Sipas një ankete që ka bërë PNUD (Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara) në 2560 biznese në vend për aftësitë në punësim, e cila u publikua së fundmi, kompanitë shqiptare kanë raportuar 44 mijë vende të lira pune këtë vit. Por të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore raportuan se gjatë vitit të kaluar kanë plotësuar kriteret për pension më shumë se 22 mijë persona, me shumë gjasë këtë vit numri i personave që do të plotësojë kushtet për pension do të kalojë të 25 mijë. Vendet e lira që po krijohen nga daljet në pension zënë 55% të ofertës së punës.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, i cili është punëdhënësi më i madh në vend, me rreth 6000 të punësuar, raportoi se është duke u ndeshur me sfida në pjesën e burimeve njerëzore. Burimet zyrtare të kompanisë pohuan se rreth 45% të punonjësve janë të moshës mbi 51 vjeç, ku 10% i përkasin moshës mbi 60 vjeç. Për të përmbushur nevojat për staf, OSHEE raportoi se pa të nevojshme arritjen e marrëveshjes me shkollat profesionale dhe arsimin e lartë, për realizimin e kurseve, praktikave dhe marrjes në punë të profesionistëve të rinj.
Gjithashtu, kompanitë që kërkojnë aftësi specifike pohuan vështirësitë që ofron tregu i punës në Shqipëri edhe për elemente të veçanta siç është edukata dhe korrektesa në vendin e punës.
Bledar Mankollari, drejtor i kompanisë Forschner, që prodhon pajisje kabllore për autobusët e Benz Mercedes, tha se ka në plan të hapë një njësi të posaçme trajnimi për stafin në formën e një shkolle të licencuar, për të trajnuar stafin që i nevojitet. Zoti Mankollari tha se, aktualisht numri i të punësuarve ka arritur në 600, por se planet për hapjen e një njësie të re prodhimi në Spitallë kërkojnë edhe 1200 punonjës të tjerë. Drejtori i Forschner thotë se procesi i punës është specifik, ndaj kompania i trajnon vetë punonjësit e saj. Por trajnimi i 1200 personave kërkon një angazhim më të madh, ndaj është menduar që ky aktivitet të kryhet në një ambient të licencuar. Ai tha se të rinjtë shqiptarë kanë aftësi të mira të përvetësimit të njohurive, por ju mungon integriteti dhe korrektesa në punë, karakteristikë kjo e vendeve mesdhetare.
Eksperti i politikave arsimore, Ndriçim Mehmeti, tha se Shqipëria aktualisht ka një hendek kualifikimi në profesione që nuk kërkojnë shumë aftësi, si sektori i shërbimeve, bujqësia dhe mekanika. Ai shprehet se modeli arsimor në Shqipëri ka mangësi, në infrastrukturë dhe burimet njerëzore për plotësimin e nevojave për kualifikim, duke rekomanduar plotësimin e nevojave që ka tregu për kualifikime të ulëta. Mehmeti dha alarmin se industria e bareve dhe restoranteve nuk punësojnë të shkolluar për këto shërbime, duke u bërë pengesë serioze për zhvillimin e turizmit. Eksperti i politikave arsimore thotë se cilësia e dobët e shërbimit në hotelet dhe baret shqiptare janë shkaktari kryesor për mosavancimin e turizmit.
Harta e vendeve të lira të punës
Anketa e Programit të Kombeve të Bashkuara e publikuar së fundmi gjeti se numri total i punonjësve të rinj, që do të shtohen gjatë këtij viti, është vlerësuar në rreth 44 mijë persona ose 5,8% e forcës aktuale të punës. Ky numër nuk është përshtatur me zëvendësimin e stafit që largohet nga kompania për arsye pensioni ose të tjera.
Gjatë këtij viti janë parashikuar të hapen gjithsej 29.717 vende të reja pune në Rajonin Qendror. Industria e prodhimit të veshjeve kontribuon më së shumti, teksa call center shihet të jetë sektori më aktiv për të rekrutuar punonjës të rinj, i ndjekur nga guroret dhe shërbimet administrative.
