Ambasadori i SHBA-së Donald Lu i është drejtuar selisë së Partisë Demokratike ku po zhvillon një takim me kreun e opozitës Lulzim Basha.
Një ditë para seancës plenare që mblidhet për të votuar ligjin e vettingut, Lu i drejtohet PD-së, e cila këtë të hënë ka depozituar zyrtarisht në kuvend, amendimet e saj për këtë projekligj të rëndësishëm.
I konsideruar si ligji vendimtar i reformës në drejtësi, Vettingu vijon të jetë “molla e sherrit” mes maxhorancës dhe opozitës. Javën e kaluar në mbledhjen e komisionit të posaçëm të reformës, PD nuk votoi projektligjin e Vettingut, me argumentin se devijon nga ndryshimet kushtetuese të bëra më 23 korrik.
Opozita ka një sërë kritikash në lidhje me ligjin në fjalë dhe vetëm një ditë para nisjes së seancës së jashtëzakonshme ka dorëzuar draftin e saj të plotë të amendimeve për këtë draft.
Pavarësisht ngërçit, projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve” kalon me 84 vota dhe koalicioni qeverisës i ka ato./java/a.k
AMENDAMENTET E PD për Vettingun
KERKESA E PD
Në vijim të Amendamenteve për projektligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të depozituara në Kuvend nga kolegu Oerd Bylykbashi, dëshirojmë të theksojmë mosdakordësinë tonë me procedurën aspak serioze të shqyrtimit të tyre nga Komisioni, ku ato u rrëzuan nga mazhoranca pa asnjë argument kushtetues dhe ligjor, edhe pse në thelb të tyre synonin arritjen e gjashtë parimeve themelore.
Konkretisht, amendamentet e paraqituara nga deputetët e opozitës për nenet 1-25, synonin garantimin e: (i) përputhshmërisë së plotë të projektligjit me Kushtetutën, opinionet e Komisionit të Vencias dhe standardet ndërkombëtare; (ii) llogaridhënien, pavarësinë, eficencën, shpejtësinë dhe saktësinë në ushtimin e funksionit nga organet e rivlerësimit; (iii) respekimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; (iv) përmbushjen e urdhërimeve të kushtetutëbërësit, që ka ngarkuar ligjvënësin me rregullimin e plotë, të detajuar dhe të saktë të të gjithë procedurës së rivlerësimit; (v) transparencën e procedurës së përzgjedhjes së funksionarëve të organeve të rivlerësimit; (vi) plotësimin e përmbajtes së projektiligjit, si dhe përmirësimin dhe qartësinë e tij, në funksion të garantimit të parimit të sigurisë juridike dhe standardeve të shtetit të së drejtës.
Duke e vlerësuar si kontribut tërësisht konstruktiv rolin e opozitës në këtë proces parlamentar, duke qenë grupimi i vetëm politik që deri më tani është kujdesur për garantimin e standardeve më të mira ndërkombëtare dhe cilësinë e projektligjeve në kuadër të Reformës në Drejtësi, gjejmë rastin t’ju kujtojmë përgjegjësinë tuaj si mazhorancë në Kuvend, për të treguar kujdesin maksimal për cilësinë e ligjeve, shmangien e cdo mundësie për krijimin e situatave problematike gjatë zbatimit, si dhe dhe efikasitetin e zgjidhjeve që ofrojnë këto ligje.
Në këtë kuadër, dëshirojmë të theksojmë se edhe përmbajtja e neneve 26-67 të projektligjit, paraqet një sërë cështjesh që vlerësojmë se e fusin procesin e rivlerësimit në ngërc, do të krijojnë problematika të theksuara gjatë zbatimit të tij, nuk detajon aspekte të rëndësishme të procesit të rivlerësimit, si dhe janë hartuar në mënyrë të paqartë dhe në kundërshtim me teknikën e hartimit të ligjeve. Mirëpo, ne kuptojmë që vullneti i mazhorancës nuk është ndërtimi i një procesi teknik, të sinqertë dhe konsensual, me qëllim garantimin e një ligji sa më cilësor. Për këtë qëllim, shprehim qëndrimin tonë se cilësia e ligjit dhe funksionaliteti i zgjidhjeve teknike të orfuara prej tij, është përgjegjësi e mazhorancës aktuale parlamentare, që pa arsye dhe me kokëfortësi, ka treguar se nuk është e interesuar për të vlerësuar me seriozitet kontributin konstruktiv të opozitës në këtë drejtim.
Në këto kushte, jemi të detyruar që, pavarësisht se i qëndrojmë të gjitha shqetësimeve dhe vlerësimeve teknike të bëra nga ana jonë në Opinionin e datës 1 Gusht 2016, për nenet 26-67 të projektligjit, të paraqesim vetëm ato Amendamente që konsiderohen thelbësore nga ana jonë, për të siguruar përputhshmërinë e projektligjit me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare. Për cështjet e tjera, jemi të gatshëm të ofrojmë zgjidhje apo formulime që i vlerësojmë të drejta dhe efikase, mirëpo për këtë duhet që mazhoranca të ofrojë një proces të tillë parlamentar që na e bën të mundur atë kontribut.
Përsa më lart, në vijim të Amendamenteve të paraqitura nga ana jonë në datë 22.08.2016, në mbështetje të neneve 24 dhe 71 të Rregullores së Kuvendit, në projektligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, brenda afateve të njoftura më parë nga ana jonë, propozojmë edhe Amendamentet bashkëlidhur për pjesën e dytë të projektligjit.
Duke vlerësuar si thelbësore për përputhshmërinë e projetkligjit me Kushtetutën dhe standardet më të mira ndërkombëtare, reflektimin e Amendamenteve bashkëlidhur, si dhe të disa prejAmendamenteve të paraqitura më datë 22 Gusht 2016[1] nga kolegu Oerd Bylykbashi, mbëtemi në pritje të shqyrtimit të tyre me përparësi, objektivitet dhe seriozitet nga mazhoranca parlamentare.
