Një shtetas shqiptar është në mesin e të arrestuarve në portin e La Spezia në Itali, pasi u zbulua një tentativë trafiku ndërkombëtar droge.
Efektivët e Guardia di finanza zbuluan drogën në mes të disa pllakave graniti që kishin mbërritur nga Brazili dhe destinacion kishin një depo në Massa Carrara.
Aty u zbuluan edhe katër “menaxherët”, mes tyre shqiptari që duket se mbante dy emra, me inicialet P.B.L, sipas mediave italiane.
Mësohet se sasia e drogës së sekuestruar është 333 kg kokainë e pastër e cila do i siguronte nga shitja trafikantëve një vlerë prej rreth 100 milion euro.
Nga aksioni i madh i Guardia di Finanza, i zhvilluar në port ku u sekuestrua lënda narkotike dhe u arrestuan katër trafikantë, një italian, një kroat, një shqiptar dhe një brazilian, të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtare droge.
Operacioni, i koduar “Samba 2020”, lindi pasi “Guardia di Finanza” e Spezia-s, kontrolloi kontejnerin. Raportohet se falë analizave përmes pajisjeve skanuese, efektivët kanë zbuluar disa anomali dhe së bashku me doganierët, kanë hapur kontenierin. Brenda tij, u gjet sasia e drogës në 300 paketime, me një vlerë që përllogaritet rreth 100 milion euro.
g.kosovari