Bizneset e mëdha presin të punësojnë gjatë këtij viti 14 mijë e 700 persona gjithsej. Sektori fason ka vënë në dispozicion 7100 vende të reja pune këtë vit, nga të cilat rreth 3800 punonjës të rinj kërkohen nga rrobaqepësitë dhe 2500 nga fabrikat e këpucëve.
Administratorët e kompanisë Naber në Durrës pohuan se janë në vështirësi për të gjetur punonjës dhe se po përjetojnë një hendek në forcën e punës. Nazmi Grori, i cili zotëron tre kompani të mëdha që ofrojnë shërbimet e rrobaqepësisë në Durrës, thotë se ka 300 vende pune të paplotësuara. Ai pohon se ka vështirësi për gjetjen e punonjësve, ndërsa kontratat e shitjes janë shtuar.
Z. Grori tha se të rinjtë që jetojnë në qytet e kanë për fyerje të punojnë në fason, edhe përkundrejt një page më të mirë, ndryshe nga një dekadë më parë, ndërsa të rinjtë e fshatit parapëlqejnë të merren me bujqësi dhe me detyrimet në shtëpi në vend të punës në fabrikë. Ndërsa i gjithë sektori i call center, duke përfshirë bizneset e mëdha e të vogla të kësaj fushe, kanë shprehur preferencat të punësojnë këtë vit rreth 4550 punonjës të rinj.
Pas rrobaqepësive dhe punonjësve të call center duket se kamerierët janë profesioni që ofrohet në vend. Gjatë vitit 2018, bizneset parashikojnë të punësojnë 3891 kamerierë të rinj. Punëdhënësit janë shprehur optimistë për gjetjen e punonjësve të rinj sidomos në sektorin e shërbimeve, por nuk janë kaq entuziastë në disa aktivitete specifike të shërbimeve, si informacioni dhe komunikimi dhe punonjës profesionistë, shkencorë dhe teknikë.
Më e lehtë për të gjetur punonjës është në Rajonin Qendror sesa në tre rajone të tjera të Lindjes, Jugut dhe Veriut.
Punëdhënësit deklaruan se e kanë të vështirë të gjejnë punonjës me aftësi, përvojë, korrektesë, integritet dhe motivim për llojin e punës që bëjnë.
Paga e pamjaftueshme është pengesë për 40.8% të punonjësve në lëmin e shkencave, gjeologëve dhe agronomëve, dhe për 38.6% të drejtorëve dhe menaxherëve të lartë, ndërsa kushtet e punës jointeresante shfaqen si barrierë për rekrutimin në sektorin e botimeve (92.6%) dhe pastruesve (30.4%).
Mundësi të pakta për trajnime
Në përgjithësi, përqindja e bizneseve që financojnë trajnim me fondet e veta ka rënë që nga viti 2014, kur PNUD bëri anketën e parë për aftësitë në punësim në Shqipëri. Bizneset që nuk kanë interes për të trajnuar stafin e tyre u rritën me 10% më 2017, në raport me 2014. Por gjithsesi, personat e trajnuar nga bizneset janë 5-9 herë më të shumtë në numër se trajnimet e bëra nga burimet e tjera.
Punonjësit e shitjeve dhe shërbimeve kanë marrë shumicën e trajnimeve të financuara nga kompanitë e tyre (30%), ndërsa trajnimet për teknikë, zejtarë dhe punëtorë janë tre herë më të ulëta.
Studimi ka gjetur se mungesa e fondeve për trajnime është pengesa kryesore për trajnimin e stafit, e ndjekur nga lëvizjet e shpeshta të forcës së punës. Lëvizjet e shpeshta të stafit krijojnë shpenzime të shumëfishta për një vend pune. Minierat dhe guroret kanë barrierat më të mëdha në trajnim. Përveç mungesës së kompanive të trajnimit në sektorin e minierave, nuk ka instruktorë për këtë sektor. Pak a shumë në të njëjtën situatë është edhe sektori i furnizimit me ujë dhe kanalizimeve dhe ai i menaxhimit të mbetjeve.
