Nga Ruben Avxhiu
Historinë e shqiptarëve mund ta ndash në epoka të ndryshme. Disa prej tyre mund të përkojnë me ato të ndarjes së historisë së botës, me lashtësinë, mesjetën, epokën moderne etj. Një mënyrë tjetër është sipas ngjarjeve të mëdha të 28 Nëntorëve, atë të Sëknderbeut në 1443, të Ismail Qemalit në 1912, të komunistëve në 1944, të UÇK-së në 1997 etj. Sigurisht, shpallja e pavarësisë në 1912 e ndan qartas historinë në dy pjesë. Para dhe pas pavarësisë. Ndarja më e madhe e përhapur është ajo në kalendaret që përdorim: Para dhe Pas Krishtit, apo në të folurën laike të përqafuar edhe nga ne në kohën e komunizmit, Para dhe Pas Erës Sonë.
Mes të gjitha këtyre, një tjetër ndarje nëse dëshironi është ajo e historisë së shqiptarëve përpara dhe pas mbërritjes së Amerikës në punët e Europës.
100 vjet më parë filloi, shekulli amerikan në Europë
Kjo ndodhi 100 vjet më parë, në 1917, kur SHBA u radhit në krahun e Antantës duke thyer balancën e forcave të Luftës së Parë Botërore dhe duke imponuar vizionin e Presidentit Uilliam Uillson që çdo komb duhej të kishte shtetin e vet të pavarur.
E krahasuar me gjendjen në të cilën ndodheshim kur filloi ai që duhet quajtur Shekulli Amerikan në Europë, shqiptarët sot janë shumë më të fortë, më të begatë dhe më të bashkuar. Amerikanët nuk erdhën në Europë për të shpëtuar shqiptarët, por nga vizioni i tyre i çlirimit të kombeve të shtypur përfituan shumë edhe shqiptarët.
Në punë e sipër, shqiptarët dhe amerikanët lidhën miqësi e leancë të fortë, në zemër të të cilës kanë qenë shqiptaro-amerikanët me ndikimin e tyre të organizuar.
Ndryshe nga fuqitë e tjera europiane, SHBA nuk kishte paragjykime për ballkanasit, nuk kishte aleatë e armiq, nuk nisej nga dëshira apo nevoja për të shpërblyer sesa nga mania për të zgjidhur problemet e për të vënë në vend drejtësinë. Nga kjo përfituan popujt më të vegjël. Shqiptarët ndonëse më të dobët se serbët dhe grekët, së pari çimentuan Shqipërinë londineze e pastaj, çliruan e pavarësuan Kosovën e përmirësuan situatën në trojet e tjera ku nuk janë shumicë. Diku zhvillimet kanë qenë katastrofale si në Çamëri e spastruar etno-fetarisht dhe në troje të tjera në Greqi, Serbi, Mal të Zi etj ku shqiptarët janë asimiluar masivisht.
Sigurisht ky ka qenë një shekull i gjatë, gjysmën e të cilit shqiptarët në Shqipëri, e shpërdoruan duke e urryer dhe përbaltur Amerikën, në emër të një ideologjie që kërkonte shpëtimin e punëtorisë mbarëbotërore, duke lënë në plan të dytë fatet kombëtare. Sot, Shqipëria ka statuja presidentësh amerikanë, ka emërtuar bulevarde e rrugë me emrat e tyre, shpalos me të madhe lidhjes mes kombeve dhe ambasadorët nga SHBA trajtohen me një respekt të jashtëzakonshëm.
Shqiptarët me të drejtë besojnë se pa Amerikën jeta e tyre dhe e shumicës së njerëzve në Ballkan do të ishte shumë më e keqe.
A do të fillojë largimi i Amerikës nga Ballkani dhe Europa, në 2017?
Për të gjitha këto më lartë e shumë të tjera, është e kuptueshme shqetësimi i shumë bashkatdhetarëve se çfarë do të ngjasë tani që SHBA ka zgjedhur një President si Donald Trump, i cili e sheh angazhimin amerikan në Europë e sidomos atë në përballje me Rusinë si një sfidë të panevojshme, që nuk i shërben vërtet vendit.
Ai nuk mendon se SHBA e ka për detyrë që mbrojë vende ndryshme të kërcënuar nga Rusia apo të vrasë mendjen sesi të përhapë demokracinë në botë, ndërsa njëkohësisht sakrifikon burimet e saj të pakësuara për të mbrojtur mjedisin, për të ruajtur sigurinë e rajoneve të largëta, për të qenë mburja e kombeve më të dobëta përballë fuqive rajonale.
