Shkrimtari dhe poeti i njohur, Visar Zhiti, komentoi në një intervistë për “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, vendimin e SHBA për të shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha.
Si ish-demokrat dhe si qytetar, Zhiti tha se nuk e dëshiron një vendim të tillë për Berishën, dhe se e shqetëson.
Por, më tej, ai shtoi se demokracia që u krijua pas komunizmit, ishte “sa e ëndërruar, po aq e pabukur, po aq me shqetësime, edhe me mashtrime, zhgënjime, por ne i gëzoheshim lirisë, gëzoheshim që po zbulonim vetveten, që po krijonim një pronë, ishim të zhveshur. Kjo solli dhe një korrupsion galopant, një luftë politike të egër”.
PYETJA: Ju jetoni në SHBA, një vend që e ka shpallur “non grata” ish-kryeministrin Berisha, a mund të kem një koment për këtë dhe të gjitha zhvillimet në PD…
Zhiti: Është një pyetje e vështirë. Më vjen keq që ne i kërkojmë kujtdo, gjithçka. Kjo do specialistin, njeriun e dosjeve, të punës. Unë e çmoj seriozitetin institucional të SHBA, është etalon i demokracisë dhe lirisë botërore, i punëve serioze dhe punëve të mëdha, një pararojë e botës. Kuptohet dhe atje, në ecurinë e tyre, ka probleme, që ata i dinë dhe i ngrenë mes tyre. DASH është shumë serioz, duhet të mendosh thellë të thuash ‘e besoj apo jo’. Unë si qytetar dhe si pjesë e atij krahu të përvuajtur, që iu bashkua duke u thirrur më afër nga forcat demokratike, nuk e dëshiroj një gjë të tillë, më shqetëson si qytetar, por kam vështirë të jap një mendim, sepse nëse marrëdhëniet e mia personale me emrat që përmendet ju kanë qenë jo vetëm normale, por shumë të mira, edhe një bashkëpunim dinjitoz, nuk do të thotë se unë i di gjërat. Kritikat që ne kemi pasur si qytetarë të gjithë së bashku për demokracinë që po ndërtohej, natyrisht të bën të mendohesh, a ishte kjo demokracia që duhej, a ishte kjo ajo që ëndërruam. Ëndrra nuk arrihet kurrë, zotësi është të ëndërrosh, jo t’i arrish. Demokracia që ndërtuam ne ishte sa e ëndërruar, po aq e pabukur, po aq me shqetësime, edhe me mashtrime, zhgënjime, por ne i gëzoheshim lirisë, gëzoheshim që po zbulonim vetveten, që po krijonim një pronë, ishim të zhveshur. Kjo solli dhe një korrupsion galopant, një luftë politike të egër, një media në shërbim të pushtetit dhe anasjellas. Do të thosha që ka shpërdorim në demokracinë tonë.
Në ç’kushte e shihni ju sot PD, sa e dëmtuar është nga të gjitha këto që po ndodhin?
Zhiti:Aq sa mund të jetë shqetësuese dhe e rënduar gjendja, aq mund të mendohet lehtësuese dhe zgjidhëse. Pa një tronditje të tillë, gjërat ndoshta do të shkonin me ato pakënaqësi me ato gabime, dhe kur gabimi sjell gabimin krijohet kultura e gabimeve. Duhet shpëtuar nga kultura e gabimeve, PD është një pasuri kombëtare, pasuri e mëndesisë së shqiptarëve dhe e veprimit të shqiptarëve për të bërë një jetë ndryshe, për të bërë një vend ndryshe, një Atdhe ndryshe. Në dolëm nga një diktaturë, alarmante, nga një parti moniste, që prej makijazheve diti të bëjë lëvizjet e duhur, diti të bëjë edhe ndryshimet e duhura. Kurse PD erdhi si një klithmë e si një ëndërr që Shqipëria të bëhej sa më parë, euroatlantike. Nga do vinin këta demokratë, që do bënin këtë gjë. Kuptohet erdhën nga një e kaluar e përbashkët. Kuptohet unë kam frikë ta përsëris, që ne po ndërtonim demokracinë me armiqtë e demokracisë. Duhet të ndërtonim kapitalizmin me armiqtë e pronës private, ata që i kishin futur në burgje pasanikët, tani këta po bëheshin pronarë. Erdhi një liri, bashkë më shpërdorimin e kësaj lirie. Erdhi në demokraci bashkë me karikaturën e kësaj demokracie, ndoshta ishin të pashmangshme. Një tronditje e tillë, unë shpresoj që t’i bëjë mirë demokracisë në vend.