OSHEE, punëdhënësi më i madh në vend, raportoi se janë treguar të kujdesshëm duke alternuar përvojën dhe trashëgiminë e vlefshme të inxhinierëve të vjetër me prurjet e reja në kompani, falë marrëveshjeve me 13 shkollat profesionale dhe Universitetin Politeknik të Tiranës. OSHEE i ofron Arsimit dhe Formimit Profesional Publik praktika profesionale për kursantët, si dhe merr sugjerime kursantësh të konkurrojnë për t’u punësuar brenda kompanisë. E njëjta rrugë bashkëpunimi ndiqet edhe me shkollën e lartë. Rezultatet deri më tani tregojnë rritjen e profesionalizimit tek inxhinierët dhe elektricistët.
Anketa e PNUD tregon se Rajoni i Veriut përballet me mangësitë dhe pengesat më të mëdha për trajnimin e stafit, sidomos nga mungesa e fondeve dhe instruktorëve. Ndërsa të interesuarit për trajnim në Rajonin e Qendrës, më së shumti ndeshen me mungesën e kohës.
Duke renditur pengesat kryesore në fushën e trajnimit, shihet se mungesa e fondeve është pengesa më madhore, e ndjekur nga mungesa e kurseve dhe instruktorëve të përshtatshëm.
Vetëm 14% e bizneseve kanë një strukturë të posaçme trajnimi, por një buxhet të posaçëm për këtë qëllim e kanë vetëm 5.7% e bizneseve. Megjithatë, ky grup biznesesh punësojnë 47.7% të të punësuarve. Studimi tregon se kompanitë që kanë një strukturë trajnimi të dedikuar, kanë pasur rritje të punësimit që nga viti 2014. Shumica e kompanive të mëdha kanë një strukturë trajnimi dhe më shumë se një e treta, një buxhet të veçantë trajnimi.
Në Rajonin e Juglindjes gjithashtu ka pengesa si në strukturat e trajnimit edhe në fondet për këtë qëllim. Më shumë se për mungesë fondesh dhe instruktorësh, bizneset në këtë rajon janë indiferentë ndaj trajnimit.
Në Jug, një përqindje relativisht e lartë e kompanive kanë një program trajnimi, por vetëm pak prej tyre kanë një buxhet të posaçëm për këtë qëllim.
Sektori që ofroi më shumë trajnime gjatë vitit 2017 ishin shërbimet administrative dhe mbështetëse. Meqenëse ky sektor parashikoi të punësonte më shumë se 10 mijë persona këtë vit, trajnimet kanë qenë më intensive vitin e kaluar, të cilët mund të merrnin trajnime, duke u renditur e dyta pas minierave dhe guroreve, të cilat kishin 11.851 punonjës të trajnuar në 12 muajt e fundit.
Tregjet financiare kanë trajnuar pjesën më të madhe të stafit vitin e kaluar, rreth 33% të tyre. Ndërsa informacioni dhe sektori i komunikimit kishte një përqindje shumë më të lartë (69.1%) të bizneseve që trajnuan stafin.
Punonjësit kanë më shumë gjasë të trajnohen nga kompanitë e mëdha, rreth 39 mijë punonjës morën trajnim vitin e kaluar nga kompanitë e mëdha, ndërsa bizneset e vogla shihet të kenë mangësi në këtë drejtim, pasi vitin e kaluar ata trajnuan vetëm 6.9% të stafit të tyre.
Rajoni Qendror përjetoi një nivel të lartë të trajnimit, me një të pestën e totalit të të punësuarve në të paktën një temë gjatë 12 muajve të fundit. Juglindja kishte një nivel shumë të ulët të trajnimit (4.2% e të gjithë të punësuarve të trajnuar gjatë vitit të kaluar), duke konfirmuar përfundimin se ky rajon është indiferent ndaj rritjes së aftësive të trajnimit.
