Gjykata e Kukësit pritet të japë sot masën e sigurisë për 5 nga 6 të arrestuarit për laboratorin e heroinës në fshatin Brenog të Hasit para tre ditësh. Masa e sigurisë pritet të jepet për Xhevit e Anila Shuti, Mustafë Shuti, Flamur Bisho Çela e Vehbi Barushi.
Të arrestuarit mbërritën në orën 12:00 në Gjykatën e Shkalles së parë të Kukësit nën masa të forta sigurie. Caktimi i masës pritet të behet nga gjyqtari Rexhep Karaj.
Prokurori i çështjes, Etmond Karriqi ka kërkuar ‘arrest me burg’ për të 5 të ndaluarit e këtij rasti, të cilët akuzohen për posedim, përpunim e trafikim të lendeve narkotike në bashkëpunim. Mbrojta e të pandehurve është marrë përsipër nga avokatet Aurora Guska e Domenika Gjergji.
Sipas policisë në këtë operacion janë vënë në pranga 6 persona, një prej të cilëve biznesmen turk si dhe 3 prej të cilëve nga familja Shuti, në banesën e të cilëve u gjet laboratori i drogës.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar një sasi prej 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës.
Kjo lëndë dyshohet se ka ardhur nga Turqia. Me ndihmën e disa shtetasve nga Gjakova, të identifikuar nga policia, ajo mbërrinte në këtë fshat të Hasit ku kthehej në heroinë. Dyshimet e policisë janë se me pas ajo transportohej për në Durres me destinacion final vendet e Evropës.
a.ç









