Një 36-vjeçar është vënë në pranga pasi u kap me kanabis. Policia ka njoftuar se ai kultivonte drogë në një sipërfaqe toke buzë lumit Drin. Uniformat blu kanë shpallur në kërkim një bashkëpunëtor të tij 32 vjeç.
“Në vijim të operacionit, në një sipërfaqe toke buzë lumit Drin, në njësinë administrative Kallmet, janë gjetur bimë të dyshuara narkotike, që dyshohet se janë kultivuar nga shtetasi E. Gj. Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi E. Gj., 36 vjeç, banues në Gocaj, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. M., 32 vjeç, banues në Balldre, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këto veprimtari kriminale”, njoftoi policia.
Sipas policisë, 36-vjeçari i arrestuar kishte edhe një ambient të mbyllur në fshatin Gocaj ku kishte futur lëndën narkotike të tharë.
Policia njoftoi më tej se në vijim të veprimeve procedurale për këtë operacion, “u arrestua në flagrancë shtetasi M. C., 24 vjeç, banues në Balldre, për veprën penale “Moskallëzim krimi”, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi Gj. N., 55 vjeç, banues në Gocaj, me detyrë kryetar i fshatit Gocaj, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës””.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
/a.r