Një nga themeluesit e Partisë Demokratike që nga 1990, përkatësisht kreu i PD-së së Shkodrës, Xhevdet Amuli ka sulmuar ashpër Sali Berishën, një javë pas takimit të tij në qytetin verior.
Gjatë një interviste në televizionin lokal Star Plus ka deklaruar se Sali Berisha është fajtor i krizës së shkaktuar në vitin 1997 me firmat piramidale.
I pyetur për zgjedhjet dhe përgatitjet që po bën Partia Demokratike e Shkodrës, kryetari Amuli ka bërë të ditur se aktualisht janë rreth 17 kandidatura në radhët e demokratëve ku nuk përjashton as veten.
Kryetari i PD Shkodër foli edhe për qëndrimin e kryetares së bashkisë Voltana Ademi dhe përkrahjen e Foltores së ish kryeministrit Sali Berisha.
“Shqipëria, më shumë se ja ka parë sherrin piramidave dhe vitit 1997, nuk ja ka parë as monizmit. Nuk kam asnjë koment për Voltana Ademin, por ajo nuk është konsultu me degën e PD-së për qëndrimet e saj.
Ka kohë që qëndrimet e saj janë të paqartë. Ka 3 vite që ka ndërtuar struktura paralele, e duket e ka ditur këtë situatë, së bashku me zotin Bardh Spahia”, tha Amuli.
Sipas tij, Bardh Spahia dhe Voltana Ademi kanë qenë më të kontestuarit e bazës së PD.