
Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se pas përfundimit të izolimit nga Covid-19, tek qytetarët dhe te mjekët ra vigjilenca disi dhe kjo shtoi rastet e të infektuarve me koronavirus.
Brataj tha se gjithsesi duhet vlerësuar puna e mjekëve që punojnë 24 orë për qytetarët, duke shtuar se duhej më shumë monitorim të situatës pas daljes nga izolimi për shkak të pandemisë.
“Disi njerëzit u qetësuan fillimisht. Ka natyrisht një rritje të të infektuarve. Unë jam treguar kritik ndaj kolegëve. Dalja nga situata e koronavirusit shkaktoi një relaksim tek bluzat e bardha. Kjo ulje e vigjilencës çoi në këtë infektim më të lartë në numër të njerëzve.
Duhet të bëhet puna vetë, pa pritur që të vijnë kontrolle. Ulja e vigjilencës në spitale apo në institucione të tjera është e pafalshme. Por nga ana tjetër janë njerëz që janë sfilitur, punojnë me turne për 24 orë. Duhet që të monitoronin situatën, në rast se shikojnë se çfarë po ndodh, duhej kontrolluar gjithçka”, tha Brataj.











