Kreu i qeverisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale, ka ndarë pamje nga vazhdimi i aksionit të lirimit të hapësirave publike në vendin tonë, në mënyrë që ato t’u rikthehen qytetarëve në funskionin e tyre primar.
Krahas pamjeve, Rama shkruan: Ecim pa ndalim, ndoshta për të vënë në theks se aksioni nuk është thjesht diçka momentale, por që do të vijojë deri në fund, ashtu siç ai ka premtuar më herët.
Kjo nuk është hera e parë që Rama ndan pamje nga prishja e objekteve pa leje, apo shembja e të gjitha atyre strukturave që kanë zënë hapësirat publike me qëllime përfitimi, kryesisht këtu përfshihen lokalet.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike nisi në muajin korrik dhe është shtrirë në mbarë vendin. Madje, qeveria ka ngritur edhe një aplikacion, “Hapësira Ime”, ku qytetarët mund të raportojnë rastet e zënies së hapësirave publike. Deri më tani janë bërë rreth 8 mijë e 700 raportime, prej të cilave janë zgjidhur më shumë se 3 mijë e 800.











