Një bandë shqiptare që vepronte në Galicia duke kryer grabitje të shtëpive luksoze është shkatërruar nga Garda Civile.
Garda Civile, në kuadër të operacionit Bizanti, shkatërroi një organizatë kriminale shqiptare të specializuar në vjedhjen e bizhuterive dhe parave në shtëpitë luksoze në Galicia dhe pjesë të tjera të Spanjës.
Gjashtë persona, përfshirë kreun e grupit kriminal u arrestuan.
Hetimet filluan pas zbulimit në Villamartín de la Abadía (León) , gjatë Krishtlindjeve 2023, të një automjeti të vjedhur në Itali.
Brenda makinës u gjetën mjete të përdorura për kryerjen e krimeve kundër pronës, si dhe targa kombëtare dhe të huaja.
Banda vepronte në disa vende evropiane.
Anëtarët e grupit kriminal përdornin mënyra të sofistikuara komunikimi dhe targa të falsifikuara.
Sipas mediave të huaja, grupi kishte kryer 16 grabitje në 30 ditë.
Në kuadër të operacionit u kryen pesë kontrolle në shtëpi në Barcelonë, Tarragona dhe Toledo, ku u gjetën prova të shumta të veprimtarisë kriminale, përfshirë edhe sende të vjedhura që tashmë u janë kthyer pronarëve.