Gazetarja Dorjana Bezat që ka sjellë pamje nga vendi ku ishte vendosur eksplozivi, referuar burimeve policore, raporton po ashtu se hoteli ishte në pronësi të një personazhi të njohur për botën e krimit, Ervin Matës. Biznesmeni Ervin Mata u përfshi në vrasjen që ndodhi në lokalin “Monopol” në zonën e ish-Bllokut, mbrëmjen e 4 tetorit 2018.
Ervin Mata u vetëdorëzua në Polici më 2 mars 2019 pasi prej 6 muajsh kërkohej nga autoritet për vrasjen që ndodhi në zonën e ish-Bllokut, ku pas një përplasje me armë mbeti i vrarë Fabjol Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.
Biznesmeni Ervin Mata ka mohuar që të ketë qëlluar me armë, apo edhe me grusht. Arratinë për gati 6 muaj, ai e argumentoi me faktin se ishte larguar pasi ishte i frikësuar.
Biznesmeni prej kohësh ishte i fejuar me këngëtaren e njohur shqiptare Elvana Gjata, një lidhje e cila mesa duket ka marrë fund tashmë.
Ndërsa lokali afër hotelit të Matës, ishte në pronësi të shtetasit Klevis Gozhita.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 30.05.2020, rreth orës 22:40, në një rrugicë të ndërmjetme midis një lokali dhe një hoteli në rrugën e “Dibrës”, ka shpërthyer një sasi e dyshuar si lëndë plasese.
Si pasojë e shpërthimit nuk ka asnjë të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale tek të dy objektet.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.