Stafet e shitjes dhe personeli i dyqaneve, i ndjekur nga kamerierët dhe baristët morën më shumë trajnim sesa profesionet e tjera në vitin e fundit.
Studimi ka treguar se shitësit dhe kamerierët shfaqin mungesa të mëdha në aftësitë e tyre, duke sinjalizuar se trajnimet në këto profesione do të jenë intensive edhe në vitet në vijim. Në Rajonin e Qendror, menaxherët e lartë renditen të dytët në trajnim, pas punonjësve të thjeshtë, ndërsa në rajonet e tjera renditen në vendin e parë.
Fasoni dhe call center, ofruesit më të mëdhenj të punës
Fabrikat e veshjeve dhe këpucëve, ose ndryshe sektori fason dhe qendrat e thirrjeve, ndryshe call center, janë punëdhënësit më të mëdhenj brenda bizneseve të mëdha. Zhvillimet e fundit tregojnë për një rritje të vëmendjes të investitorëve të huaj ndaj këtij sektori, pasi Shqipëria rezulton më tërheqëse se sa në ekonomitë e tjera.
Kosto e ulët e investimeve në këto linja dhe aftësitë e gjuhës italiane të shqiptarëve kanë krijuar baza të mira për rritjen e qendrave call center gjatë viteve të krizës ekonomike globale. Sipas operatorëve të tregut, investimi fillestar nis me 60,000-70,000 euro për një kompani me 100 punonjës, ndërsa kthimi në investim është i garantuar kur kompania ka një kontratë me një klient të fuqishëm jashtë vendit. Sipas operatorëve, kostoja e punës mund të jetë tre herë më e ulët sesa në Itali, paga mesatare mujore në Shqipëri shkon nga 300-350 euro, në krahasim me 900-1000 euro në Itali.
Aktiviteti i call center ka lulëzuar në Shqipëri gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2017, ishin 800 kompani të tilla rreth 25,000 punonjës. Gjashtë ose shtatë kompani zotërojnë tregun me më shumë se 10,000 punonjës. Më 1 prill 2017, një ligj i ri hyri në fuqi në Itali për delokalizimin e call center, duke kufizuar rregullat e zbatueshme për zhvendosjen e këtij aktiviteti në vendet jo anëtare të BE-së.
Për zbatimin e ligjit që qeveria italiane ka, kërkoi bashkëpunim nga trembëdhjetë kompani – Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastweb, Intesa SanPaolo, Unicredit, Poste italiane, Ntv, Trenitalia me një marrëveshje me të cilën 95% e aktiviteteve të tyre të drejtpërdrejta do të rihyjnë në Itali brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi i saj. Këto kompani realizojnë rreth 65% të qarkullimit të sektorit në Shqipëri. Për pasojë, disa prej kompanive janë zhvendosur, ndërsa të tjerat kanë filluar procedurat e falimentimit dhe disa janë duke u diversifikuar në Web marketing.
Ndërsa industria fason në Shqipëri punëson rreth 100 mijë njerëz, kryesisht gra dhe vajza. Përvoja e gjatë e kompanive që punojnë në këto fabrika me këpucë ka krijuar kushtet për të aplikuar në ciklin e prodhimit të mbyllur, i cili vlerën e shtuar dhe të ardhurat për kompanitë.
Në vitet e fundit, industria ka diversifikuar aktivitetin drejt prodhimeve të reja që mund të sjellin më shumë të ardhura për bizneset dhe ekonominë, si dhe paga më të larta për punonjësit. Kompanitë e huaja po rrisin interesat për të prodhuar në Shqipëri edhe pajisje elektronike, elektrike dhe industriale.
Pozita e favorshme gjeografike lehtëson shpenzimet e transportit, si dhe pagat e ulëta janë faktor tërheqës për investitorët. Por Shqipëria konkurrohet në këtë drejtim nga vendet e tjera në rajon, kryesisht Serbia dhe Maqedonia, të cilat kanë politika më agresive dhe promovuese për kompanitë që investojnë në ato vende. Cilësia e aftësive, veçanërisht për mekanikë dhe elektricistë, është shumë e rëndësishme për investitorët. Aktualisht, Shqipëria ofron punë të lirë, por jo të kualifikuar.
