Një 34-vjeçar, person me precedentë të mëparshëm penale, është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda në makinën e tij në qytetin e Fierit ditën e sotme. Shkak për ngjarjen dyshohet të jenë konfliktet mes autorit dhe viktimës, pasi këtij të fundit i është bërë atentat edhe më parë.
Mbi trupin e 34-vjeçarit janë derdhur disa plumba kallashnikovi, ndërsa mësohet se nga 30 të shtënat në drejtim të mjetit të viktimës ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër. Ky i fundit, drejtues i mjetit 38 vjeç, është dërguar në spitalin e Fierit për të marrë ndihmën mjekësore.
34-vjeçari Nelgert Pata, nga Tepelena, është vrarë me armë brenda në makinën e tij tip “Volksweagen” me targë AA166IY.
Sakaq, bëhet me dije se në fshatin Zhupan të Fierit është gjendur një makine e djegur, tip Benz me portobagazh, që dyshohet se është e autorit ose autorëve të vrasjes.
NELGERT PATES IU BE ATENTAT NE TIRANE NE GUSHT
34-vjeçarit nga Memaliaj, Nelgert Pata, i është bërë atentat më 21 gusht tek një lokal te “Rruga e Kavajës”. Nelgert Pata kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga burgu ku vuante dënimin për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe dyshimet e para për atentatin u lidhën me të shkuarën e tij kriminale.
Por pas hetimeve, burime nga Policia e Tiranës thanë se plagosja e Nelgert Patës, i shpallur në kërkim për veprën penale “moskallzim krimi”, lidhet edhe me vrasjen e 1 majit në lokal “De Niro”, ku u ekzekutua Elton Çiço. Për shkak të një njohje të vjetër që 34-vjeçari Pata ka me Jani Aliaj dhe Renato Milloshi, autorë të dyshuar për vrasjen e Çiços, policia dyshon se ai ka bashkëpunuar nga burgu për vrasjen e tij.
Më 21 gusht Nelgert Pata u qëllua me armë zjarri ku sipas burimeve, u lëndua lehtë në vesh. Menjëherë pas të shtënave, autorët por edhe i lënduari u larguan nga vendngjarja. Policia shoqëroi 2 shtetas kosovarë të cilët më pas rezultoi se nuk kishin lidhje me ngjarjen./bw/a.k