Zyrtarët gjermanë kanë bërë të ditur se kafka e Friedrich Wilhelm Murnau, regjisorit të cilin bota e kujton nga filmi “Nosferatu”, filmi i parë horror për vampirët nga viti 1920, është vjedhur nga varri i tij në Gjermani.
Olaf Ihlefeldt, menaxheri i varrezës në Stahnsdorf në afërsi të Berlinit, ka thënë se të hënën është vërejtur vjedhja e pazakontë e kafkës. Ai vuri në dukje se është vështirë të caktohet saktësisht kur është vjedhur kafka, duke theksuar se vjedhja ka ndodhur ndoshta në mes të 4 dhe 12 qershorit. Gjithashtu nuk është e qartë nëse dikush me qëllim e ka vjedhur kafkën e regjisorit të filmit “Nosferatu”.
Siç tha menaxheri i varrezës, gjatë vjedhjes nuk janë bërë dëmtime të mëdha në sipërfaqe të varrit. Friedrich Wilhelm Murna është varrosur pranë dy vëllezërve të tij varrezat e të cilëve nuk janë dëmtuar gjatë vjedhjes. Policia ka nisur hetimin në mënyrë që të identifikohen autorët e mundshëm.