Në këtë pikë, jemi të detyruar t’ju rikujtojmë se versioni i projektligjit i miratuar nga mazhoranca parlamentare në Komisionin e Posacëm, paraqet probleme të thella të përputhshmërisë me Kushtetutën, në të paktën këto aspekte parimore:
1) Roli aktiv dhe përcaktues që kanë organe të kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv (ILDKPKI dhe DSIK), passjell kontroll tërësor të Qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit (vecanërisht, tek komponenti i kontrollit të pasurisë dhe kontrollit të figurës). Ndërkohë, që testimi, sipas rastit, për konfirmimin në detyrë të gjyqtarëve/prokurorëve, bëhet nga Shkolla e Magjistraturë, jashtë cdo kontrolli apo drejtimi nga organet e vettingut. Ky fakt, bie ndesh me pikën 5, të nenit 179/b, ku specifikohet se rivlerësimi kryhet nga KPK. Gjithashtu, kjo bie ndesh me pikat 3 dhe 4 të Nenit Ç të Aneksit të Kushtetutës, ku qartësisht specifikohet se KPK apo Kolegji, sipas rastit përmes personelit të tyre, Komisionerit Publik ose vëzhguesve ndërkombëtar, shqyrton deklaratën e subjektit për të shkuarën e tij. Realizimi i rivlerësimit nga KPK, nënkupton se është ky organ kushtetues përgjegjës për hetimin administrativ të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe është organi i vetëm që bën konkluzione, mbledh, kërkon dhe vlerëson provat. Ndërhyrja me rol aktiv i institucioneve të treta përbën cenim të kompetencës kushtetuese të organeve të rivlerësimit, si dhe rrezik potencial të përfitimit politik nga procesi të mazhorancës aktuale, duke cenuar në këtë mënyrë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Në këtë mënyrë, projektligji ka asgjësuar thelbin e Reformës Kushtetuese sepse kontrollin dhe vendimmarrjen e procesit të vettingut e ka zhvendosur nga organet e krijuara rishtas dhe të konceptuara si organe të pavarura (Komisionerët Publikë, KPK dhe Kolegji i Apelimit) tek organet ekzistuese të pareformuara dhe të kontrolluara nga Qeveria, sic janë ILDKPKI[2], DSIK[3], Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme[4]. Procesi i mbledhjes së provave, analiza ligjore dhe nxjerrja e përfundimeve i është besuar pikërisht organeve të kontrolluara nga Qeveria. Organet kushtetuese të krijuara rishtas (Komisionerët Publikë, KPK dhe Kolegji i Apelimit), me projektligjin e miratuar kanë përgjegjësi të kufizuar dhe vetëm rol formal e të përciptë. Në këtë mënyrë, procesi i vettingut ka rrezik real të kontrollohet tërësisht politikisht nga Qeveria dhe të dominohet nga selektiviteti dhe subjektivizmi.
2) Organet e reja të vettingut (Komisionerët Publikë, KPK dhe Kolegji i Apelimit) vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë sepse telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të Qeverisë, si psh. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave[5]. Në këtë mënyrë, Reforma Kushtetuese rrezikon të dështojë dhe të humbasë besueshmërinë e publikut sepse vettingu është konceptuar si një proces, që realisht dhe faktikisht kryhet nga një mazhorancë politike në shkelje të standardeve të pavarësisë dhe të paanësisë. Nga ana tjetër, roli i ONM, duhet të jetë në përputhje me nenin B të Aneksit të Amendamenteve Kushtetuese.
3) Qartësisht dhe në mënyrë të qëllimshme, teksti i projektligjit nuk detajon procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të organeve të vettingut, si dhe procesin e vlerësimit të kandidaturave, duke e lënë kështu këtë proces në diskrecionin e organeve të përfshira në procedurë,në kundërshtim me delegimin që ka bërë pika 7 dhe 12 e nenit C të Aneksit të Amendamenteve Kushtetuese. Për pasojë, projektligji injoron haptaz ndryshimet kushtetuese sepse nuk vendos rregulla të detajuara për emërimin e funksionarëve të organeve të vettingut. Në këtë mënyrë, ka rrezik real për të cenuar pavarësinë, integritetin dhe cilësinë profesionale të funksionarëve që do të zgjidhen në këto organe, me pasojë të drejtpërdrejtë në cilësinë e vetë procesit të vettingut.
4) Procesi dhe standardet e kontrollit të figurës cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe nenin DH të Aneksit të Amendametneve Kushtetuese. Ky kontroll duhet të vë theksin tek objektiviteti, si dhe pasoja apo ndikimi që ka patur kontakti tek ushtrimi i rregullt i detyrës. Sipas nenit DH të Aneksit të Kushtetutës, kontrolli bazohet tek vetdeklarimi i subjektit dhe tek provat e tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja. Ndërkohë që projektligji, kontrollin e bazon tek elementë që nuk përmbushin standardet e provës të marrë në formën e kërkuar nga ligji, duke e shndërruar këtë proces në antikushtetues dhe ndesh me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Në këtë mënyrë, projektligji dhunon standardin kushtetues për të mos deklaruar fajtor dikë mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, duke lënë hapësirë për subjektivizëm dhe selektivitet në procesin e vettingut. Me anë të këtij projektligji, cilësohen si prova thelbësore të dhëna të mbledhura përtej standardeve kushtetues, të standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe pa precedentë në asnjë sistem tjetër ligjor ndërkombëtar, të emërtuara si “informacione konfidenciale”, “gjetje në formë deklarate”, “denoncim anonim” apo “dëshmi me shkrim para prokurorit e bashkëpunëtorit në krim”.
Nga ana tjetër, projektligji në mënyrë flagrante tejkalon autorizimin dhe kufijtë kushtetues për kontrollin e figurës së subjektit të rivlerësimit sepse nuk e bazon ndëshkimin tek fakti dhe krimi i kryer, por krijon një model diktature autoritare, duke e bazuar ndëshkimin tek mendimet, të dhënat psikologjike dhe ndërgjegja e subjektit të rivlerësimit – të ashtuquajtura në projektligj si “verifikim i tendencave kriminale të individit” dhe “verifikim i mundësive nëse individi mund të vihet në presion”. Në këtë mënyrë i hapet rruga mundësisë për ta shndërruar procesin e vettingut në një proces presioni për të futur në kontroll të Qeverisë pushtetin gjyqësor.
5) Projektligji cenon parimin e barazisë përpara ligjit të sanksionuar në nenin 18 të Kushtetutës, standardet e procesit të rregullt ligjor, të sanksionuar në nenin 42/2 të Kushtetutës, si dhe parimin e llogaridhënies së organeve kushtetuese, si element thelbësor i shtetit të së drejtës, të sanksionuar nga neni 4 i Kushtetutës. Kjo për faktin se projektligji nuk parashikon procedurat dhe veprimet konkrete që ndjekin strukturat e përfshira në proces, afatet e qarta të veprimit të këtyre strukturave, të drejtat e subjekteve të rivlerësimit, deri në vlerësimin përfundimtar të tij. Mënyra e përzgjedhjes së momentit të realizimit të procesit të rivlerësimit për subjekte të caktuara nuk duhet të jetë rastësore, por me afate të mirëpërcaktuara, faza dhe procese të njohura, duke respektuar një rradhë preferenciale në varësi të rëndësisë së funksionit që ushtron subjekti. E kundërta mbart rrezikun e veprimeve selektive, duke cenuar parimin e barazisë përpara ligjit dhe duke rrezikuar përdorimin politik të Qeverisë për të ndërhyrë në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor. Gjithashtu, mungesa e afateve dhe procedurave të qarta, pamundëson zbatimin e parimit të llogaridhënies së organeve të rivlerësimit, të cilat nuk mund të vlerësohen për mospërmbushje të detyrave të tyre kushtetuese, në mungesë të afateve brenda të cilave duhet t’i ushtrojnë këto detyra.
