
TIRANA
Një 19-vjeçar nga Kosova, Uranik Agushi është arrestuar së fundmi nga Policia e Tiranës pasi u kap duke drejtuar mjetin pa leje si dhe kishte edhe armë zjarri me vete.
19-vjeçari madje ka tentuar të largohet nga patrulla e Policisë me vrap, duke braktisur edhe mjetin, por u kap bashkë me armën që dispononte.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Në lidhje me arrestimin e shtetasit U. A. që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, të cilit gjatë kontrollit fizk iu gjet një armë zjarri, ju informojmë se:
Shtetasi U. A., nga verifikimet e mëtejshme të kryera nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me ILECU Kosovë, ka rezultuar se ishte person në kërkim për llogari të Kosovës, për veprën penale “Vrasja e mbetur në tentativë”.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë urdhër-arrestin për këtë shtetas, i cili i është dërguar Interpol Tiranës, me qëllim ekstradimin e tij drejt Kosovës.
Ky shtetas, në muajin shtator 2020, në një spital në Prshtinë, ka goditur me thikë në tentativë për ta vrarë një doktor të spitalit, duke e plagosur rëndë.
Sqarojmë se shtetasi U. A., në momentin e ndalimit nga ana e Policisë Rrugore, për kontrollin e dokumentacionit, ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur së bashku me armën e zjarrit, gjatë ndjekjes nga partullat e përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë.
ILECU Kosovë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, vijon punën për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Kosovës.