Një aksident i rëndë trafiku i ndodhur mesditën e së hënës në kilometrin 537.5 të autostradës Egnatia, në pikën e pagesës Iasmos, ka shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e rëndë të dy të tjerëve. Ngjarja ndodhi kur një kamion u përplas me dy makina, të cilat ishin të ndalura në radhë.
Pas përplasjes, një prej automjeteve shpërtheu në flakë. Në këtë makinë udhëtonin katër shtetas shqiptarë, banorë të Athinës: një burrë 59-vjeçar, një burrë 61-vjeçar, një grua 57-vjeçare dhe një grua 49-vjeçare, shkruan Protothema. Tre prej tyre u karbonizuan, ndërsa gruaja 49-vjeçare arriti të dalë vetë nga makina, duke marrë lëndime të rënda. Shoferi bullgar i kamionit gjithashtu raportohet të jetë plagosur rëndë.
Në aksident ishte i përfshirë edhe një automjet tjetër, ku udhëtonin katër shtetas grekë, të cilët shpëtuan me lëndime të lehta dhe u dërguan në spitalin e Komotinit.
Si pasojë e aksidentit, zjarri u përhap edhe në tokat bujqësore pranë autostradës. Forca të shumta zjarrfikësish, 22 zjarrfikës me 9 automjete, së bashku me 3 ambulanca dhe policinë, mbërritën menjëherë në vendngjarje për të ndihmuar dhe për të menaxhuar situatën.
Për shkak të aksidentit tragjik, autoritetet bllokuan përkohësisht autostradën dhe devijuan trafikun në rrugë alternative. Pas orës 16:00, qarkullimi i automjeteve u rikthye në normalitet. Zjarrfikësit nxorën tre trupa nga automjeti i djegur, të cilët u morën nga ambulancat e EKAB.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të kësaj tragjedie rrugore.
View this post on Instagram











