Ndërkohë që një pjesë e madhe e banorëve që preken nga projekti i Unazës së Re, protestojnë prej disa ditësh kundër shembjes së banesave, njëri prej tyre ka vendosur që t’i shembë vetë objektet e tij.
Bëhet fjalë për Ukë Çelkolajn, i cili i premtoi kryebashkiakut Veliaj se nuk do të bëhej pengesë për zhvillimin e projektit të zgjerimit të “Unazës së madhe”.
Në një video të publikuar nga kryeministri Rama, Çelkolaj deklaron se po të jetë mirë Tirana, jemi mirë të gjithë, shkruan javanews
“I dhashe fjalën kryetarit si burrat dhe e mbajta fjalën, i prisha vet objektet. Po të jetë mirë Tirana, jemi mirë të gjithë. Nuk kemi arsye të dalim kundër projekteve dhe kundër zhvillimit përderisa kjo është në të mirë të gjithë banorëve të Tiranës dhe Shqipërisë”, deklaroi Ukë Çelkolajt
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një reflektim qytetar, vendimin e Çelkolajt, i cili, sipas kryeministrit, zgjodhi të kontribuojë për zgjidhjen e ngërçit të sajuar artificialisht tek Unaza e Re
“MIRËMËNGJES dhe me këtë reflektim qytetar të Ukë Çelkolajt, i cili zgjodhi të kontribuojë për zgjidhjen e ngërçit të sajuar artificialisht tek Unaza e Re, duke dhënë një shembull kuptimplotë për të gjithë bashkëqytetarët e atij komuniteti, ju uroj një ditë të qetë”, shkruan Rama/Javanews/a.ç