Ndryshe nga ata që e kritikojnë pafund Presidentin e Zgjedhur Trump, ai nuk është pro-serb e anti-shqiptar, po është e vështirë që ai të ketë simpati e vullnet për një angazhim kaq të stërzgjatur në Ballkan.
Është normale që bashkë me shumëkënd në botë që do të mbajë vështrimin nga Amerika, pas 20 janarit 2017, edhe shqiptarët do të ndjekin me kujdes sinjalet e zhvillimet nga Shtëpia e Bardhë. Si ata do të veprojnë edhe fqinjët e tyre, disa prej të cilëve po fluturojnë nga gëzimi e disa janë më dyshues.
Në çfarë formash mund të vijë çangazhimi amerikan në Ballkan. Forma më e skajshme është ajo e tërheqjes së trupave paqeruajtëse dhe mbyllja e kampit Bondsteel. Mbyllja e këtij kampit ka qenë një mundësi edhe nën administratën Obama. Forma më të buta tërheqjeje variojnë që nga përgjysmimi i trupave, pakësimi i pranisë diplomatike, deri në mbylljen e nja-dy ambasadave në rajon, mbyllja e fondeve për organizatat joqeveritare, ndërprerja e financimit për programe të ndryshme etj.
Marrëdhëniet e reja me Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe, Turqinë dhe sidomos Rusinë mund të luajnë gjithashtu një rol. Trump ndihet i sulmuar nga elita politike dhe specialiste amerikane, aq shumë sa ka preferuar të mbajë anën e Putinit në krizën e re diplomatike me Rusinë, në vend që të mbante anën e Presidentit Obama. A do të bëjë të njëjtën gjë më vende e politikanë të kritikuar nga diplomacia amerikane si Dodik në Republikën Srpska, Serbinë në tërësi, Gruevskin në Maqedoni etj? Me njëanshmërinë e tij kundër myslimanëve a do të pranojë ai versionin serb se lufta në Kosovë e Bosnje ka qenë fetare? Me kritikat e tij ndaj angazhimit amerikan në botë a do të ndryshojë mendimet e tij të viteve 90 duke thënë se SHBA nuk kishte punë të merrej me konfliktet në Jugosllavi? Nga të gjitha këto lidhjet me Vladimir Putinin janë veçanërisht kurioze.
Shqiptarët në Ballkan kanë parë rregullisht në vite Rusinë si pengesën e tyre më madhore, për shkak të ndihmës së saj të madhe ndaj Serbisë. Miqësia e parashpallur Trump-Putin mund të sjellë një qetësim të përplasjes së dy fuqive në Ballkan, duke sjellë të mira për shqiptarët, por mund të sjellë edhe një shkëputje amerikane nga rajoni duke anuar peshoren në mënyrë të frikshme në favor të klientëve të Putinit. BE që është arbitër i mirë por krejtësisht i dobësuar dhe paralizuar nga përçarjet e brendshme, nuk e zëvendëson dot Amerikën në këtë ekuacion diplomatik.
Këto janë të gjitha hamendje, sigurisht. Nëse do të ketë ndryshime në politikën e jashtme amerikane, vështirë se do të fillojnë nga Ballkani. Së dyti, një pjesë e madhe e njerëzve të Presidentit të Zgjedhur janë kritikë tradicionalë të Rusisë dhe mbështetës të interesave ushtarake amerikane, pra vështirë se do të gëlltisin braktisjen e një stabiliteti, për të cilën amerikanët kanë luftuar më 1999 dhe ku qendrojnë si roje të paqes që nga 1996 në Bosnje e 1999 në Kosovë.
Ç’angazhimi amerikan që premtohet në fillim të çdo cikli presidencial
Pa nënvleftësuar shqetësimin shqiptar dhe të shumicës së ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, fakti është që largimi amerikan nga Europa është paralajmëruar, gati sa herë që vjen një president i ri në SHBA. Të paktën sa kohë që ndjek unë zhvillimet në SHBA, në më shumë se 25 vjet, fillimi çdo presidence të re shihet me frikë.
Amerikanët zgjodhën si president Bill Clinton që kishte shumë ide për zhvillimin e brendshëm, por që ishte fillestar në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke preferuar atë në vend të Presidentit George HW Bush, i cili ishte jo vetëm një njohës i jashtëzakonshëm i botës po kishte edhe një plan madhor konkret për rendin e ri botëror, të pas Luftës së Ftohtë. Ardhja e Presidentit Clinton u lexua si një tërheqje historike amerikane nga punët e Europës.