Punësimi bie te biznesi i vogël, rritet te biznesi i madh
Në katër vitet e fundit, punësimi ka ardhur duke u rrudhur te bizneset e vogla, teksa është zgjeruar te kompanitë e mëdha. Mbi 35% e ndërmarrjeve të vogla raportuan rënie të punësimit në vitin 2017, teksa rreth 55% e bizneseve të mesme dhe rreth 63% e kompanive të mëdha kanë rritur numrin e të punësuarve. Rezultatet e anketës treguan se sektorë të caktuar ekonomikë mbizotëronin krahasuar me sektorët e tjerë në rajone të ndryshme. Veriu karakterizohet nga një ekonomi me një përfaqësim më të fortë të minierave dhe prodhimit të energjisë, për faktin se burimet minerale dhe ujore janë aty.
Rajoni juglindor ka një përfaqësim të fortë të ndërmarrjeve në sektorët industrialë si minierat, prodhimi, furnizimi me ujë dhe energjia, por me zhvillime më modeste në tregti, transport, strehim dhe ushqim. Në dy rajonet jugore, 60% e ndërmarrjeve veprojnë në art, argëtim dhe rekreacion, për shkak të përqendrimit të një pjese të konsiderueshme të trashëgimisë kulturore të vendit në Jug të Shqipërisë.
Rajoni Qendror ka përqendrimin më të madh të kompanive që operojnë në sektorin financiar, profesional, administrativ, TIK dhe pasurive të patundshme. Kjo për shkak të burimeve të mëdha njerëzore me kualifikime të kërkuara nga këta sektorë, dhe se rajoni është i banuar nga 40% e popullsisë të vendit.
Shqiptarët nuk i parapëlqejnë punët me kohë të pjesshme
Të dhënat e anketimit treguan se rreth 97% e punonjësve punojnë me kohë të plotë. Në mënyrë tipike, punonjësit në Shqipëri janë individë të cilët janë të interesuar të ndjekin një karrierë ose të kenë nevojë të fitojnë të ardhura të rregullta për të mbështetur veten dhe familjet.
Në të kundërt, punëtorët me kohë të pjesshme shpesh janë pensionistë, të cilët kërkojnë të plotësojnë të ardhurat e daljes në pension dhe studentët. Në fakt, punësimi i punëtorëve me kohë të pjesshme është ekonomikisht atraktiv për bizneset.
Shitjet me pakicë zakonisht kërkojnë punonjës me kohë të pjesshme, kryesisht me kualifikim të ulët, ndërsa industritë kërkojnë më së shumti punonjës me kohë të plotë. Studimi aktual ka gjetur se numri i përgjithshëm i personave të punësuar me kohë të plotë ishte 409.470 në vitin 2017 ku 41% ishin femra dhe 59% meshkuj. Kompania me numrin më të madh të të punësuarve është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE), me rreth 6000 mijë punonjës. Ndërsa punëdhënësi më i madh i vendeve të punës part time Alba Telefonon, me 1,637 persona, ndjekur nga tre qendra të tjera të thirrjeve. Puna me kohë të pjesme është më shumë tipar i kompanive call center.
Orientimi i ekonomisë në fason, ul kërkesën për kualifikim të lartë
Orientimi i ekonomisë drejt sektorëve që nuk kërkojnë kualifikim të lartë (si fasoni dhe ndërtimi) kanë ulur ofertën për punë me kualifikim të lartë. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2016, kërkesa e bizneseve për të rekrutuar punonjës me arsim të lartë dhe teknikë të mesëm ra me 25% në raport me vitin 2015. Hendeku mësohet të jetë thelluar më 2017.
Në zyrat e punës janë regjistruar si punëkërkues 5336 persona me arsimin e lartë, por oferta për këtë kualifikim ishte vetëm 2517 persona. Eksperti Mehmeti thotë se, shumica e ofertave për punë me arsim të lartë janë për pozicione që i mbulon arsimi profesional. Bie fjala një punonjës kase në bankë nuk ka pse të jetë me shkollë të lartë, ashtu si dhe një llogaritar mund ta bëjë një person me arsim të mesëm.
