Nga Jakin Marena
Kronikat e emetuara në ekranet televizive, në mediat e shkruara e sociale, janë të mbushura me lajme që bëjnë fjalë për arrestime e deri vrasje të të rinjve të cilët kanë gjetur rrugën më të lehtë dhe të shpejtë për t’u pasuruar: trafikun e drogës, nga hashashi tek kokaina, brenda dhe jashtë vendit. Duke përshpejtuar kështu dhe arritjen e shpejtë të “finishit” të jetës në disa raste, por dhe mbylljen në qeli apo dëbimin në rastin më fatlum.
Kronikat e lajmeve pastaj bëhen emisione televizive që mbajnë të zënë çdo mbrëmje qytetarët shqiptarë dhe mes tyre dhe të rinjtë, të cilët më shumë se sa një rrezik dhe një shembull për të mos u marrë e shohin si një rrugë për të ardhmen e tyre për pasurim më të shpejtë, për një jetë me makina të shtrenjta e shpenzime marramendëse, pa përjashtuar as femrat e bukura dhe të shoëbizit brenda kësaj jete.
Dhe teksa dëgjojnë tjerrjen e lajmit në formë telenovele nga panelet televizive, të shtuara shumë kohët e fundit, duke u dhënë njerëzve të krimit statusin e një VIP-i, përmes jetëshkrimeve që nga lindja e deri në vrasjen e parë apo rrugën e parë të drogës e deri në vdekjen e tij të jetuar si ‘mbret’, nga ndonjë pusi, goditje nga makina apo në rastin më të keq nga ndonjë eksploziv i komanduar pasi kanë shkelur mbi dhjetra viktima më parë, në mendje këtyre të rinjve që janë në “metrat” e parë të jetës u mbeten vetëm të mirat e kësaj pune: Jeta e luksit. E shkurtër mund të thotë dikush, por në mendjen e gjithkujt s’ka asnjëherë vdekje për të. Ajo i ndodh tjetrit, jo atij.
Eshtë trishtuese kur nëpër “shtëpitë e barit” në Britani, Spanjë, madje dhe në Itali, nuk shkojnë vetëm ata që kanë hall bukën e gojës, as ata që janë të pashkollë. Përkundrazi, të paktën deri më tani që kemi lexuar dhe dëgjuar nëpër media apo rrjete sociale, kemi parë përfshirje në masë të të rinjve që kanë pasur një nivel të mesëm e deri të lartë jetese, apo pjesa më e madhe e tyre janë të shkolluar me mastër, madje dhe në sistemin e drejtësisë dhe ku në një vend normal duhej të ishin gjyqtarë e prokurorë. Aq më tepër që në Shqipëri, me një mungesë të theksuar prokurorësh dhe gjyqtarësh, ku puna është e garantuar për ata që kanë rezultate të larta.
Por jo. Pjesa më e madhe e këtyre të rinjve kanë marrë vendimin për të lëvizur drejt vendeve të BE dhe bërë punën e “çirakut” në“shtëpitë e barit”, të transportuesit të kokainës apo heroinës e deri tek elementët e tjerë kriminalë. Kjo është një situatë e tmerrshme. Akoma më tragjik është argumentimi i të rinjve që kanë zgjedhur këtë rrugë.
“Kush pret të punojë tre vite në një punë për të pretenduar më pas kalimin në magjistraturë dhe marrë emërimin në gjyqësor apo prokurori. Janë 6 vite të shkuara dëm. Aq më tepër që nuk të lënë të vjetrit që kanë krijuar monopol mes tyre duke kapur tërë sistemin e drejtësisë, por dhe monopol familjar, pasi fëmijët e tyre janë ata që marrin magjistraturën dhe vendet më të mira. Kohë e humbur”, është argumentimi i të rinjve që kanë mbaruar juridikun dhe që tashmë jetojnë në Angli, Spanjë apo Itali duke u kujdesur për “shtëpitë e barit”, duke fikur dhe ndezur dritat në këto shtëpi, qoftë dhe me koston e një dëbimi apo burgu gjashtë mujor nëse kapen.