Sjellja e tij gjatë Luftës në Bosnje vërtetoi këtë parashikim, ndër rizgjedhja e tij në 1996, në vend të veteranit Bob Dole, i vuri kapak. E megjithatë ishte Bill Clinton që futi për herë të parë amerikanët në luftë në Europë, që prej Luftës së Dytë Botërore, kur bombardoi Jugosllavinë dhe çliroi Kosovën.
Pak përpara zgjedhjeve George W Bush dhe Condoleezza Rice kishin treguar mungesë vullneti për angazhim të madh në Ballkan. Bush e bëri të qartë se si president Europa nuk do të ishte më në krye të listës së Shtëpisë së Bardhë. Vizita e tij e parë jashtë do të ishte në Meksikë, kurse angazhimi i parë madhor në botë do të ishte në marrëdhëniet me Indinë. Në fund, ai u bë strumbullar që në Europë të krijohej një shtet i ri, për njohjen e të cilit edhe sot europianët nuk arrijnë do të që të dakortësohen. Pra presidenti që do të bënte shkëputje nga Europa u rikthye për të riviatuar kufijtë brenda saj. Nëse mendoni se serbët po festojnë shumë fitoren e Donald Trump kjo do të thotë se keni harruar gëzimin e tyre për fitoret e W Bush dhe Barack Obama.
Nuk ka dyshim se Presidenti Obama e ka nisur uke premtuar çangazhimin më të madh të mundshëm, madje edhe duke e vënë në zbatim atë. Kosova dhe Ballkani u la qartazi në dorë të europianëve. SHBA ka luajtur një rol tërësisht të dorës së dytë, duke ndërhyrë vetëm kur europianët ngecnin në ndonjë pikë. Brukseli u bë skena ku ndodhnin ngjarjet rajonale, dialogu mes Serbisë dhe Kosovës, afrimi në BE i Maqedonisë, Bosnjes dhe Malit të Zi etj. Takime të tjera rajonale kanë ndodhur në Berlin. Po ka qenë absurd të imagjinoje Presidentin Obama të thërriste në Washington gjashtë apo shtatë udhëheqës ballkanas së bashku për një forum si bëri Kancelarja Merkel. SHBA është tërhequr shumë nga Europa, kohë përpara se të shfaqej në horizont Presidenti Trump.
Obama u tall me rivalët e tij McCain në 2008 dhe Romney në 2012 që e paraqitën Rusinë si rrezik për Amerikën. Sot, ai është në një mendje me ta, ndonëse nuk ka kërkuar ndjesë për mungesë llogaritje të kërcënimit dhe trajtimin tallës që u bëri kundërshtarëve të tij në betejat zgjedhore presidenciale.
Në fund, të presidencës së tij, Barack Obama duket se është penduar për largimin e tij nga Europa Lindore. Sanksionet kundër Rusisë, denoncimi ndaj ndërhyrjes në Ukrainë dhe premtimi për hakmarrje ndaj spiunazhit aktiv në zgjedhjet amerikane janë shembuj të një kthese shumë të vonuar.
Shumë po flitet për paqen e re në Siri, sesi Rusia, Irani dhe Turqia e lanë jashtë Amerikën, po e vërteta është që SHBA nuk kishte më vullnetin për të ndërhyrë. Amerikanët në përgjithësi nuk duan një luftë tjetër dhe një vend që nuk dëshiron të luftojë nuk mund të jetë më i angazhuar. Ndoshta sot Obama është penduar edhe që nuk ndërhyri në Siri, po tani është shumë vonë.
Kështu vijmë të Donald Trump. Edhe ai si paraardhësit e tij po premton largimin amerikan nga Europa. Nuk është i sigurtë nëse duhet më NATO. Nuk e pranon se është Rusia fajtore për zhvillimet në Ukrainë etj. Nuk pranoi të përgjigjej nëse do t’i mbronte vendet balltike me armë në rast agresioni rus, siç e kërkon Neni 5 i Aleancës Atlantike.
Misteri që vjen me presidentin Donald Trump
Trump, ashtu si Clinton, W Bush dhe Obama po vjen me premtimin për të mos u marrë me shqiptarë e me serbë po vetëm me konfliktet madhore për amerikanët. Raportet me Kinën, me Rusinë, me terrorizmin etj.