Nga mënyara sesi është konceptuar procesi i vlerësimit, projektligji krijon një pseudoproces të vettingut, i cili dhunon haptazi elementët thelbësorë të procesit të rregullt ligjor, sic janë barazia para ligjit, afati i arsyeshëm, siguria juridike apo transparenca dhe përgjegjshmëria e organeve kushtetuese. Gjithashtu, projektligji asgjëson edhe thelbin e të drejtës së mbrojtjes së individit. Procedurat e vendosura nga ky ligj mund të krijojnë edhe rezultate absurde në praktikë, sic është rikthimi në sistem nga GjEDNj i gjyqtarëve dhe i prokurorëve të përjashtuar, për shkak se ndaj tyre janë zbatuar procedura në shkelje të standardeve evropiane. Në këtë mënyrë, Reforma Kushtetuese rrezikon të dështojë sepse rezultatet e procesit të vettingut mund të jenë të pasakta, selektive por edhe në shkelje të standardeve dhe detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë në kuadër të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
6) Projektligji dhunon parimin e sigurisë juridike sepse teksti i normave të tij është i paqartë, konfuz dhe në raste të caktuara edhe kontradiktor. Në këtë mënyrë, në praktikë do të ketë ngërc institucional, zvarritje të procesit, konflikte kompetencash, ndjekje të praktikave jo uniforme dhe pengesa të tjera, që do të minojnë thelbin e procesit të vettingut, me pasojë humbje të pritshmërive të ligjshme të cdo qytetari nga Reforma Kushtetuese. Sic ka thënë Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën konstante të saj, qartësia dhe saktësia e normës juridike janë element thelbësor i parimit të sigurisë juridike në një shtet të së drejtës.
7) Projektligji, në formën e miratuar, lë të hapur mundësinë për rifutjen në sistemin gjyqësor dhe në organin e prokurorisë ata individë që kanë ushtruar detyrën e gjyqtarit dhe të prokurorit përgjatë regjimit komunist dhe që me vendimet e dhëna kanë persekutuar politikisht qytetarët. Nuk ka asnjë dispozitë garantuese për të hequr mundësinë e këtyre personave për t’u rifutur në sistem. Kjo cenon rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor shqiptar.
Së fundmi, duhet të mbani në konsideratë rëndësinë themelore që ka për kushtetutshmërinë në tërësi të projektligjit, procedura parlamentare e shqyrtimit dhe miratimit të tij në Komisionet Parlamentare dhe në seancë plenare. Projektligji në fjalë është shqyrtuar dhe miratuar në parim nga Komisioni në një kohë kur nuk kishte ende bazë kushtetuese. Ne vlerësojmë se është përgjegjësi e Kuvendit dhe mazhorancës parlamentare, respektimi i procedurës parlamentare të miratimit të një projektligjit dhe pasojave që passjell shkelja e kësaj procedure. Në cdo rast, duhet të mbani në konsideratë se respektimi i procedurave dhe afateve kushtetuese apo të parashikuara nga Rregullorja e Kuvendit, janë të rëndësishme për t’u zbatuar, për shkak se neni 83/3 i Kushtetutës ndalon shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të një ligji që miratohet me shumicë të cilësuar.
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,
DEPUTETI:
ARBEN RISTANI
AMENDAMENTE TË DEPUTETIT
ARBEN RISTANI
PËR PROJEKTLIGJIN
“PËR
RIVLERËSIMIN KALIMTAR TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”.
(PËR NENET 26-67 TË PROJEKTLIGJIT)
Amendmenti 1
Neni 26 të riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 26
Objekti i rivlerësimit të pasurisë
- Objekti i rivlerësimit të pasurisë është deklarimi dhe kontrolli i pasurive, me qëllim që të identifikohen ata që kanë në pronësi, përdorim ose posedim pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht, ose ata që nuk i kanë deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur.
- Kontrolli përfshin identifikimin e plotë të pasurive në pronësi, përdorim apo posedim të subjektit të rivlerësimit nëpërmjet verifikimit të burimeve të krijimit të tyre dhe saktësisë së deklarimeve ndër vite, duke u bazuar edhe tek të dhënat e faktit dhe provat që dëshmojnë mënyrën e jetesës së subjektit dhe që përfshijnë edhe shpenzimet e dokumentuara të tij.”.
Amendmenti 2
Neni 27 të riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 27
Fillimi i procedurës së vlerësimit të pasurisë
- Subjekti i rivlerësimit kryesisht plotëson deklaratën e pasurisë sipas Shtojcës 2 bashkëlidhur këtij ligji, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të tij, dhe e dërgon pranë KPK. Shkelja e detyrimit për depozitimin e deklaratës së pasurisë, pa shkaqe të ligjshme, përbën shkak për shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit kryesisht.
- Në rastin e subjekteve të rivlerësimit me kërkesë, deklarata e pasurisë sipas Shtojcës 2 plotësohet dhe depozitohet së bashku me kërkesën për rivlerësim.
- KPK fillon procedurën e kontrollit duke respektuar radhën e subjekteve të rivlerësimit sipas programit të miratuar të rivlerësimit.
- KPK i kërkon ndihmë administrative ILDKPKI-së, duke caktuar detyrat dhe afatin për ҁdo subjekt rivlerësimi. Kërkesës për ndihmë administrative i bashkëlidhet edhe deklarata e pasurisë e depozituar nga subjekti i rivlerësimit.
- ILDKPKI përmbush ndihmën administrative nën drejtimin dhe kontrollin e KPK.”.
Amendamenti 3
Neni 29 riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 29
Procedura e vlerësimit të pasurisë
- Procesi i kontrollit të deklarimeve dhe ligjshmërisë së pasurisë kryhet nga KPK, i cili mbledh dhe shqyrton provat sipas ligjit procedural administrativ, duke analizuar rrethanat e faktit dhe duke konkluduar mbi ligjshmërinë e pasurisë së subjektit të rivlerësimit. KPK i kërkon ILDKPKI-së të kontrollojë saktësinë dhe plotësinë e deklaratës së depozituar nga subjekti i rivlerësimit, duke i caktuar detyra konkrete dhe afate për përmbushjen e tyre në përputhje me programin e rivlerësimit.
- ILDKPKI, brenda 3 muajve, nën kujdesin dhe kontrollin e KPK, kontrollon saktësinë dhe plotësinë e deklaratës së pasurisë, si dhe ligjshmërinë e pasurisë sipas legjislacionit në fuqi, duke hartuar një raport konstatues individual të arsyetuar për ҁdo subjekt rivlerësimi. Në raportin konstatues paraqiten:
- Përshkrimi i plotë dhe i detajuar edhe në vlerë, i pasurive në pronësi, posedim dhe përdorim të subjektit të rivlerësimit të deklaruara prej tij;
- Përshkrimi i plotë dhe i detajuar edhe në vlerë, i pasurive që rezultojnë nga kontrolli që subjekti i rivlerësimit ka në pronësi, posedim dhe përdorim në kohën e plotësimit të deklaratës së pasurisë, së bashku me provat që mbështesin identifikimin e këtyre pasurive;
- Vlera e plotë dhe e detajuar e të ardhurave të subjektit të rivlerësimit deri në kohën e plotësimit të deklaratës së pasurisë;
ҁ) Përshkrimi i plotë dhe i detajuar edhe në vlerë, i pasurive në pronësi, posedim dhe përdorim, të cilat janë deklaruar të paplota, të pasakta apo që nuk justifikohen ligjërisht nga subjekti i rivlerësimit.
- ILDKPKI mundëson akses të plotë për Komisionin dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, që të kërkojnë informacione, të konsultojnë, të kopjojnë dhe të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit ose personat e lidhur me të, si dhe dokumentet shoqëruese.
- Në përfundim të procesit të kontrollit të pasurisë për ҁdo subjekt rivlerësimi, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI-së i përcjell zyrtarisht Komisionit raportin konstatues, së bashku me dosjen e të gjitha akteve dhe provave.
