Policia Rrugore e Tiranës, ashtu si çdo fundjavë ka vijuar aksionin për ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit.
Natën mes të premtes dhe të shtunës, aksioni është përqendruar në autostradën Tiranë-Durrës.
Policia thotë se pavarësisht sensibilizimit të vazhdueshëm, kontrolleve të shtuara përsëri ka drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë duke rrezikuar jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Duke publikuar video, konstatohet një drejtues mjeti me shpejtësi 164 km/orë.
Brenda tre orëve nga ana e policisë janë arrestuar dy drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Gjithashtu janë pezulluar 12 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit në masën që varionte nga 0.28 mg/l deri 0.48 mg/l.
“Duajeni jetën, mbrojeni atë, stop alkoolit në timon, ec ngadalë mos shpejto.
Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor, policia me Radar e Drager është në detyrë”, thuhet në apelin e Policisë.