Intensifikohen kontrollet policore për respektimin e masave anti-Covid edhe në urbanë.
“Kontrollet intensive në të gjithë vendin janë përqendruar edhe në linjat urbane dhe interurbane të transportit publik”, bën me dije policia.
Nisur nga rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19, efektivët e Policisë Rrugorë në të gjithë vendin, mësohet se kanë riorganizuar shërbime të posaçme për kontrollet në mjete, mbi përdorimin e maskave dhe kapacitetet e caktuara sipas protokolleve të miratuara nga organet përkatëse.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, në linjat urbane dhe interurbane janë gjobitur me nga 3.000 lekë, 283 shtetas, nga të cilët 85 në Tiranë.
“Duke vlerësuar transportin publik qytetas si një transport me risk të lartë infeksioni, efektivët kanë ushtruar kontrolle në linjat kryesore të transportit publik urban dhe interurban, së pari për ndërgjegjësimin e stafit të punonjësve që janë në këto mjete, mbi rëndësinë që ka zbatimi i masave mbrojtëse ata, si dhe për kapacitetin e pasagjerëve në mjet dhe përdorimin e barrierave mbrojtëse nga ana e tyre.
Gjatë kontrolleve, në orët e pikut të ngarkesës, kryesisht në kryeqytet janë konstatuar mangësi dhe neglizhencë në përdorimin e barrierave mbrojtëse, si nga drejtuesit, ashtu edhe nga pasagjerët. Krahas këshillimeve nuk kanë munguar masat ndëshkuese për pasagjerë apo drejtues mjetesh që nuk mbanin barrierën mbrojtëse në mjetet e transportit publik.
Përgjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, në linjat urbane dhe interurbane janë ndëshkuar me masë administrative me nga 3.000 lekë, 283 shtetas, nga të cilët 85 në Tiranë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët që të respektojnë me rigorozitet masat kufizuese anticovid”, thuhet në njoftimin e Policisë.
g.kosovari