- Nëse Komisioni konstaton se raporti konstatues apo dosja e kontrollit të pasurisë janë të paplota apo me pasaktësi thelbësore, i kërkon me shkrim ILDKPKI-së plotësimin apo ndreqjen e tyre.
- Komisioni, me marrjen e raportit konstatues dhe të dosjes së kontrollit të pasurisë, vlerëson nëse dokumentacioni i rivlerësimit edhe për dy kriteret e tjera është grumbulluar dhe vendos fillimin e procesit administrativ individual të rivlerësimit.
- KPK, në procesin e vlerësimit të pasurisë, mund të kërkojë marrjen e dokumenteve brenda dhe jashtë shtetit për pasuritë në pronësi, posedim dhe përdorim të subjektit të rivlerësimit, të personave të lidhur me të ose të ҁdo personi tjetër prej të cilit subjekti i rivlerësimit apo personi i lidhur me të, ka fituar pasurinë dhe të ardhurat, nëse ai i konfirmon këto marrëdhënie. Nëse është e nevojshme, dokumentet kërkohen nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave ose Ministrisë së Drejtësisë. Këto dokumente përfshihen në dosjen e kontrollit të pasurisë së subjektit të rivlerësimit.
- Subjekti i rivlerësimit ka të drejtën e informimit për veprimet që kryhen gjatë kontrollit administrativ të pasurisë së tij, të drejtën e aksesit në dosjen e kontrollit të pasurisë së tij, si dhe të drejtën për të dhënë shpjegime, për të paraqitur kundërshtime, ankesa dhe prova, të cilat bëhen pjesë e dosjes së kontrollit të pasurisë së tij.”.
Amendamenti 4
Neni 31 riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 31
Fillimi i procedurës për kontrollin e figurës
- Subjekti i rivlerësimit kryesisht plotëson deklaratën për kontrollin e figurës sipas Shtojcës 3 bashkëlidhur këtij ligji, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të tij, dhe e dërgon pranë KPK. Shkelja e detyrimit për depozitimin e deklaratës për kontrollin e figurës, pa shkaqe të ligjshme, përbën shkak për shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit kryesisht.
- Në rastin e subjekteve të rivlerësimit me kërkesë, deklarata për kontrollin e figurës sipas Shtojcës 3 plotësohet dhe depozitohet së bashku me kërkesën për rivlerësim.
- KPK fillon procedurën e kontrollit duke respektuar radhën e subjekteve të rivlerësimit sipas programit të miratuar të rivlerësimit.
- Kontrolli i figurës shtrihet për periudhën nga data 1 Janar 2012 dhe deri në ditën e dorëzimit sipas këtij ligji të deklaratës së detajuar për figurën të subjektit të rivlerësimit.”.
Amendamenti 5
Neni 32 riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 32
Struktura përgjegjëse për kontrollin e figurës
- KPK, sipas rastit, përmes personelit të saj, Komisionerit Publik ose vëzhguesve ndërkombëtarë, është struktura përgjegjëse për shqyrtimin e deklaratës së subjektit të rivlerësimit për kontrollin e figurës, intervistimin e personave të përmendur në deklaratë ose personave të tjerë.
- KPK gjatë ushtrimit të këtij kontrolli mund të bashkëpunojë me institucione të tjera shtetërore ose të huaja për të konfirmuar vërtetësinë dhe saktësinë e deklarimeve. KPK ka të drejtë të drejtë të kërkojë nga shtete të tjera informacion të nevojshëm për personat e përfshirë në krimin e organizuar.
- KPK i kërkon ndihmë administrative institucioneve shtetërore, objekti i ligjshëm i veprimtarisë së të cilave lidhet me hetimin dhe mbledhjen e të dhënave mbi figurën e individit, duke i caktuar detyra konkrete dhe afate për përmbushjen e tyre në përputhje me programin e rivlerësimit. Institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë janë të detyruara të vënë në dispozicion të organeve të rivlerësimit informacionet e kërkuara, si dhe të sigurojnë akses të drejtëpërdrejtë në të dhënat, brenda afateve të caktuara nga KPK. Këto institucione e përmbushin kërkesën për ndihmë administrative nën drejtimin dhe kontrollin e KPK.”.
Amendamenti 6
Neni 33 shfuqizohet.
Amendamenti 7
Neni 34 riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 34
Standardet e kontrollit të figurës
- Subjektet e rivlerësimit kontrollohen nëse kanë lidhje me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ku përfshihen kontaktet e papërshtatshme me ta apo shkëmbimi i parave, favoreve, dhuratave ose pasurive, marrëdhëniet e ngushta të miqësisë ose takimet e vazhdueshme jo rastësore, si dhe pjesëmarrja në takime ose aktivitete të organizuara nga personi i përfshirë në krimin e organizuar.
- Subjekti i rivlerësimit kontrollohet edhe nëse ka plotësuar qëllimisht në mënyrë të rreme, të pasaktë apo të paplotë deklaratën e kontrollit të figurës, për të fshehur apo pasqyruar në mënyrë të shtrembëruar kontaktet e papërshtatshme apo lidhjet me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
- Kontrolli i figurës bëhet bazuar në deklaratën e dorëzuar nga subjekti i rivlerësimit, prova dhe informacione zyrtare të klasifikuara “sekret”, si dhe në prova të tjera të marra në formën e kërkuar nga ligji, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja.
- Kontrolli i figurës zhvillohet në mënyrë objektive dhe pa ndikime të karakterit personal, miqësor apo armiqësor, të cilat mund të përmirësojnë apo përkeqësojnë situatën e subjektit të rivlerësimit.
- Rrethanat objektive të kontakteve të papërshtatshme apo të lidhjeve të subjektit të rivlerësimit me persona të përfshirë në krimin e organizuar provohen me prova të marra në formën e kërkuar nga ligji procedural penal, administrativ apo civil si më poshtë:
- a) deklarata e plotësuar nga subjekti i rivlerësimit;
- b) dokumentet, që përfshijnë por pa u kufizuar, dokumentet zyrtare, si dhe filmat fotografikë, kinematografikë dhe regjistrime të tjera, kur provohet saktësia e vërtetësisë së tyre;
- c) një dëshmi, e shoqëruar me prova të tjera të marra në formën e kërkuar nga ligji, ku përfshihen edhe të dhënat e marra nga intervistat e kryera me personat e përmendur në deklaratën e subjektit të rivlerësimit ose me persona të tjerë. Në marrjen e të dhënave nga dëshmitarët apo të intervistuarit, institucionet e rivlerësimit zbatojnë rregullat procedurale të thirrjes, betimit dhe të pyetjes së dëshmitarëve në procesin gjyqësor administrativ.
- Për efekt të vlerësimit dhe kontrollit të rrethanave objektive sipas këtij neni, duhet që përfshirja e personit në krimin e organizuar të jetë një fakt i njohur botërisht, i publikuar dhe i dokumentuar në regjistrat përkatës të institucioneve përgjegjëse.