Tradita e do që me kalimin e viteve ai do të ndërgjegjësohet për rrezikun rus dhe do të riafrohet me politikat e hershme të presidentëve Reagan e Bush i Vjetër. Po deri atëhere afrimi me Rusinë do të jetë realitet. Obama që në ditët e para urdhëroi prishjen e planeve për vendosje të mbrojtjes bërthamore në Poloni e Çeki. Trump mund ta fillojë me njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë dhe me detyrimin e Ukrainës që të bëjë një paqe të shëmtuar në shkëmbim të ndihmës së madhe ekonomike.
Këto janë sigurisht thjesht hamendje. Ajo që dallon Trump nga presidentët e tjerë të lartpërmendur është edhe sfida që po i bën institucioneve që janë në fuqi në botë që prej fundit të Luftës së Ftohtë. Ai nuk po e shpërfill rrezikun rus, ai po e përqafon atë si diçka të mirëpritur.
Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Amerika u shpall udhëheqëse e Botës së Lirë. Kjo detyrë nuk e tërheq më Presidentin Trump. Gati 70 vjet histori mund të jetë duke mbaruar. Bota e Lirë në fund të fundit solli tregëtinë pëtej kufijve që rrënoi industritë amerikanë në kërkim të krahut të lirë të punës në Azi.
Trump sheh garën me Kinën si më shqetësuese për epokën tonë dhe jo kërcënimin rus të natyrës së shekullit 19. Ai sheh më me shqetësim vendimet ekonomike të Kinës sesa ato bërthamore të Rusisë. Se çfarë do të thotë kjo do ta tregojë vetëm koha. Disa po flasin për një aleancë ruso-amerikane kundër Kinës. Po janë të gjitha hipoteza.
Në këtë pikë, se çfarë ndodh me Kosovën e Serbinë, Bosnjen e Maqedoninë, mund të jetë një çështje anësore nga pikëvështrimi i Uashingtonit. Largimi i pranisë së fuqive të mëdha nga Ballkani ka sjellë tragjedi të mëdha në shekullin 20. Shqiptarët dhe popujt e tjerë kanë arsye të ndjekin me shqetësim trajektoren e vëmendjes dhe angazhimit ndërkombëtar amerikan. Shpresa është se angazhimi më i madh në Azi, do të vijë me kërcënimin për të mos prekur stabilitetin në Ballkan, të paktën përkohësisht.
Ndoshta Shekulli Amerikan do të pasohet nga një shekull i dytë në Ballkan e Europë. Nëse jo do të mbetemi duke vrarë mendjen nëse mund të kishim fituar më shumë, nëse mund të ishim treguar më vizionarë apo më ambiciozë. Apo ndoshta duhet t’i gëzohemi fatit që fituam edhe aq sa mundëm he të shpresojmë se fitoret nuk kanë qenë afatshkurtra e festa e parakohshme. Ballkani nuk është vetëm me ekuacione nacionaliste e kombëtare. Paqja kërkon demokraci e të drejta të njeriut, tregëti e bashkëpunim mes shteteve, dëshirë për paqe e ambicje për begati ekonomike.
Serbia ankohet se shqiptarët morën maksimumin në Kosovë, po shqiptarët aty janë të pakënaqur që veriu mbetet i shkëputur, që serbët kanë kaq shumë të drejta, që komunitetet janë të barabarta pavarësisht nga numrat. Maqedonasit dhe shqiptarët nuk janë të kënaqur as nga Marrëveshja e Ohrit e as nga zbatimi i saj për arsye diametralisht të kundërta. Çdo shtet, pa asnjë dallim, me secilin prej fqinjëve, përsëri pa asnjë dallim, e ka nga një problem serioz. Kjo paqe e papërkryer që mbretëron në Ballkan që prej 15 vjetëve nuk ka lënë asnjë të kënaqur tërësisht. Mirëpo, të vetmet zgjidhje funksionale që njeh historia janë pikërisht këto, të ndyrat me padrejtësi. Kujtimi i tmerreve të viteve 90 dhe i tragjedisë në Halep të Sirisë duhet të bëjë të mendohet mirë këdo që imagjinon një rikthim te lufta e te imponimi i vullneteve të njëanshme. Ekuilibrat e padrejtë që ekzistojën sot në Ballkan mund të fillojnë të vihen në provë pas 20 janarit, kur të bëjë betimin Presidenti Trump, sidomos nëse premtimi i përsëritur për largimin amerikan, fillon kësaj radhe të bëhet vërtet realitet.