Partia Demokratike vijon akuzat ndaj drejtorit të Policisë Gjirokastër lidhur me një aksident ndodhur në Memaliaj. Ngjarja është mohuar nga drejtori, ndërkohë policia në njoftimin për aksidentin raportonte se një kalimtar u plagos nga një automjet ende i paidentifikuar që u largua nga vendngjarja.
Gjatë ditës së sotme u publikua një video ku shfaqen momentet e aksidentit. Një mjet BMW i bardhë pasi përplas kalimtarin largohet për disa metra e më pas kthehet. Mjeti nuk qëndron në vendin e aksidentit por largohet në rrugën nga vinte para aksidentit.
Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, ka reaguar lidhur me plagosjen. Sipas Alibeajt ai pas aksidenti është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe ka shkuar në servis për të rregulluar makinën.
Reagimi i plotë:
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjirokastër. Drejtori i Policisë, Lorenc Paganika ka aksidentuar një kalimtar në Memaliaj dhe është larguar nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë as ndihmën e nevojshme qytetarit, por tashmë po tenton të manipulojë ngjarjen. Fatmirësisht qytetari i aksidentuar është jashtë rrezikut për jetën.
Makina e tij pësoi dëmtime nga aksidenti por drejtori nxitoi që ta rregullojë, dhe ka lejuar ekspertimin nga grupi hetimor vetëm pasi makina ka dalë nga servisi, duke tentuar të mbyllë çështjen.
Kjo ngjarje, e gjitha e filmuar, tregon sjelljen e paprecedentë të kreut të policisë së një qarku. Sjellja e këtij kryepolici vërteton gjendjen e Policisë së Shtetit, ku shefat e saj janë mbi ligjin dhe nuk ka asgjë të përbashkët me qindra oficerë të tjerë të ndershëm të Policisë së Shtetit.
Kjo është e vërteta. Policia ka kapitulluar përballë krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe nuk garanton dot sigurinë e qytetarëve. Ky është realiteti i qeverisë së Edi Ramës, me krimin që zotëron vendin, me drogën që blen zgjedhjet, me kryepolicë që nuk duan t’ia dinë për ligjin.
/a.m.










