Mbrëmjen e kaluar, pati një përplasje të fortë mes zv/presidentit amerikan Mike Pence dhe kandidates demokrate, Kamala Harris. Kjo e fundit, akuzoi presidentin Donald Trump, se ka dështuar si asnjë tjetër më parë, në administratën presidenciale.
Por ndryshe nga debati Trump-Biden, dueli i Pence dhe Harris, ishte shumë më i qetë. Nuk pati ndërprerje të herëpashershme apo ofendime. Në një moment që Pence ndërhyri, Harris me qetësi tha:
“Zoti nënkryetar, unë jam duke folur”.
Tema kryesore e debatit prej 90 minutash, ishte e fokusuar te pandemia e koronavirusit. Harris akuzoi Pence dhe presidentin Trump, se kanë mashtruar amerikanët për shifrat e viktimave. Ndërsa Pence, akuzoi Biden dhe Harris, se po kopjojnë strategjinë e Shtëpisë së Bardhë për pandeminë, informon dritare.net.
Kur Harris u pyet nëse do të merrte vaksinën kundër koronavirusit, nëse ajo do të ishte gati para zgjedhjeve ajo u përgjigj:
“Nuk kam ndërmend të marr një vaksinë, nëse nuk aprovohet nga profesionistët”.
Një tjetër moment që mori vëmendje në përballjen e tyre, ishin trazirat racore. Kujtojmë që Harris, po shënon një moment historik, duke u bërë gruaja e parë me ngjyrë, që kandidon për postin e nënpresidentit.
Por ndërsa debati vijonte ashpër mes Pence dhe Harris, ata nuk ishin të vetëm që gumëzhinin në sallë. Një mizë qëndroi në kokën e Pence për 2 minuta. Ky moment bëri xhiron e rrjetit.
g.kosovari