Eni Çobani ka reaguar përmes rrjeteve sociale për videon e tre fëmijëve të raportuar të braktisur në Durrës. Juristja e rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan tha se rastet që nënat pas divorcit apo ndarjes të jenë në gjendje jo të mirë ekonomike për shkaqe të ndryshme, janë të shumta.
Çobani shprehet se videoja e publikuar nga gjyshja e fëmijëve është e rëndë. Pasoja ka qenë te nëna, e cila është kthyer në një objekt kritikash, por palët duhen dëgjuar për të vlerësuar situatën.
Çobani përgëzoi edhe masat e ndërmarra nga bashkia e Durrësit për tre fëmijët. Konkretisht u vendos që menjëherë fëmijëve t’u dërgoheshin veshmbathje në spital dhe të gjitha medikamentet për trajtimin e sëmundjes. Do të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i banesës. Familja do të ndihmohet që ta zhvendosë regjistrimin nga Vau i Dejës (pasi me letra janë banorë të Malësisë së Madhe) dhe të regjistrohen si banorë të Durrësit. Duke u bërë banorë të Durrësit, bashkia do ta regjistrojë në listën e atyre që do të strehohen në banesa sociale.
Nënës, nëpërmjet Zyrës së Punës, do t’i ofrohet “sërish një punë dinjitoze në mënyrë që të mos punojë 16 orë sikundër pretendon, por 8 orë në mënyrë që të mirërrisë fëmijët e saj”, thuhet në njoftim. Jo vetëm kaq, nënës gjithashtu do t’i ofrohen kurse prindërimi në funksion të mirërritjes së fëmijëve. Ajo do të jetë nën kontroll mbikëqyrës për mbarëvajtjen e familjes.
Çobani tha se këto masa tregojnë që është besuar te nëna dhe kjo është tepër e rëndësishme.
“Kam ndjekur që është bërë edhe një mbledhje pranë bashkisë përkatëse ku janë marrë disa masa dhe gjëja që më ka pëlqyer më shumë është që ata kanë vazhduar duke besuar te nëna. Është shumë e rëndësishme të besosh te nëna. Nëna është një njeri shumë i shtrenjtë, shumë i dashur që flasim për ditë, orë, por nga ana tjetër harrojmë që dëmtojmë kur flasim rëndë për nënat, edhe për baballarët patjetër, por nëna është një faktor shumë i rëndësishëm e cila e mban bashkuar familjen dhe të degradosh një grua, një nënë, përpos gjithë gabimeve që mund të ketë, por ajo ka sjellë në jetë tre fëmijë dhe besoj që asaj i dhemb shumë fati i fëmijëve të saj.”
Ajo thotë se faktorët që kanë ndikuar në situatë mund të jenë gjendja psikologjike e nënës, ekonomia e dobët, vetmia dhe ndjesia e të qenit e papërkrahur. Çobani thekson dëmin që ka sjellë videoja dhe bën thirrje për fshirjen e saj nga rrjetet sociale për të mos krijuar trauma të mëvonshme për fëmijët.
“Për mua ajo video patjetër duhet hequr nga rrjetet sociale, është një dëm i jashtëzakonshëm i bërë drejt atyre fëmijëve, kështu që unë do t’i bëja një thirrje gjyshes, me gjithë dashurinë e pamatë për të, për dhimbjen e saj sepse asaj i dhemb, i ka fëmijët e djalit të sja, por para se ajo të nxirrte këtë video dhe unë nuk i di qëllimet dhe objektivin e saj, mund ta marr me mend, por sigurisht që unë nuk jam ajo, ajo e përfaqëson veten vetë, nuk besoj që ka bërë gjënë e duhur. Sigurisht, ajo videon edhe mund ta bënte dhe mund ta çonte pranë organeve të cilat të merrnin masa për të zgjidhur këtë problem. Edhe njëherë, i bëj një thirrje nëne, pastaj juristeje, por për ta parë më me dashuri sepse ajo është më e madhe, më e pjekur, ajo është gjyshe dhe ajo duhet të ndihmojë fatin e kësaj vajze dhe kryesisht të këtyre fëmijëve të vegjël, të mitur, të cilët të ndodhur përpara kësaj drame të jashtëzakonshme, nuk e di sesi do të jenë ata nesër, kështu që duhet të bëjmë shumë kujdes.”
Juristja ofroi ndihmën e saj për ndërmjetësimin e nënës dhe gjyshes së fëmijëve që të shkohet drejt zgjidhjes së problemit në interesin më të lartë të të miturve. Çobani shprehu edhe ndjesitë e saj lidhur me ngjarjen që e ka përlotur dhe thotë se veprimi i gjyshes është i pakonceptueshëm, teksa duhet treguar empati ndaj nënës.
“Unë vetofrohem për të ndihmuar dy zonjat për të gjetur një zgjidhje me objektivin për mirëqenien dhe jetën më të mirë të fëmijëve. Ne duhet të mendojmë për ata që do të vijnë nesër, për ata fëmijë që nesër do të bëhen prindër dhe kur të shikojnë këtë video dhe ata janë të pjekur e do të jenë në një moshë për të vlerësuar nënën, gjyshen, babain dhe të gjithë ata të cilët i rrethojnë, ma merr mendja që do të kemi një reagim jo të mirë prej tyre dhe sigurisht, një traumë të jashtëzakonshme. Çdo gjë rregullohet në qoftë se ne komunikojmë me njëri-tjetrin. Edhe nëse ka pasur vështirësi në komunikimin midis dy zonjave, mund të gjenin rrugën dhe zgjidhjen. Ka shumë njerëz në këtë vend që sado i vogël, ka njerëz të mirë që zgjasin dorën për të zgjidhur probleme. Unë u vetofrohem nënës së këtyre fëmijëve, gjyshes, rrethit të familjes së tyre për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë dhe për ta lehtësuar më tepër dhimbjen e kësaj familjeje dhe pse jo, për t’u krijuar një të ardhme më të mirë fëmijëve të vegjël që kur i shikoj ashtu të trembur në atë video, realisht më kanë dalë lot. Kam dy ditë që e përjetoj me një emocion të veçantë këtë situatë sepse jemi nuse vetë dhe do ta quaja të palejueshme, të pakonceptueshme sesi nëna e një bashkëshortit, si gjyshja e këtyre fëmijëve të nxjerrë ato video për të treguar që ka një nuse jo të mirë. Ajo nuse është vajza e një familjeje, motra e dikujt që patjetër ka shumë dhimbje, pse mos ta kuptojmë këtë nënë? Pse ka ndodhur kjo gjë? Pse ishte ajo situatë dramatike në atë shtëpi? Kjo vajzë mos ka nevojë për ndihmë, për një krah?”, përmbylli Çobani.











