Nga Lorenc Vangjeli/
Në një vend si Shqipëria ku triumfi i formës mbi përmbajtjen është një sport i vjetër, flurudha e vezëve mbi shpinën e kryeministrit është kryelajm. Kush goditi, si goditi, e zuri në sup apo i tradhëtoi shënjestra, cila kompani kishte prodhuar vezët, ishin të bardha apo ngjyrë tjetër, tek cili market i lagjes ishin blerë, nderuan me grusht, ishin me xhinse apo me lëkurë, ishte sulm i parapërgatitur apo i çastit; këto e dhjetra pyetje të ngjashme ngacmojnë kureshtjen e një publiku që tashmë ka një privilegj të rrallë. Ai mund të jetë spektator në kohë reale i ngjarjes dhe mund ta ndjekë në ekrane televizivë që transmetojnë live nga vendndodhja, me rrjete sociale që japin dromca të asaj çfarë ndodhi, me analiza të pafundme të të gjitha pyetjeve të mësipërme dhe me gazeta të së nesërmes që merren sërish me të njëjtën ngjarje. Pak ose aspak merr vëmendje thelbi i protestës. I asaj që është drejtuar kundër ligjit për arsimin, por dhe i protestës shumë më të gjerë që ka të bëjë me qeverisjen e vendit. Protesta e pazëshme, nervoze dhe tejet stresuese e shqiptarëve në përgjithësi nuk ka të bëjë me përpjekjet për të rivendosur ligjin dhe shtetin ligjor në vend, siç mundohet shumëkush ta paraqesë. Nuk ka të bëjë as me rezistencën e qytetarit shqiptar që i “pa mësuar me ligjin, lufton kundër formalizimit të ligjit”. Protesta ka të bëjë me standartet e ndryshme të përdorura për të përcaktuar dhe ndarë qytetarin e mirë nga ai i keq. Lufta kundër informalitetit, për shembull, është lajmi i duhur që duhet të dëgjojnë të gjithë dhe ta marrin si një kupon tatimor në heshtje, por jo litari në fyt për të varfërin dhe gosti me të pasurin që bën evazion, që nuk paguan kredi, që prodhon beton për të prodhuar më pas miliona që mbyllin qarkun po tek qeverisja. Nuk ka asgjë të keqe tentativa për të rinovuar parkun qeveritar të automjeteve, por është tmerrësisht e vështirë, e pamundur dhe e kotë t’u shpjegosh shqiptarëve sesa do të rritet cilësia e punës së ministrave nëse do të udhëtojnë me makina të reja. Shkëlqimi i xhamave të tyre të zinj në trafikun e rrëmujshëm të Tiranës, do të jetë thjesht pasqyra për të parë secili nga qytetarët varfërinë vetjake. Dhe për më keq, prodhimi elegant britanik, mund të ketë probleme me vezët e prodhimit vendas.
Ndryshe nga të gjithë lajmet e zakonshme të ditës dhe të shumë ditëve të tjera të ngjashme, ku zakonisht është protagonist me fjalimet e tij të gjatë kryeministri Rama, të hënën ai u bë protagonist me heshtje dhe me shpinën e tij të shënjestruar nga vezët e disa studentëve të zemëruar. Dhe menjëherë zulma e madhe e privatizuesve politikë synoi të marrë tapinë e zemëratës. Kryesisht pati dy qëndrime të ndryshme.
I pari, qeveritar që e trajtonte incidentin me parimin e kontrastit: ata të tjerët të vrisnin nëse i qëlloje me vezë.
I dyti, opozitar që shihte në një akt të tillë të studentëve poshtërim dhe gjunjëzim të të gjithë qeverisjes.
As njëri dhe as tjetri nuk është i plotë. Edhe njëri, edhe tjetri janë të vërteta të pjesshme. Një e vërtetë e tretë, e pjesshme dhe relative si të gjithçka tjetër që tenton të rendë larg gënjeshtrës, mund të jetë e ndryshme nga dy të parat. Nëse studentët e të hënës nuk ekzistonin, ata duheshin shpikur. Si një përpjekje për të shkundur nervin e një shoqërie që duket se e ka lënë fatin e saj në dorë të perëndisë dhe të shumë pak individëve, të cilët nuk lejojnë qarjen edhe kur rrahin. Sipas parimit të kontrastit me qeverisjen e djeshme, të sotmit vetëm të rrahin, të djeshmit vrisnin. Sipas opozitarëve të sotëm, qeveria rreh për të mbrojtur vjedhjen. Këtu ka një ndarje të madhe. Që ka të bëjë sërish me kontrastin: çfarë është më keq, vrasja apo rrahja? Dhe a nuk do të ishte normale që as mos vritej dhe as mos rrihej askush, por thjesht të qeverisej?
Ndoshta fati i keq i të majtës është se duhet të vazhdojë të qeverisë duke mbajtur në shpinë gjithë vulgaritetin e një qeverisje paraardhëse, të paaftë dhe shpesh edhe kriminale. Ndoshta fati i keq i saj është se sëmundja e pushtetit, ajo që bën që kush është në Benz-in qeveritar jeton në një realitet paralel, ka bërë që të kuptohet pak ose aspak temperatura e publikut. Ndoshta fati i saj i keq është pikërisht motoja e zgjedhur: ne nuk jemi më të mirët e mundshëm, por ata që ikën ishin më të këqinjtë e imagjinueshëm.
Gabimi më i madh në politikë është frika për të gabuar. Dhe sidomos kur kjo frikë kushtëzon mosmarrjen e vendimeve të rëndësishme dhe mosmarrjen përsipër të rrisqeve. Ndërhyrja në Lazarat, (ngjan se ka ndodhur në një epokë tjetër), ishte rasti që vërteton se sa më i madh guximi, aq më i madh është dhe suksesi. Sot suksesi i menjëhershëm i qeverisjes së majtë është që të kuptojë jo flurudhën e vezëve të së hënës drejt shpinës së kryeministrit, por të gjejë se ku ndodhen vezët e vërteta të së nesërmes. Ato vezë mbi të cilat janë ulur si klloçka fatale stresi, tensioni, mungesa e vendeve të reja të punës, lufta qesharake politike dhe korrupsioni, kryerja e krimeve të rinj të fshehur mbas mosndëshkueshmërisë së krimeve të vjetra e kështu me rradhë. Qeverisja e një vendi i ngjan trajektores së jetës njerëzore. Një njeri, në adoleshencë kërkon të ndryshojë gjithë botën, në moshë të pjekur kërkon të ndryshojë modelin e kuzhinës dhe tualetit në shtëpinë e tij të re. Në pleqëri, njeriu dhe vetëkënaqësia e tij qëndrojnë gjithë ditën në tualet dhe ndjehen të lumtur kur dalin jashtë. Studentët që qëlluan me vezë shpinën e kryeministrit janë në kufirin që i kapërcen nga adoleshenca në moshë të pjekur, kurse kryeministri i atyre studentëve duhet të përcaktojë moshën e qeverisjes së tij. Kësaj sprove Rama e ka të pamundur t’i kthejë shpinën. Pavarësisht se si artist me kohë të pjesshme që bën punën e kryeministrit me kohë të plotë, shpesh është aleati kryesor në luftën e përditshme shqiptare për triumfin e formës mbi përmbajtjen.