- Për efekt të vlerësimit dhe kontrollit të rrethanave objektive të parashikuara në këtë nen, organet e rivlerësimit mbajnë në konsideratë rrethanat lehtësuese të mëposhtme:
- a) subjekti i rivlerësimit në mënyrë të besueshme parashtron se nuk është në dijeni të faktit se personi është i përfshirë në krimin e organizuar;
- b) subjekti i rivlerësimit ka marrëdhënie familjare apo krushqie me personin e përfshirë në krimin e organizuar, dhe parashtron në mënyrë të besueshme se kontakti ka ndodhur për shkak të këtyre marrëdhënieve dhe nuk ka ndikuar në ushtrimin e rregullt të detyrës prej tij;
- c) subjekti i rivlerësimit ka deklaruar në mënyrë të plotë, të besueshme e të sinqertë kontaktin në një moment të caktuar me personin e përfshirë në krimin e organizuar, por që ka ndërprerë cdo kontakt me të sapo është njohur me faktin se personi është i përfshirë në krimin e organizuar. Në këtë rast, kontakti në atë moment të caktuar nuk duhet të ketë ndikuar në ushtrimin e rregullt të detyrës nga subjekti i rivlerësimit;
ҁ) subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë në dijeni se në një takim apo aktivitet do të merrte pjesë edhe një person për të cilin kishte dijeni se ishte i përfshirë në krimin e organizuar.
- d) kontakti ka ndodhur përpara datës 1 Janar 2012, por nuk vazhdon ende. Në këtë rast, kontakti në atë periudhë nuk duhet të ketë ndikuar në ushtrimin e rregullt të detyrës nga subjekti i rivlerësimit.
- dh) mosdeklarimi apo deklarimi i pasaktë në Deklaratën e kontrollit të figurës të detajeve të kontaktit apo të ndonjë kontakti, për shkak të pamundësisë për t’i kujtuar, për shkak të një gabimi njerëzor, për shkak se takimi ka ndodhur në prezencën e shumë personave të tjerë dhe se individualizimi i personit nuk mund të kujtohet apo është vlerësuar i parëndësishëm, ose për shkak se me personin ka marrëdhënie familjare apo krushqie dhe rrethanat e kontaktit nuk mund të kujtohen apo vlerësohen të rëndësishme. Kjo rrethanë lehtësuese vlerësohet në raport proporcional me natyrën dhe shkallën e kontaktit apo me faktorë të tjerë të përmendur në këtë paragraf.”.
Amendamenti 8
Neni 35 riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 35
Procedura e kontrollit të figurës
- KPK, brenda 3 muajve nga fillimi i kontrollit të figurës për subjektin e rivlerësimit, verifikon nëse informacioni i deklaruar në Deklaratën e kontrollit të figurës është i saktë dhe i plotë, pasi mbledh të gjitha dokumentet, të dhënat dhe informacionet zyrtare, mbi vërtetësinë dhe saktësinë e deklarimeve apo kontaktet e papërshtatshme të subjektit të rivlerësimit me persona të përfshirë në krimin e organziuar.
- Struktura përgjegjëse sipas paragrafit 1 të nenit 32, përgatit një raport konstatues, ku evidentohet nëse subjekti i rivlerësimit ka patur lidhje ose kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, apo nëse ka plotësuar në mënyrë të saktë dhe me vërtetësi Deklaratën e kontrollit të figurës.
- Në rast se përhapja e informacionit apo dokumenteve të siguruara gjatë kontrollit të figurës cenon informacionin e klasifikuar sekret apo sigurinë publike, atëherë organet përgjegjëse të përfshira në këtë kontroll janë të detyruara të ruajë konfidencialitetin mbi përmbajtjen e tyre. Në cdo rast, subjekti i rivlerësimit duhet të njihet me rezultatet e kontrollit dhe me arsyet e vlerësimit të kontaktit të tij si të papërshtatshëm dhe me persona të përfshirë në krimin e organizuar.”.
Amendamenti 9
Neni 36 riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 36
Objekti i vlerësimit të aftësive profesionale
- Vlerësimi profesional ka për objekt identifikimin e subjekteve të rivlerësimit, të cilët nuk janë të kualifikuar për të kryer funksionin e tyre dhe të atyre subjekteve, të cilët kanë mangësi profesionale që mund të korrigjohen përmes edukimit.
- Vlerësimi profesional për gjyqtarët, këshilltarët ligjorë dhe ndihmësit ligjorë përfshin kontrollin e:
- a) Aftësive për të gjykuar, në drejtim të njohurive ligjore dhe të arsyetimit ligjor, që maten në bazë të vlerësimit të cështjeve të shqyrtuara prej tyre. Në këtë rast përdoren si tregues aftësinë e përgjithshme për të interpretuar ligjin, për të identifikuar konfliktin e normave, për të përdorur parimet e përgjithshme të teorisë të së drejtës, për të analizuar jurisprudencën, qartësinë dhe strukturën koherente dhe të mirëorganizuar të akteve, si dhe cilësitë e analizës dhe e argumentimit logjik.
- b) Aftësive organizative, në drejtim të aftësisë për të përballuar ngarkesën e punës e për të kryer procedurat gjyqësore apo hetimore dhe aftësinë për të administruar, sipas funksionit, dosjet gjyqësore, dosjet hetimore apo dosjet e procedimeve administrative.
- c) Cilësive etike dhe angazhimit ndaj vlerave të gjyqësorit, në drejtim të përkushtimit dhe përgjegjshmërisë në detyrë.
ç) Cilësive personale dhe angazhimit profesional, në drejtim të aftësisë së komunikimit, aftësisë për të bashkëpunuar me kolegët dhe gatishmërisë për t’u angazhuar në aktivitete profesionale.
- Vlerësimi profesional për Prokurorin e Përgjithshëm, prokurorët dhe për ndihmësit ligjorë pranë Prokurorisë së Përgjithshme përfshin kontrollin e:
- a) Aftësive për të hetuar dhe për të ngritur akuzën publike, në drejtim të njohurive ligjore dhe të arsyetimit ligjor, që maten në bazë të vlerësimit të cështjeve të shqyrtuara prej tyre. Në këtë rast përdoren si tregues aftësinë e përgjithshme për të interpretuar ligjin, për të identifikuar konfliktin e normave, për të përdorur parimet e përgjithshme të teorisë të së drejtës, për të analizuar jurisprudencën, qartësinë dhe strukturën koherente dhe të mirëorganizuar të akteve, si dhe cilësitë e analizës dhe e argumentimit logjik.
- b) Aftësive organizative, në drejtim të aftësisë për të përballuar ngarkesën e punës e për të kryer procedurat gjyqësore apo hetimore dhe aftësinë për të administruar, sipas funksionit, dosjet gjyqësore, dosjet hetimore apo dosjet e procedimeve administrative.
- c) Cilësive etike dhe angazhimit ndaj vlerave të gjyqësorit, në drejtim të përkushtimit dhe përgjegjshmërisë në detyrë.
ç) Cilësive personale dhe angazhimit profesional, në drejtim të aftësisë së komunikimit, aftësisë për të bashkëpunuar me kolegët dhe gatishmërisë për t’u angazhuar në aktivitete profesionale.
