Ministrja e Arsimit, Mirela Karabina ka kallëzuar sekretarin e institucionit Plarent Ndreca, pasi sipas saj nënshkroi një kontratë në kundërshtim me ligjin.
Kallëzimi është bërë për shkak se Ndreca në kundërshtim me aktet ligjore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka firmosur si Titullar i Autoritetit Kontraktor për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit një kontratë me operatorin ekonomik “Albdesign PSP”, sh.p.k., me objekt: Loti I: “Shtypja dhe botimi i dëftesave, regjistrave, dhe revistës “Mësuesi”’, me fond limit 8’600’937 (Tetë milion e gjashtëqind mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë) lekë pa TVSH.
Përdorimi abuziv i titullit “Titullari i Autoritetit Kontraktor të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, jemi të bindur se përbën vepër penale.
Konsiderojmë se vazhdimi i ushtrimit të paligjshëm të funksioneve shtetërore nga ana e shtetasit Plarent Ndreca është shpërdorim i hapur i detyrës me pasoja të rënda ligjore dhe financiare për Institucionin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Buxhetin e Shtetit.
Ministri i Arsimit dhe Sportit është i vendosur të denoncojë çdo rast që cenon funksionimin e institucionit, shpërdorimin e fondeve të buxhetit të shtetit si dhe akte të korrupsionit, në institucionin që ajo drejton. /b.d










