Presidenti Barack Obama i argëtoi të pranishmit në mbrëmjen e fundit të tij me korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë.
Jo vetëm gazetarë, por edhe politikanë, aktorë, këngëtarë e modele ishin të pranishëm në një gala tradicionale, e mbushur plot me shkëlqim, por mbi të gjitha plot me batuta.
Presidenti amerikan është ylli i mbrëmjes dhe batutat e tij pushtojnë faqet e para të gazetave.
Kjo ishte mbrëmja e fundit e Barack Obama-s si president dhe ai nuk mund të mos lëshonte një batutë për të ardhmen.
“Nëse ky material funksionon, do ta përdor tek Goldman Sachs vitin tjetër,” tha presidenti, duke aluduar se mund të punojë për bankën e njohur.
Batutave të tij nuk u shpëtoi as kandidatja për presidente e demokratëve, Hillary Clinton.
Ai tha se përpjekjet e saj për të apeluar tek të rinjtë për vota janë si ai i afërmi yt, që sapo ka hapur një llogari në Facebook.
“E dashur Amerikë. E kuptove batutën time? Ka dalë në murin tuaj? Nuk e di nëse po e përdor këtë siç duhet. Me dashuri, halla Hillary,” tha Obama, teksa bënte zërin e një femre.
Më pas ai u tall me kandidatin republikan për president, Donald Trump, që refuzoi të ishte i pranishëm.
“E habitshme. Kemi një dhomë plot me kamera dhe njerëz të famshëm dhe ai thotë jo. Çfarë po bën ndërkohë ai? Po ha një biftek Trump? Po poston fyerje online?”.
Presidenti tha se përvoja e Trump në politikën e jashtme është e diskutueshme.
“Ai ka kaluar vite të tëra duke takuar njerëz nga mbarë bota, Miss Suedinë, Miss Argjentinën, Miss Azerbajxhanin”.
Më pas ai u tall më zëvendëspresidentin Joe Biden.
Duke sjellë në vëmendjen incidentin e famshëm të Dick Cheney-t në gjueti, Obama tha: “E dua Joe Biden. Dua ta falenderoj. Veçanërisht që nuk ka qëlluar ndokënd në fytyrë”.
Obama u tall edhe me republikanët dhe kaosin që po shoqëron fushatën e tyre, ndërsa ka thirrje mes tyre që Paul Ryan të shpallë kandidaturën.
“Shihni konfuzionin me ftesat. Njerëzve iu kërkua të sqarojnë nëse duan biftek apo peshk, por një turmë e tërë shkroi: duam Paul Ryan-in”.
Obama më pas u tall me veten e tij.
“Po numëroj ditët deri sa të vdes”.
Ai tha se liderët botërorë e respektojnë gjithmonë e më pak. Si shembull solli princin e vogël të Britanisë.
“Javën e shkuar u takuam me Princin George. Ai ishte me pizhama. Kjo ishte një goditje në fytyrë”.
Më pas një batutë për të shoqen, Michelle.
“Mund të keni dëgjuar se dikush javën e shkuar kaloi gardhin e Shtëpisë së Bardhë. Duhet të respektojmë Shërbimin Sekret. Ata gjetën Michelle-n dhe e kthyen”.
Presidenti e mbaroi fjalimin me stil, teksa hodhi mikrofonin.