Autoritet Kombëtar i Ushqimit, në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore dhe në vazhdim të masave për disiplinimin e tregtimit të mishit, bllokoi të hënën në qarkun e Vlorës një sasi mishi në njësinë e tregtimit me administrator shtetasin Pajtim Gjoshi. Gjatë momentit të inspektimit nga AKU, u zbulua një karkasë mishi qengji e pavulosur dhe e papajisur me certifikatë veterinare në sasinë e 5.7 kg.
Ndërkohë në momentin e inspektimit është gjendur në makinën e automjetit më targa AA 483 EC , në pronësi të njësisë së tregtimit, nëntë karkasa me mish qengji të vulosura dhe të certifikuara në masën 60.3 kg mish, të cilat po transportoheshin për konsum njerëzor, jashtë kushte higjieno-sanitare dhe pajisjes me makinë frigoriferike për mishin. Për karkasën e gjetur të pavulosur dhe të pacertifikuar për mishin e qengjit në njësinë e tregtimit nga AKU u mor masa administrative me gjobë 100 mijë lekë të reja.
Gjithashtu për kushte të papërshtatshme të transportit u mor masa tjetër administrative prej 100 mijë lekësh të reja për transport të papërshtatshëm dhe jashtë kushteve higjieno-sanitare. Nga AKU është bërë sekuestrimi i dhjetë karkasave të mishit, si dhe mjetit me të cilin po transportonte kjo njësi tregtimi e mishit në qarkun e Vlorës. Në këtë aksion të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë bashkëpunuar ngushtësisht edhe Policia e Shtetit e Qarkut Vlorë. /ma.me