Pse po e dëmton z.Berisha …
Zhiti:Ndoshta janë ato bisturitë që hyjnë mbi trupin e sëmurë për të hequr tumorin. Me këtë nuk kam parasysh cili po i bën këtë aksion, kam parasysh aksionin në vetvete.
Pse po e dëmton ish-Presidenti Nishani .. .
Zhiti:Nuk e di nuk kam punuar me të, e solli rasti të propozohesha në një detyrë në Vatikan, sic e kujtuat. Gjë që habiti edhe të huajt, unë jam thirrur nga ambasadori italian për të më dhënë vizën për të ikur në Itali. Nuk kam një herë që grupet parlamentare të të gjitha krahve të jenë dakord me një figurë. Ai që duhet të ishte përbashkuesi ai del kundra dhe mua më dha shijen që ky njeri nuk vepron për idealin. Ky njeri e shpërdoroi fatin që i dha Shqipëria dhe lëvizjet e tij janë vetëm në interes të tij dhe interesi i tij nuk është interesi im, nuk është interesi i Shqipërisë, apo i demokracisë. Në këtë drejtim më vjen keq që u përqëndruam te një njeri, por te njerëzit si ky janë dëmi i madh i vendit.
Sa ju ka mbetur peng që nuk mundët të shkonit ambasador në Vatikan?
Zhiti:Jo, absolutisht nuk kam asnjë peng. Unë shkova në Vatikan, mirënjohës atyre që ma besuan këtë punë, dhe bëra të njëjtën punë. Unë po të isha ambasador nuk do gjeja Papë tjetër, gjeta një pritje të mrekullueshme, rëndësia ishte e jashtëzakonshme për vijimin e jetës sime. I vetmi peng mund të jetë ajo që a munda ta shpërblej atë që mu besua. Puna ime në Vatikan është vlerësuar edhe nga këtu edhe nga sekretaria e shtetit atje. Pata fatin e madh që në atë kohë u shenjtërua Nënë Tereza. Edhe pse i vetëm, me goditje apo pengesa klanore të këtejshme, arrita të bëj një punë të mrekullueshme dhe u lumturuan 38 martirë, bashkëvuajtës të mi edhe pse mund të mos kem qenë në të njëjtën kohë në burg. Pra, unë isha në këtë kohë. Na zuri edhe 25 vjetori i rivendosjes së marrëdhënies diplomatike me Vatikanin, pata fatin të jem në këtë periudhë e të zbuloj mrekullinë vatikanase.
Ju do të largoheni në fillim të tetorit..
Zhiti:Po do të shkoj në shtëpinë tjetër, atje ku punon edhe ime shoqe. Nuk e pranoj si sentiment fjalën largim, është një mbartje në shtëpinë tjetër. Dua të kuptohemi nuk është se kam një shtëpi tjetër, apo kam bërë ndonjë pasuri. Jam ndër më të varfërit, nuk kam ndonjë pasuri, por pasuri quaj nëse Shqipëria është më e mirë, ka një demokraci të vërtetë, një liri të vërtetë.
Dhe thoni .. ‘Doja t’i ikja një makthi dhe erdha në SHBA si ai që kërkon t’i dorëzohet një ëndrre, kemi me vete historinë tonë’ …
Është ajo që folëm, tronditja, përcarja që e quajtët ju, që unë mendoj të dalë një gjë më e mirë. PD të jetë vërtetë parti demokratike, është si ajo perla që krijohet mbi guacka, krijohet mbi një plagë. Perla që e dimë aq të bukur, ajo perlë që vezullon, ajo është plagë në fakt. Pra, plaga kthehet në perlë në ato guacka, është një mësim shumë i bukur që plagët t’i kthejmë në perlë, në vlerë.
Për t’ju kthyer librit, një formë e shkruari shumë origjinale, që të bën ta prekësh nga afër, ajo që unë ju pyes është: A ka një letërsi tjetër?