Justifikime të këtij lloji sipas rastit ka dhe për të rinjtë e tjerë, të cilët i janë bashkuar kësaj marrëzie kolektive që po zbraz vendin nga pjesa më vitale e shoqërisë. Po largohet e ardhmja.
Më ka shokuar biseda me djalin e një mikut tim. Ishte i shkëlqyer në mësime dhe babai i tij, meqë kishte të ardhura të mesme kishte menduar ta dërgojë në një shkollë private, nga më të mirat në vend. Kishte menduar të paguajë që në fillim për shkollën në privat, dhe jo të paguante çdo pedagog pervers në universitetet shtetërore, sa për të marrë një notë apo dhe për të kaluar. Më vjen keq ta them por sipas shumë studentëve disa nga profesrorët as që të shohin dhe as nuk dëgjojnëse çfarë thua por të shohin vetëm nga duart, apo brenda fletës së provimit të lëndës përkatëse, se sa euro ke lënë.
Djali për të cilin po flasim ndjehej keq sa herë shkonte në universitetin privat, ku ishin mbledhur fëmijët e një pjese të “bllokmenëve” të rinj të politikës, biznesmenëve që të vetmin biznes kanë paratë e përfituara nga shteti shqiptar përmes tenderimeve, apo dhe ish zyrtarëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit, drejtësisë apo të policisë.
Ndjehej keq pasi të gjithë këta bashkë-studentë të kamur vinin me makina luksoze personale në shkollë, kishin para xhepi një mijë euro, dhe bënin një jetë luksoze marramendëse. Ndërsa djalin për të cilin po flas e çonte i ati në shkollë, me një makinë allasoj, dhe nga “turpi” i thoshte që ta linte sa më larg portës së shkollës ku studionte. Ndjehej i vrarë, i bullizuar dhe pse jo ndoshta dhe në heshtje gjykonte dhe të atin, një zyrtar të ndershëm që pavarësisht se kishte dy punë dhe paguhej mirë, nuk ishte në gjendje t’i siguronte një makinë luksoze që ta kishte dhe ai si të tjerët dhe shpenzime të tjera që të rinjtë e sotëm kanë dëshirë të bëjnë si versnikët e tyre të kamur.
Ishte dhe një “këmbanë” për mua që dëgjoja në heshtje dhe që fëmijëve të mi nuk kisha mundur t’ia realizoja asnjë nga këto gjëra luksoze. Ai djali më tha se i bënte pushimet vajtje-ardhje në Gjirin e Lalzit, por që sivjet ishte keq, nafta kishte shkuar shumë lart. Më këputet shpirti me tha ky bashkëbisedues i pazakontë i ri, kur shoh vilat e njerëzve të politikës që nga Lalzi, në Qerret, e deri në jug të vendit, të atyre njerëzve që marrin ndoshta vetëm 20 mijë lekë të reja zyrtarisht më shumë se sa babai, ndërkohë që vilat u kushtojnë deri në 2 milionë euro. Më këputet shpirti kur vijnë fëmijët e tyre nga studimet jashtë vendit, kur tregojnë mes shokësh se si kaluan në lokalet më luksoze të Londrës, jetën mondane atje dhe jetesa në shtëpitë e marra me qira nga ana e prindërve të tyre apo shumëkush me shtëpitë e tyre në mes të Londrës.
Pse të pres më shumë më tha, babai im nuk fiton dot para më shumë se pagat, sikur 10 paga të marrë nuk del. Pres sa të mbaroj të lartën, që të mos i thyej zemrën prindërve por do iki, do merrem me gjithçka që të bëj lekë, dhe të jetoj një jetë si të tjerët që njoh. “Shpresoj ta kaloj sa më lehtë me ligjin në këto vende, pasi do jem njëherë viktimë e zbatimit të ligjit. Por ama, atë copë jetë do ta jetoj siç duhet”, më tha jo pa dhimbje.
I përmenda këto për të thënë se çfarë traumë përjetojnë në rinjtë tanë, me prindër që kanë të ardhura modeste, rroga shteti dhe ku nuk u kap asgjë “sqepi” nga paratë e shtetit për të përfituar në mënyrë të paligjshme, kur shohin moshatarët e tyre me prindër që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve, kanë pranuar ryshfete nga bota e krimit, që kanë vila, makina luksoze dhe bëjnë një jetë përtej takatit financiar për një rrogtar shteti. Qoftë dhe President!
