Departamenti i Administratës Publike ka sjellë sot në vëmendjen dëshminë e Anastasi Shakaj e cila është punësuar në fazën e parë të punësimit të ekselentëve.
Anastasi Shakaj është e punësuar prej mëse një viti pranë Drejtorisë së Mirëadministrimit të Burimeve Njerëzore, Aseteve dhe Shërbimeve në Ministrinë e Arsimit, menjëherë pas mbarimit të studimeve në Universitetin e Tiranës.
Ajo tregon se si ishte procesi i aplikimit në platformën “punetembare.al”
Duke u shprehur se në fillim ishte skeptike, ekselentja Shakaj thotë se gjithçka u zhvillua shkurt, shpejt dhe saktë.
“Unë jam Anastasi Shakaj. Kam studiuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Sot kam titullin Specialist pranë Drejtorisë së së Mirëadministrimit të Burimeve Njerëzore Aseteve dhe Shërbimeve. Në fillim kam qenë shumë skeptike, por gjithçka u zhvillua shkurt shpejt saktë”, shprehet ajo.
Në thirrjen e parë të punësimit të ekselentëve nëpërmjet aplikimit në platformën “punetembare.al”, u punësuan 459 ekselentë për periudhën 11 janar deri në 14 mars 2019.
Ndërkohë DAP ka hapur thirrjen e dytë për punësimin e studentëve ekselentë, ku të gjithë ata me mesatare 9.00-10.00 mund të aplikojnë pët t’u punësuar pranë administratës publike.
“Je student ekselent si Anastasi? Dëshiron të punosh në administratën shtetërore? Mund të aplikosh tani në Thirrjen II, dedikuar punësimit të ekselentëve. Nëse je diplomuar nga viti 2015 e në vijim, me mesatare 9.00 – 10.00 apliko në platformën punetembare.al. Afati i aplikimit 20 shtator 2019”, -bën apel Departamenti i Administratës Publike.
Falë thirrjes së dytë, çdo student i shkëlqyer në rezultate akademike që është në kërkim të një vendi pune mund të aplikojë në platformën ‘punetembare.al’ për t’u punësuar pa konkurs, ku në Tiranë ofrohen pjesa më e madhe e vendeve të punës.
Referuar të dhënave të Departamentit të Administratës Publike janë 219 vende vakante në total prej të cilave 110 vende vakante në Tiranë, 109 vende vakante në 17 qytete të tjera të vendit në 90 institucione shtetërore.
Kështu, qyteti që mban shifrën më të lartë me vende të lira pune është Tirana me 110 vende e ndjekur nga Shkodra me 18 vende vakante dhe Fieri me 12 të tilla.
“Berat 3, Dibër 9, Durrës 7, Elbasan 6, Fier 12, Fushë-Krujë 6, Gjirokastër 4, Kavajë 1, Përmet 1, Sarandë 2, Shkodër 18, Tiranë 110, Vlorë 7, Kukës 11, Lezhë 4, Lushnje 6, Mat 1”, -janë vendet e lira të punës për ekselentët sipas Departamentit të Administratës Publike.
Të interesuarit mund të aplikojnë deri në 20 shtator 2019. Fituesit përfitojnë një përvojë pune 1 vjeçare, por gjithashtu do t’iu jepet mundësia të konfirmojnë pozicionin e tyre të punës duke kapërcyer mungesën e eksperiencës gjatë fazës së rekrutimit me konkurs.
Punësimi i ekselentëve në administratë është një proces i nisur në kuadër të Paktit për Universitetit dhe nismës “Administrata që Duam”. / ATA
g.kosovari