Instalimet elektrike në pallat mund t’i bëjë një teknik i mesëm, por në fakt biznesi kërkon arsimin e lartë që jo domosdoshmërisht vlen për të gjitha vendet e punës. Disbalanca më e madhe ndërmjet kërkesës dhe ofertës për punë qëndron te profesionet elementare (punëtor krahu, për ndërtim, pastrim dhe bujqësi). Për këtë lloj pune janë regjistruar 42 mijë kërkesa, kur bizneset ofrojnë vetëm 7000 pozicione.
Kërkesa dhe oferta përfarohen disi për zanatçinjtë, por disbalancimet gjeografike sjellin mospërputhje edhe në këtë grup. Mbi 9 mijë persona nuk kanë asnjë profesion dhe kërkojnë punë, por ndaj tyre ofrohen vetëm 41 pozicione pune. Tregu i punës duket se ka rënë në rreth vicioz, teksa bizneset ankohen se nuk kanë gjetur profesionistë, kurse punëkërkuesit pretendojnë se nuk ofrohen mundësitë. Përvojat tregojnë se një popull i mirarsimuar krijon një treg të aftë pune.
Por në Shqipëri, modeli ekonomik është i orientuar ndaj sektorëve me vlerë të ulët të aftësive, çka po dekurajon të rinjtë të thellojnë njohuritë në profesione me vlerë të lartë. Ndërsa biznese të veçanta pohojnë se, forca e kualifikuar e punës po i pengon ata të zgjerohen në linja që kërkojnë kualifikim.
Sipas të dhënave zyrtare, forca e punës e Shqipërisë përfshin rreth 1.1 milionë njerëz. Vlerësohet se shkalla e papunësisë ishte 12,5% në tremujorin e parë 2018. Përafërsisht, 46% e fuqisë punëtore ishte e vetëpunësuar në Shqipëri në sektorin e bujqësisë. Informaliteti është i përhapur në tregun shqiptar të punës. Por situata është edhe më serioze në sektorin e bujqësisë, ku 88% e punësimit është joformale ose pa dokumente, sipas studimit të ILO 2013. Megjithatë situata është përmirësuar vitet e fundit, ku punësimi joformal ka rënë në 31.9% në vitin 2016.
Rreth 170,000 njerëz janë regjistruar në sistemin e pensioneve. Studimi i PNUD vlerëson se, niveli arsimor i fuqisë punëtore është relativisht i ulët, duke kufizuar perspektivat ekonomike dhe aksesin në punë cilësore. Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2015, rreth 43% e personave në moshë pune në Shqipëri kishin arsim fillor ose më pak, ndërsa vetëm 19% arsim të lartë. Qeveria siguron stimuj fiskalë për trajnimin e fuqisë punëtore në brendësi në sektorët e industrisë përpunuese, duke përfshirë sektorët e këpucëve dhe tekstilit.
Shumica e të rinjve shqiptarë flasin gjuhën angleze dhe italiane si gjuhë të dytë. Shqipëria ka një sistem të fortë të arsimit të mesëm, edhe pse shkollat profesionale janë më pak mbizotëruese. Sistemi i Arsimit Profesional përbëhet nga 32 shkolla profesionale publike që ofrojnë 2 + 2 ose 2 + 3 vjet arsimim për të rinjtë e moshës ndërmjet 15 dhe 18 vjeç dhe 10 qendrave publike të aftësimit profesional (QFP) që ofrojnë kurse profesionale afatshkurtra, me kohëzgjatje prej 3-9 muaj. Përveç kësaj, 493 kompani private të licencuara ofrojnë kurse profesionale, kryesisht në gjuhë të huaja dhe parukeri. Vetëm 1.7% e kurseve të ofruara nga ofruesit privatë janë për elektricistë, muratorë, etj.
ma.me