- Vlerësimi profesional i kryeinspektorit dhe inspektorëve të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë përfshin kriteret e përcaktuara në vendimin nr. 36, datë 29.04.2015 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë “Për kriteret dhe procedurat e vlerësimit profesional dhe etik të kryeinspektorit dhe të inspektorëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”
- Vlerësimi i aftësisë për këshilltarët ose ndihmësit ligjorë, si dhe për inspektorët që nuk janë magjistratë përfshin edhe testimin pranë Shkollës së Magjistraturës. Ky rregull zbatohet edhe për vlerësimin profesional të ish gjyqtarëve, ish prokurorëve, ish këshilltarëve ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe ish ndihmësve ligjorë të Gjykatës së Lartë të cilët kanë ushtruar këto funksione për të paktën 3 vjet”.
Amendamenti 10
Neni 37 riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 37
Fillimi i procedurës për vlerësimin e aftësive profesionale
- Subjekti i rivlerësimit kryesisht plotëson Formularin e vetëvlerësimit profesional sipas Shtojcës 4 bashkëlidhur këtij ligji, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të tij, dhe e dërgon pranë KPK. Shkelja e detyrimit për depozitimin e Formularit të vetëvlerësimit profesional, pa shkaqe të ligjshme, përbën shkak për shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit kryesisht.
- Në rastin e subjekteve të rivlerësimit me kërkesë, Formulari i vetëvlerësimit profesional sipas Shtojcës 4 plotësohet dhe depozitohet së bashku me kërkesën për rivlerësim.
- KPK fillon procedurën e kontrollit duke respektuar radhën e subjekteve të rivlerësimit sipas programit të miratuar të rivlerësimit.
- KPK i kërkon ndihmë administrative organeve që ushtrojnë detyrën e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve ose prokurorëve në kohën e kryerjes së rivlerësimit, duke caktuar detyrat dhe afatin për ҁdo subjekt rivlerësimi. Kërkesës për ndihmë administrative i bashkëlidhet edhe Formulari i vetëvlerësimit profesional.
- Organet që ushtrojnë detyrën e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve ose prokurorëve në kohën e kryerjes së rivlerësimit përmbushin ndihmën administrative, nën drejtimin dhe kontrollin e KPK.
- Vlerësimi profesional shtrihet vetëm për cështjet e trajtuara nga subjekti i rivlerësimit për periudhën 1 Janar 2006 deri në datën 21 Korrik 2016 dhe që janë zgjidhur në mënyrë përfundimtare në sistemin gjyqësor shqiptar. Për të gjitha cështjet e trajtuara pas kësaj date apo që janë ende në shqyrtim nga sistemi gjyqësor shqiptar, vlerësimi profesional bëhet sipas rregullave të përgjithshme të përgjegjshmërisë të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji.
- Si rregull, vlerësimi profesional përfshin cështjet e trajtuara nga subjekti i rivlerësimit në 3 vitet e fundit të periudhës së rivlerësimit sipas paragrafit 3 të këtij neni. Përjashtimisht në rastet e parashikuara në këtë ligj, vlerësimi profesional shtrihet edhe në cështjet e trajtuara përpara 3 viteve të fundit të periudhës së rivlerësimit, por në cdo rast jo më parë se data 1 Janar 2006. Në rastet e rivlerësimit të ish gjyqtarëve, ish prokurorëve, ish këshilltarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe ish ndihmësve ligjorë të Gjykatës së Lartë, periudha e vlerësimit profesional të tyre përfshin 3 vitet e fundit të tyre në funksion.
- Në rast se subjekti i rivlerësimit ka më pak se 3 vite në funksion, periudha e rivlerësimit konsiderohet e gjithë koha gjatë ushtrimit të detyrës.”.
Amendament 11
Neni 38 riformulohet me përmbajtjen si më poshtë vijon:
“1. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, si dhe të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, i nënshtrohen vlerësimit profesional bazuar në burimet e vlerësimit profesional për aq sa nuk parashikohet ndryshe në Aneksin e Kushtetutës dhe në këtë ligj, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në rastin e ish gjyqtarëve dhe ish prokurorëve që kanë ushtruar këto funksione për të paktën 3 vjet, burimet e vlerësimit përfshijnë edhe rezultatet e testimit në Shkollën e Magjistraturës, nëse ata nuk janë diplomuar në këtë Shkollë.
- Këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese, ndihmësit ligjorë të Gjykatës së Lartë dhe të gjykatave administrative, si dhe ndihmësit ligjorë në Prokurorinë e Përgjithshme, të cilët nuk janë magjistratë vlerësohen bazuar në burimet e vlerësimit profesional të gjyqtarëve dhe të prokurorëve për aq sa ato janë të zbatueshme, si edhe në:
- a) relacionet dhe mendimet ligjore të përgatitura;
- b) rezultatet e testimit pranë Shkollës së Magjistraturës.
Këto rregulla zbatohen edhe për ish këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe ish ndihmësit ligjorë të Gjykatës së Lartë, që kanë ushtruar këto funksione për të paktën 3 vjet.
- Kryeinspektori dhe inspektorët e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë vlerësohen bazuar në burimet e vlerësimit profesional të përcaktuara në vendimin nr. 36, datë 29.04.2015 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë “Për kriteret dhe procedurat e vlerësimit profesional dhe etik të kryeinspektorit dhe të inspektorëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në rastin e inspektorëve që nuk janë magjistratë, burimet e vlerësimit profesional përfshijnë edhe rezultatet e testimit pranë Shkollës së Magjistraturës.”
Amendamenti 12
Neni 39 riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 39
Procedura për vlerësimin e aftësive profesionale
- KPK realizon procedurën e vlerësimit të aftësive profesionale, për aq sa nuk parashikohet ndryshe në Aneksin e Kushtetutës dhe në këtë ligj, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
- KPK, brenda 3 muajve nga fillimi vlerësimit të aftësive profesionale për subjektin e rivlerësimit, me ndihmën e organeve që ushtrojnë detyrën e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kohën e kryerjes së rivlerësimit, shqyrton burimet e vlerësimit të përzgjedhura sipas një sistemi objektiv dhe rastësor. Në përfundim të shqyrtimit përgatitet një raport i hollësishëm dhe i detajuar mbi rezultatet e vlerësimit të aftësive profesionale.
- KPK i kërkon ndihmë administrative institucioneve shtetërore, objekti i veprimtarisë së të cilave lidhet me vlerësimin profesional dhe etik të subjekteve të rivlerësimit, duke i caktuar detyra konkrete dhe afate për përmbushjen e tyre në përputhje me programin e rivlerësimit. Institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë janë të detyruara të vënë në dispozicion të organeve të rivlerësimit informacionet e kërkuara, si dhe të sigurojnë akses të drejtëpërdrejtë në të dhënat, brenda afateve të caktuara nga KPK. Këto institucione e përmbushin kërkesën për ndihmë administrative nën drejtimin dhe kontrollin e KPK.”.
Amendament 13
Neni 40 riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 40
Raporti paraprak i vlerësimit të aftësive profesionale
Raporti i vlerësimit të aftësive profesionale bazohet në të dhënat dhe dokumentacionin e siguruara gjatë procesit të kontrollit. Relatori i trupit gjykues të KPK, argumenton dhe propozon klasifikimin e subjektit të rivlerësimit, në një nga kategoritë e mëposhtme:
- “I aftë”, nëse subjekti i rivlerësimit ka njohuri, aftësi, gjykim ose sjellje të përshtatshme, dhe një mënyrë pune që pajtohet me pozicionin e tij.
