Miss Universe Kosova, Tuti Sejdiu ka tronditur mediat në Shqipëri dhe Kosovë me historinë e saj të dhimbshme të fëmijërisë. Ajo ka rrëfyer sesi është marrë në moshën 13-vjeccare dhe është përdhunuar e trafikuar nga disa persona.
Në një intervistë të fundit për “Prive”, ajo ka zbuluar se trafikimi është bërë nga një fqinji i saj që e ka marrë në Kosovë për ta trafikuar në Serbi. Miss Universe Kosova ka treguar se në ditën e tetë pas rrëmbimit e shpëtoi Interpoli dhe e dërgoi në Kosovë.
“Komshiu im më dhunoi dhe më trafikoi nga Kosova në Serbi. Në atë kohë unë isha fëmijë 13 vjeç dhe nuk e kuptoja gjithçka dhe gjuhën serbe nuk e di e nuk e kam ditur as atëherë. Në ato momente e kam kuptuar se diçka nuk ishte në rregull.
Mirëpo ditën e 8, kur shkova në Serbi më shpëtoi Interpoli dhe më solli në Kosovë pranë familjes time. Unë atë kapitull e kam mbyllur nuk merrem me të shkuarën, po luftoj vetëm për t’u vendosur drejtësi. Kur më mori Interpoli më çoi në një qendër rehabilitimi dhe pastaj erdhi familja më mori. Po për t’i kaluar ato ditë dhe ato vite më është dashur të bëjë shumë sakrifica për t’i tejkaluar këto sfida. Por sfidat të bëjnë shumë të fortë”, ka rrëfyer Sejdiu.
Ajo ka një përgjigje edhe për kritikët që e akuzojnë se e ka treguar këtë histori për të marrë famë dhe për tu viktimizuar. “E tregova historinë e jetës për dy arsye: babain tim që ka kërkuar drejtësi dhe t’ju tregoj gjithë femrave se ne nuk duhet të heshtim, por ta mbajmë kokën lart dhe të flasim”,-tha ajo./m.j