Është e vetmja pyetje që dëshiroj të më bëhet dhe e quaj veten me fat në këtë bisedë. Kuptohet është një studim teorik, se letërsia është një e tërë e përbashkët dhe të gjithë autorët janë si ata lumenjtë që derdhen në det dhe letërsia është një pasuri e një vendi e një gjuhe. Kushtet, rrethanat ne kaluam një traumë gjysmë shekullore, diktatura krijoi me dhunë realizmin socialist, një letërsi që duhet t’i shërbente jo letërsisë, por diktaturës sic është propaganda, për fat të keq ajo u realizua. U bë një letërsi që nuk ishte më letërsi, po ishte në shërbim të një sistemi totalitarist jo në shërbim të emocionit njerëzor të letërsisë në vetvete. Por njeriu siç e kujtuat edhe ju me këtë libër, ka atë qëndresën dhe e ka dhënë zoti qëndresën, të jetë njeriu edhe kur nuk të lejojnë rrethanat të jesh njeri. Dhe u shkruajt edhe një letërsi tjetër, në kushte të tjera, në kushte burgu, në kushte internimi. Nga ata autorë që mund të mos ishin në burg apo internim por në shtëpitë e tyre, ëndërronin një letërsi të lirë, të vërtetë, me emocionin artistik që i takon të ketë letërsia. Tani pas ’90 dolën që ka vepra të tilla. E kam thënë, kam edhe botimet e mia, e kam rrëfyer që ‘kjo letërsi tjetër’ është pjesë e gjithë letërsisë, vjen të zëvendësojë atë që ishte, vjen të sjellë vetveten të tregojë atë që s’e kishte treguar ajo. Shqipëria për fat ka sjellë një letërsi tjetër të shëndetshme, të begatë të moralshme, me emra martirësh, poet dramaturg, romancierë dhe duhet të gjejë më shumë hapsirë, më shumë vend, në tekstet e shkollës, klimën letrare nga kolegët. Latinët kanë një shprehje, ‘sado i pasur qofsh, nuk e blen dot të kaluarën tënde’, në s’kemi cfarë i bëjmë asaj të kaluare. Prej asaj vetëm duhet të nxjerrim mësim dhe të shpëtojmë nga retorika e të rrëfyerit të vuajtjeve tona, sepse edhe jemi bërë të bezsdishëm. Ne vuajtjes duhet t’i nxjerrim vlerën, t’i nxjerrim mësimin. Vuajtjen duhet ta tregojmë nën urdhrin suprem se ajo ishte e vërtetë, por për të mos u përsëritur, c’ishte e keqja dhe t’i besojmë e ta duam e ta kultivojmë për më tej, c’ishte e bukur dhe fisnike.
A keni ju një mësazh për politikanët?
Nuk i jap vetes aq shumë të drejta, që të jap mesazhe apo këshilla. Ne jemi në të njëjtën varkë dhe s’di si të them.. mesazhi është : Ta duan më shumë vendin jo si mundësi për t’u pasuruar prej tij, por për ta pasuruar atë dhe kështu jemi pasuruar të gjithë sëbashku. Për një politikë më njerëzore, më normale, jo një politikë klanore dhe të egër, që të mos ta duam tjetrin, pozitë ose opozitës, sepse po e bën ai ose sepse po e thotë ai, por ta shohim c’është e vlefshme për të gjithë. Kjo është e mundur. Nëse më lejoni të them një porosi hebraike, në formë anekdodike:
Në një varkë dikujt i shkrep të nxjerrë thikën dhe të rrëmojë vendin e varkës ku është ai, edhe e pyesin,
– Çfarë po bën..
– Po bëj një vrimë’-i thotë.
– Si po bën një vrimë, po ajo do fusë ujë,- i thonë.
– Po c’keni ju, po e bëj atje ku jam unë, jo atje ku je ti”- i thotë.
Por, varka është e përbashkët dhe ujin e fut keq për të gjithë. Në këtë drejtim, ndoshta këshilla më e mirë do të ishte ajo që thuhet se e ka thënë Churchill që, politikani mendon për zgjedhjet e ardhshme, por burri i shtetit mendon për ardhmërinë. Ju lutem mendoni për ardhmërinë, do të thosha! BW