- “Me mangësi profesionale”, nëse subjekti i rivlerësuar ka njohuri, aftësi, gjykim ose sjellje të cekëta, ose ka një mënyrë pune që nuk pajtohet me pozicionin e tij, por në atë masë që këto mangësi profesionale mund të korrigjohen përmes edukimit një vjecar në Shkollën e Magjistraturës.
- “I papërshtatshëm”, nëse subjekti i rivlerësimit paraqitet me mangësi profesionale të tilla që nuk mund të korrigjohen përmes programit një vjecar të edukimit në Shkollën e Magjistraturës ose nëse subjekti i rivlerësimit kryen veprime për të penguar ose vështirësuar vlerësimin ose rezulton me mangësi profesionale aq të dobëta saqë rrezikon ose cenon të drejtat e qytetarëve”.
Amendament 14
Pas Kreut VI, shtohet Kreu VII, me përmbajtje si më poshtë vijon:
“KREU VII
METODOLOGJIA DHE AFATET E RIVLERËSIMIT
Neni
Programi i rivlerësimit
- KPK brenda 3 muajve nga konstituimi i tij miraton programin 5 vjeҁar të rivlerësimit, duke përcaktuar radhën e subjekteve të rivlerësimit të detyrueshëm të ndarë nga radha e subjekteve të rivlerësimit me kërkesë.
- Radha e vlerësimit për subjektet e rivlerësimit të detyrueshme ndjek këtë rend prioritar:
- Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
- Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, kandidatët, ose gjyqtarët apo prokurorët, e Gjykatave të Posacme dhe Prokurorisë së Posacme, si dhe prokurorët në Prokurorinë e Përgjithshme.
- Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, prokurorët e apelit, si dhe Kryeinspektori dhe inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
- Këshilltarët në Gjykatën Kushtetuese dhe këshilltarët në Gjykatën e Lartë.
- Gjyqtarët dhe prokurorët e shkallës së parë, si dhe ndihmësit ligjorë pranë Prokurorisë të Përgjithshme apo gjykatave administrative.
- KPK fillon njëkohësisht procesin e kontrollit për subjektet e përfshirë në një apo më shumë radhë prioritare, në varësi të numrit të subjekteve të rivlerësimit për secilën radhë dhe ngarkesës së secilit trup gjykues. Fillimi i kontrollit për subjektet e rivlerësimit të përfshirë në një radhë më të ulët, nuk kërkon përfundimin e detyrueshëm të procesit të rivlerësimit për të gjithë subjektet e radhës më të lartë.
- Procesit të rivlerësimit me prioritetet i nënshtrohet edhe një subjekt rivlerësimi që ndodhet në radhë më të ulët, por kërkon të emërohet apo kandidon për një nga funksionet që qëndron më lart në radhën prioritare. Nëse me ligj kërkohet përparësi për rivlerësimin e një subjekti, ato përfshihen në radhën e rivlerësimit menjëherë. Radha e subjekteve brenda të njëjtës shkallë përcaktohet me short.
- Kërkesat për t’iu nënshtruar procesit vullnetar të rivlerësimit përfshihen në programin e rivlerësimit vetëm pas 2 viteve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Këto kërkesa merren në shqyrtim, sipas radhës së paraqitjes së tyre dhe në numër të barabratë me vendet vakante në sistem, vetëm nëse:
- a) Këshilli i Lartë Gjyqësor apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë konfirmon ekzistencën e më shumë se 10 përqind të vendeve vakante për gjyqtarë apo prokurorë;
- b) vendet vakante sipas shkronjës “a” të këtij paragrafi nuk mund të plotësohen për të paktën edhe 1 vit, me kandidatë që përfundojnë Shkollën e Magjistraturës, apo nga subjekte të tjera që i nënshtrohen procesit të detyrueshëm të rivlerësimit;
- c) subjekti që kërkon t’i nënshtrohet procesit vullnetar të rivlerësimit përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror në Republikën e Shqipërisë;
ҁ) subjekti, që kërkon t’i nënshtrohet procesit vullnetar të rivlerësimit, në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaҁme; si dhe
- d) në rastin e subjekteve të rivlerësimit vullnetar, që nuk kanë përfunduar më parë Shkollën e Magjistraturës, të përfundojnë studimet dhe të diplomohen në këtë Shkollë.
- Programi i rivlerësimit rishikohet dhe përditësohet me vendim të mbledhjes së përgjithshme të anëtarëve të KPK brenda muajit mars të ҁdo viti.
- KPK publikon në faqen e tij zyrtare programin 5 vjeҁar të rivlerësimit, si dhe vendimet vjetore për rishikimin dhe përditësimin e tij.
Neni
Fazat e procesit të rivlerësimit
- Procesi i rivlerësimit para KPK kalon nëpëmjet 3 (tre) fazave të detyrueshme:
- a) Faza e kontrollit administrativ paraprak, në të cilën KPK shqyrton kushtet formale të ekzistencës si subjekt rivlerësimi, afatin e dorëzimit të deklaratave prej tij dhe të pasaktësive të dukshme të këtyre deklaratave. Kjo fazë zgjat gjer në 1 muaj për cdo subjekt rivlerësimi sipas radhës prioritare të caktuar në programin e rivlerësimit dhe gjer në 6 muaj për të gjithë subjektet e rivlerësimit kryesisht. Në këtë fazë identifikohen të gjitha subjektet e rivlerësimit kryesisht që nuk kanë përmbushur detyrimin për plotësimin dhe depozitimin e deklaratave mbi të tre komponentët e rivlerësimit, e që për këtë shkak shkarkohen nga detyra. Nëse KPK konstaton gabime materiale të dukshme në deklaratat e subjektit të rivlerësimit e njofton atë për ndreqjen e tyre brenda 10 ditëve.
- b) Faza e hetimit administrativ, në të cilën KPK kontrollon administrativisht të tre komponentët e rivlerësimit për cdo subjekt rivlerësimi dhe mbledh të gjithë dokumentacionin dhe të dhënat për to. Ky kontroll administrativ drejtohet nga relatori dhe realizohet sipas rregullave të parashikuara në Krerët IV, V dhe VI të këtij ligji. Kjo fazë zgjat për një periudhë jo më të gjatë se 3 muaj. Nëse trupi gjykues i KPK, vihet në dijeni mbi fakte të reja mbi komponentët e rivlerësimit, sipas nenit 49 të këtij ligji, apo vlerëson se kontrolli ka nevojë për më shumë kohë apo për plotësime, ai mund të vendosë zgjatjen e afatin e kontrollit, edhe për një periudhë deri në 3 muaj.
- c) Faza e shqyrtimit në seancë plenare dhe vendimmarrja mbi cështjen konkrete. Kjo fazë fillon në cdo rast, jo më parë se 30 ditë dhe jo më shumë se 45 ditë, nga përfundimi i kontrollit administrativ hetimor. Vendimi duhet të shpallet i arsyetuar, së bashku me mendimin e pakicës, jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i shqyrtimit të cështjes në seancë plenare.
- Fillimi dhe përfundimi i secilës fazë bëhet me vendim të trupit gjykues dhe i njoftohet edhe subjektit të rivlerësimit, sëbashku me të gjitha dokumentet, të dhënat apo rezultatet e siguruara për secilën fazë. Subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë prova apo vlerësime të tij në cdo fazë të procesit të rivlerësimit.
