Princesha Sofia e Suedisë është përmendur në dosjet Epstein, sipas e-mail-eve të publikuara së fundmi nga mediat suedeze. Dokumentet sugjerojnë se ajo është ftuar në ishullin privat të Jeffrey Epstein dhe se e ka takuar atë disa herë.
Princesha Sofia, sot 41 vjeçe, ishte ish-modele dhe konkurrente në reality show, përpara martesës me princin Carl Philip në vitin 2015. Sipas gazetës Dagens Nyheter, ajo e ka njohur Epstein-in në vitin 2005 përmes sipërmarrëses suedeze Barbro Ehnbom.

Në një e-mail, Ehnbom e prezanton Sofian si një aktore aspirante që sapo kishte mbërritur në Nju Jork. Në një tjetër mesazh, Epstein shprehet se ndodhej në Karaibe dhe i ofron asaj një biletë për ta vizituar. Familja mbretërore suedeze ka deklaruar se princesha e ka refuzuar ftesën për në ishullin Little Saint James.

Megjithatë, Pallati Mbretëror ka konfirmuar se Sofia është takuar me Epstein-in në disa raste rreth vitit 2005. Sipas deklaratës zyrtare, ajo nuk ka pasur asnjë kontakt me të gjatë 20 viteve të fundit.
Një tjetër e-mail përmend një ofertë të Epstein-it për ta ndihmuar Sofian në fushën e aktrimit. Edhe këtë pretendim, Pallati Mbretëror e ka mohuar, duke e quajtur informacion të pavërtetë.
Autoritetet mbretërore nuk kanë dhënë detaje mbi vendin apo arsyen e takimeve me financierin e dënuar për krime seksuale ndaj të miturve.











