Aksioni i policisë dhe forcave RENEA në Lazarat është ndjekur hap pas hapi nga kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako.
Në operacionin e fundit për arrestimin e dy vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko, të dyshuarve kryesorë për organizimin e sulmit me armë në Lazarat dhe vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha gjatë aksionit është përdorur dhe helikopteri për lokalizimin e tyre. Në video e shpërndarë nga Policia e Shtetit tregohet një pjesë e mirë e këtij operacioni të forcave RENEA.
Ndërkohë Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka dhënë paraditen e së hënës masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Klodian Selimi.
Selimi akuzohet si pjesëmarrës në të ashtuquajturin “grupi i zjarrit” në Lazarat, që i mori jetën efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha.
Më vonë gjatë ditës e njëjta gjykatë pritet të japë edhe masat për anëtarët e tjerë të këtij grupi, Elvis Boçin dhe Dervish Gabën.
Ndërsa të martën do të jepet për vëllezërit Aliko, të konsideruar si përgjegjësit kryesorë për hapjen zjarr ndaj uniformave blu.









