Ndonëse numri i të prekurve nga koronavirusi në vendin tonë ka arritur në 76, qytetarët duket se nuk i tremben aspak.
Pas orëve të mëngjesit të cilat ishin të qeta, rreth orës 11:00 qytetarët durrsakë janë ‘dyndur’ në treg për të bërë pazare pa asnjë lloj mbajtjeje distance. Një neglizhencë vihet re edhe në bregun e detit. Teksa apeli i të gjitha autoriteteve shnëndetësore është për të qëndruar në shtëpi, qytetarët duket sikur kanë vendosur një kompromis midis vetes dhe virusit për të dalë dhe shëtitur buzë detit. Askush nuk ka një maskë dhe askush nuk shëtit i vetëm, por të shoqëruar në 2 ose më shumë persona.

7 të infektuar në qytetin e Fierit nuk i kanë trembur aspak qytetarët, të cilët vijojnë të lëvizin lirshëm sikur asgjë nuk kanë ndodhur. Tregjet dhe marketet janë plot e përplot, me qytetarë që nuk respektojnë as minimumin e rregullave, as maska, as doreza dhe mbi të gjitha nuk ruajnë as distancën.

Një pamje drithëruese, skandaloze vjen nga tregu në Vlorë. Nuk i ngjan aspak as një dite normale, me njerëz që nuk kuptojnë se Shqipëria është prekur nga pandemia botërore dhe është shumë e rrezikuar nga koronavirusi. Njerëz që janë ngjitur me njëri-tjetri, pa maska dhe doreza, grupe-grupe, vijojnë të blejnë produkte ushqimore, të pashqetësuar aspak nga ky virus.

Edhe në Lezhë, fluksi i qytetarëve sot në tregjet e fruta-perimeve nuk është parë ndonjëherë as nga vetë tregtarët. Në pikat ushqimore, të fruta-perimeve dhe furrat e bukës ka fluks të lartë njerëzish të cilët prisnin në radhe për t’u furnizuar. Në shumicën e rasteve qytetarët qëndrojnë ngjitur me njëri-tjetrin, duke mos respektuar rregullat për t’u mbrojtur nga coronavirusi. Lezhjanët thonë se nevoja për t’u furnizuar me ushqime dhe ilaçe i ka detyruar të dalin nga banesat.

Një pamje të shëmtuar dhe mjaft të rrezikshme për shëndetin e gjithë shoqërisë ofroi qyteti i Lushnjes këtë mëngjes. Tregu i fruta perimeve që në orët e para të mëngjesit ishte i mbushur me njerëz, ngjitur me njëri-tjetrin në grumbullime masive, pa ruajtur distancën që të ruan nga marrja e COVID-19 nëse dikush është i infektuar.
Orarin e lejuar për të qarkulluar, qytetarët lushnjarë e kanë keqkuptuar duke tejmbushur tregjet me shumë se sa në ditët normale. Radhë të gjata ka pasur edhe për të kryer pagesat.

Edhe pse Korça ishte ndër të parat qytete që shfaqi ndërgjegjësim total, përgjatë dy ditëve të fundit situata ka ndryshuar. Problematikë mbeten oraret kur lejohet lëvizja e qytetarëve. Një pjese dalin për plotësimin e nevojave bazike, por nuk respektojnë asnjë masë mbrojtëse, por ka dhe nga ata që shëtisin e mblidhen grumbuj. Sot situata është më e qetë krahasuar me pasditen e djeshme, por duket se qytetarët nuk janë ndërgjegjësuar mjaftueshëm që duhet të ruajnë distancë.











