Zlatan Ibrahimović nuk ndalet së shënuari gola. Kudo ka luajtur, ai ka qenë “lokomotova” e skuadrës përkatëse, një pikë referimi brenda dhe jashtë tapetit të blertë. Deklaratat e tij bombastike, herë pas here, kanë bërë me shpejtësi të madhe xhiron e mediave botërore. Po ashtu, edhe sfidat e tij për kolegë të ndryshëm, që janë përqafuar më pas nga mjaft futbollistë të njohur, por jo vetëm. Nuk e keni harruar besojmë sfidën e “tapës së shishes” (Bottle Cap Challenge). Kësaj radhe, gjiganti suedez ka ndryshuar version të ushtrimit që kryen me topin dhe lëvizjet e krahëve.
Ai e ka quajtur “Matrix Challenge” sfidën, duke e personalizuar, për realizimin e së cilës fton këdo. Me siguri, si në sfidën e parë, Paul Pogba do të jetë i pari që do t’i përgjigjet, sepse njihen “shkëndijat” e këtij lloji mes të dyve, edhe në distancë. Mbetet të presim e të shohim të gjithë ata që “vihen në rresht” për ta kryer këtë ushtrim të ndërlikuar, si përgjigje ndaj Ibrës. Me siguri, si në rastin e “Bottle Cap Challenge”, edhe kjo nismë do të bëhet shumë “virale”…
g.kosovari











