kritikët e tij po tregohen shumë të bezdisshëm ose se kanë ngecur në pikëpamjet e dala mode të demokracisë. Por lakmia mund të ketë pasoja.
Nga Joseph S. Nye, Jr.
Revista Time nuk e zgjodhi Donald Trump si Personin e saj të Vitit në vitin 2018, por mund ta bëjë këtë vit. Trump e mbylli vitin e kaluar me kritika për njoftimin e tërheqjes së trupave nga Siria dhe Afganistani pa u konsultuar me aleatët (duke rezultuar në dorëheqjen e sekretarit të tij të respektuar të mbrojtjes, James Mattis) dhe pjesërisht duke mbyllur qeverinë në lidhje me një mur përgjatë kufirit me Meksikën. Në vitin 2019, me demokratët që morën Dhomën e Përfaqësuesve, ai do të përballet me akoma më shumë kritika në lidhje me politikën e tij të jashtme.
Mbështetësit e administratës nuk i vënë re kritikat. Ekspertët e politikës së jashtme, diplomatët dhe aleatët janë të shqetësuar për stilin sulmues e kritikues të Trumpit, por baza e Trumpit votoi për ndryshime dhe mirëpret përçarjen. Përveç kësaj, disa ekspertë argumentojnë se përçarja do të justifikohet, nëse pasojat vërtetohet se janë në dobi të interesave amerikane, siç është një regjim dashamirës në Iran, denuklarizimi i Koresë së Veriut, një ndryshim i politikave ekonomike kineze dhe një regjim më i barabartë i tregtisë ndërkombëtare .
Natyrisht, vlerësimi i pasojave afatgjata të politikës së jashtme të Trumpit tani është njësoj si të parashikoje rezultatin përfundimtar në mes të një loje. Historiani Stanford Niall Ferguson ka argumentuar se “çelësi i presidencës së Trumpit është se ndoshta ajo është mundësia e fundit që Amerika ka për të ndalur ngritjen e ngadaltë të Kinës. Dhe ndërkohë që mund të mos jetë shumë e kënaqshme në aspektin intelektual, qasja e Trumpit ndaj problemit, që është të pohojë fuqinë amerikane në mënyra të paparashikueshme dhe shkatërruese, në fakt mund të jetë i vetmi opsion i mundshëm i mbetur.”
Kritikët e Trumpit përgjigjen se edhe nëse ikonoklastia e tij prodhon disa suksese, ato duhet të vlerësohen si pjesë e një bilanci që përfshin si kostot ashtu edhe përfitimet. Ata shprehen se çmimi do të jetë shumë i lartë sa i përket dëmit shkaktuar institucioneve ndërkombëtare dhe besimit midis aleatëve. Në konkurrimin me Kinën, për shembull, Shtetet e Bashkuara kanë dhjetëra aleatë dhe pak mosmarrëveshje me fqinjët, ndërsa Kina ka pak aleatë dhe disa mosmarrëveshje territoriale. Përveç kësaj, ndërkohë që rregullat dhe institucionet mund të jenë kufizuese, SHBA-ja ka një rol të madh në formulimin e tyre dhe është një përfitues i madh i tyre.
Ky debat ngre pyetje më të mëdha në lidhje me rëndësinë e stilit personal në gjykimin e politikës së jashtme të presidentëve. Në gusht të vitit 2016, 50 ish-zyrtarë kryesisht republikanë të sigurisë kombëtare u shprehën se temperamenti personal i Trumpit do ta bënte atë të papërshtatshëm si president. Shumica e nënshkruesve u përjashtuan nga administrata, por a kishin ata të drejtë?