E thënë në mënyrë më të thjeshtë, janë pikërisht këta “bossët”,“mullahët” apo “bllokmenët” e rinj të politikës, biznesit apo dhe të krimit që kanë shtrirë uzurpimin e pronave me paratë tona që nga Gjiri i Lalzit apo nga Velipoja e deri në Sarandë, ata që po keq-orientojnë rininë shqiptare për të braktisur vendin me shpresën e një pasurimi të shpejtë dhe të lehtë, qoftë dhe duke u marrë me veprimtari të paligjshme, që nga trafiku i drogës e deri tek veprimet e tjera ordinere joligjore. Pa përjashtuar këtu dhe ndonjë përfaqësues të medias, të cilët kanë gjetur “parajsën” duke shërbyer fort në favor të parelinjve të ardhur nga çdo fushë, dhe përfituar vila, prona, makina e shtëpi luksoze, e deri duke pastruar borxhet nëpër godinat e lojrave të fatit apo pastruar paratë e të fortëve. Qoftë dhe jashtë sistemit bankar!
Kjo ka sjellë dhe deformimin e shoqërisë shqiptare, që përballet me një diz-nivel të theksuar të jetesës, ku njerëz që hynë pa brekë në politikë, “hanin bukë e djathtë tre herët e ditës” e tashmë nuk dinë as vetë se ku i kanë paratë. Përdorin deri në 300 mijë euro përnjë seancë operacioni plastik, apo shkojnë njëherë në muaj në SHBA në vizita private, dhe shkollojnë fëmijët e tyre në shkollat më të shtrenjta të Londrës dhe të SHBA. Me para nga “rrogat” e shtetit kuptohet. Dhe këtu nuk flas për ata që kanë bërë biznes për vite të tëra dhe pastaj i janë futur politikës, por për ata që kanë deri në 30 vite në politikë apo zyrtarë të lartë dhe pa asnjë biznes të deklaruar të “thyejnë” kokën më pasuri, të vënë në mënyrë të pandershme e që na kanë marrë dhe erzin para gjithë botës.
Në këtë këndvështrim, mendojmë se SPAK ka një detyrë të vështirë përpara: Dalja mbi veten dhe hetimi i këtyre pasurive, pasi jo vetëm do të godisnin krimin në Shqipëri, por do të shpëtonin dhe rininë tonë nga psikologjia e pasurimit të lehtë dhe të shpejtë duke tentuar të imitojnë këta “mullahët” e Lalzit, Sarandës, Bregut apo deri në Velipojë.
Do na shpëtonin dhe ne prindërve nga sikleti, përballë fëmijëve tanë, të cilët kanë të gjithë të drejtën e Zotit të “mendojnë” se kanë prindër të paaftë apo siç përdoret rëndom, nuk i kanë “të zotë dhe bij kurvash” që të marrin ndonjë lek përtej rrogës së tyre. Sa më shpejt aq më mirë. SPAK ashtu sikur mori dëshminë e tërë fshatit për një rast në Jug të vendit një ditë më parë, le të marrë dëshmitë e njerëzve të thjeshtë në Lalz, Qerret, Breg e Sarandë, dhe e kanë të sigurtë që dhe me foto do të japin në mënyrë të detajuar çdo informacion për vilat e njerëzve të politikës, sa kanë kushtuar, kush i ka bërë, kur është hedhur dora e fundit, si janë hedhur në oborr pemët dekorative, sa mace apo qen kanë.
Madje do të japin me hollësi informacione për ministra dhe ish ministra se kujt ia kanë dhënë me qira vilën, sa e kanë dhënë, e sa herë në vit vijnë vetë, të ‘maskuar’ me kapele dhe syze të mëdha për të marrë qiratë. Por dhe kush bos i krimit ua ka dhuruar apo ia ka shitur me letra badihava. Vetëm vullnet duhet, gjë që sëpaku për momentin pak ekziston i plotë te drejtësia e re shqiptare. Të shohim në të ardhmen!
Sakte, ke percjelle qarte ate qe mendojne shume prej nesh; nderkohe SPAK – eshte ne vegjetim.