Si lider, Trump mund të jetë ose jo i zgjuar, por temperamenti i tij renditet nga fundi në peshoret e inteligjencës emocionale dhe kontekstuale që e bënë Franklin D. Roosevelt ose George H.W. Bush presidentë të suksesshëm. Tony Schëartz, i cili bashkë-shkroi librin e Trump “The Art of Deal”, vëren se “ndjenja e vetëvlerësimit e Trumpit është përgjithmonë në rrezik. Kur ndihet zhgënjyer, ai reagon në mënyrë impulsive dhe mbrojtëse, duke ndërtuar një histori vetë-justifikuese që nuk varet nga faktet dhe ia vë fajin gjithmonë të tjerëve.” Schwartz ia atribuon këtë mbrojtjes së Trumpit kundër dominimit të një babai që “kërkonte gjithmonë, ishte tip i vështirë dhe i motivuar… Ose dominoje ose nënshtroheshe. Ose krijoje dhe shfrytëzoje frikën ose i nënshtroheshe asaj – siç ai mendonte se kishte ndodhur me vëllanë e tij më të madh.” Si rezultat i kësaj, ai thjesht nuk pati emocione apo interes për të tjerët,” dhe “faktet janë ato që vendos vetë Trumpi”.
Nëse Schwartz ka apo jo të drejtë për shkaqet, egoja e Trumpit dhe nevojat emocionale shpesh duket se ngjyrosin marrëdhëniet e tij me liderët e tjerë dhe interpretimin e tij të ngjarjeve botërore. Imazhi prej të forti është më i rëndësishëm sesa e vërteta. Gazetari Bob Woodward raporton se Trump i tha një shoku të cilit i pranoi sjelljen e keqe ndaj grave se “fuqia e vërtetë është frika. Duhet të mohosh vazhdimisht dhe t’i bësh pas ato gra. Nëse pranon ndonjë gjë dhe ndonjë faj, atëherë je i vdekur.”
Temperamenti i Trumpit kufizon inteligjencën e tij kontekstuale. Atij i mungonte eksperienca dhe u bë shumë pak për të mbushur boshllëqet në njohurinë e tij. Nga vëzhguesit e tij të afërt, ai përshkruhet si një njeri që lexon pak, duke këmbëngulur që memot informuese të jetën shumë të shkurtra, dhe mbështetet shumë te lajmet në televizion. Ai raportohet se i ka kushtuar shumë pak vëmendje përgatitjeve para takimeve me autokratë me përvojë si presidenti rus Vladimir Putin ose Kim Jongun e Koresë së Veriut. Nëse stili sulmues i Trumpit do të ishte thjesht një shkelje e rregullave tradicionale presidenciale, do të mund të thuhej se kritikët e tij po tregohen shumë të bezdisshëm ose se kanë ngecur në pikëpamjet e dala mode të demokracisë.
Por lakmia mund të ketë pasoja. Ndërkohë që ka këmbëngulur për ndryshime, ai ka përçarë institucione dhe aleanca, vetëm duke pranuar pa ndonjë qejf të madh rëndësinë e tyre. Retorika e Trump ka ulur rëndësinë e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, siç tregoi reagimi i tij i dobët ndaj vrasjes së gazetarit disident të Arabisë, Jamal Khashoggi. Edhe pse Trump i ka bërë jehonë retorikës së presidentit Ronald Reagan që SHBA-ja është si një qytet në majë të kodrës, drita e të cilit ndriçon të tjerët, sjellja e tij e brendshme ndaj shtypit, sistemit gjyqësor dhe pakicave ka dobësuar qartësinë e apelit demokratik të Amerikës. Sondazhet ndërkombëtare tregojnë një rënie në pushtetin e butë të Amerikës që kur ai erdhi në pushtet.
Ndërsa kritikët dhe mbrojtësit debatojnë atraktivitetin e vlerave të mishëruara nga qasja e Trumpit “Amerika e para”, një analist i paanshëm nuk mund të justifikojë mënyrat në të cilat nevojat e tij personale emocionale kanë anashkaluar vënien në zbatim të qëllimeve të tij – për shembull në takimet e tij me Putinin dhe Kimin. Përsa i përket maturisë, mungesa e ndërhyrjes nga ana e Trump e mbrojti atë nga bërja e disa mëkateve, por dikush mund të vërë në dyshim nëse hartat e tij mendore dhe inteligjenca kontekstuale janë të përshtatshme për të kuptuar rreziqet që i paraqiten SHBA-së nga përhapja e pushtetit në këtë shekull. Ndërkohë që tensionet rriten, të mendosh për Trumpin mund të bëhet e pashmangshme në vitin 2019.
Project Syndicate