- KPK, në të treja fazat e rivlerësimit, mundëson akses të plotë për vëzhguesit ndërkombëtarë, që të kërkojnë informacione, të konsultojnë, të kopjojnë dhe të hetojnë dosjet e rivlerësimit të subjekteve të rivlerësimit.
- Shqyrtimi i ankimeve në Kolegjin e Apelimit, përfundon brënda 6 muajve nga depozitimi i ankimit. Vendimi duhet të shpallet i arsyetuar, së bashku me mendimin e pakicës, jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i shqyrtimit të cështjes në seancë plenare.
Neni
Regjistrat e subjekteve të rivlerësimit
- Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit, brenda 30 ditëve nga marrja e detyrës krijon regjistrin e subjekteve të rivlerësimit kryesisht dhe të subjekteve të rivlerësimit me kërkesë. Këto regjistra përditësohen rregullisht prej tij.
- Për identifikimin e subjekteve të rivlerësimit kryesisht, ai kërkon të dhëna pranë ҁdo institucioni shtetëror, i cili detyrohet të përgjigjet brenda 5 ditëve nga marrja e kërkesës.
Neni
Raportimi
- Brenda muajit mars të ҁdo viti, KPK paraqet në Kuvend raportin vjetor të veprimtarisë me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse.
- Raporti përmban të dhëna edhe mbi numrin dhe rezultatet e ankimeve të paraqitura ndaj vendimeve të KPK.
- Raporti bëhet publik në faqen zyrtare të KPK dhe Kuvendit të Shqipërisë.”.
Amendamenti 15
Neni 43 riformulohet me përmbajtjen si vijon:
“Neni 43
Të drejtat e subjektit të rivlerësimit
Të drejtat e subjektit të rivlerësimit gjatë procesit të rivlerësimit rregullohen sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative, nëse ky ligj nuk parashikon ndryshe. KPK, gjatë marrjes dhe shqyrtimit të provave që rregullohen nga ligji procedural penal, civil dhe administrativ merr masat që subjektit të rivlerësimit t’i sigurohet e drejta e mbrojtjes në standardin e kërkuar nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”.
Amendamenti 16
Në nenin 45 bëhen këto ndryshime:
- Në paragrafin 1 pas shkronjës ҁ) shtohet shkronja d) me përmbajtjen si vijon:
“d) të marrë cdo provë tjetër sipas mjeteve të kërkimit të provës të parashikuara nga ligji procedural penal, civil apo administrativ”.
- Paragrafi 2 riformulohet si më poshtë vijon:
“2. Lejohet marrja e provave të shqyrtuara në një proces gjyqësor penal, civil apo administrativ sipas kushteve të nenit 193 të Kodit të Procedurës Penale”.
- Paragrafi 3 riformulohet si më poshtë vijon:
“3. Faktet e njohura botërisht apo të prezumuara nga ligji, nuk kanë nevojë të provohen.”.
- Paragrafi 4 riformulohet si më poshtë vijon:
“4. Organet e rivlerësimit marrin vendimet e tyre bazuar në dokumente të siguruara nga burime të ligjshme dhe të njohura, si dhe në prova të tjera të marra në formën e kërkuar nga ligji procedural penal, civil apo administrativ. Ato kanë të drejtë të cmojnë provat sipas ligjit dhe bindjes së tyre të brendshme. Indiciet përdoren nëse janë në favor të fakteve apo provave të tjera, dhe shërbejnë për nxjerrjen e fakteve kur janë të plota, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën.”.
- Paragrafi 10 riformulohet si më poshtë vijon:
“10. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë të drejtë të vlerësojnë një fakt, rrethanë apo standard ligjor, dhe të paraqesin gjetjet apo konstatimet e tyre në formën e një deklarate, dokumenti apo raporti të shkuruar. Organet e rivlerësimit i shqyrtojnë dhe vlerësojnë këto gjetjet apo konstatimet, dhe janë të detyruar të arsyetojnë vendimin e tyre nëse nuk kanë një mendim të njëjtë për gjetjen apo konstatimin e bërë nga vëzhguesit ndërkombëtarë.”.
- Fjalia e fundit e paragrafit 11, të riformulohet si më poshtë vijon:
“Mendimi shqyrtohet detyrimisht nga organet e rivlerësimit dhe mund të mbahet në konsideratë gjatë vendimarrjes, por nuk ka vlerën e provës dhe nuk është i detyrueshëm. Organet e rivlerësimit janë të detyruar të arsyetojnë vendimin e tyre nëse nuk kanë një mendim të njëjtë me atë të vëzhguesit ndërkombëtar.”.
Amendamenti 17
Në nenin 49 paragrafi 1 riformulohet me përmbajtjen si vijon:
“1. Çdo person që vjen në dijeni të fakteve ose rrethanave në lidhje me kriteret e rivlerësimit ka të drejtë të informojë drejtpërdrejtë institucionet e rivlerësimit. Institucioni i rivlerësimit është i detyruar të verifikojë informacionin, duke marrë provat e nevojshme sipas ligjit procedural penal, civil apo administrativ. Nëse informacioni rezulton i vërtetë, provat e marra përdoren në procesin e rivlerësimit dhe të gjitha aktet përfshihen në dosjen e subjektit të rivlerësimit. Në cdo rast, institucioni i rivlerësimit duhet të kontrollojë dhe të sigurohet që personi është i identifikuar dhe jo anonim.”
Amendamenti 18
Në nenin 50 bëhen këto ndryshime:
- Në paragrafin 2 shtohet fraza “duke zbatuar rregullat e nenit 37/a të Kodit të Procedurës Penale”.
- Paragrafi 4 riformulohet si më poshtë vijon:
“4. Nëse arrihet marrëveshja e bashkëpunimit, bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe provat shoqëruese, pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e aktit të korrupsionit nga subjekti i rivlerësimit. Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit ose gjykatës, informacionet apo provat e tjera që e shoqërojnë atë, si dhe një kopje e marrëveshjes së bashkëpunimit, i dërgohen nga organi i prokurorisë edhe organeve të rivlerësimit, nëse ato kanë të bëjnë me një subjekt që është në proces apo pritje të kryerjes së rivlerësimit.”.
- Paragrafi 5 riformulohet si më poshtë vijon:
“5. Bashkëpunëtori i drejtësisë përjashtohet nga dënimi penal për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë dhe provave të dhëna. Ky bashkëpunim nuk mund të përbëjë shkak për rihapjen e cështjes së gjykuar ose hetuar, dhe që ka përfunduar me vendim të formës së prerë, përvecse kur ekzistojnë shkaqet mbi të cilat realizohet kërkesa për rishikim, sipas parashikimeve në ligjet procedurale.”.
- Paragrafi 6 riformulohet si më poshtë vijon:
“6. Marrëveshja e bashkëpunimit mund të revokohet në rast se bashkëpunëtori i drejtësisë nuk dorëzon provat pranë organit të prokurorisë ose jep dëshmi të rreme, për të cilën mban përgjegjësi penale sipas legjislacionit penal.”.
- dh) Në paragrafin 7, fraza “Subjekti i rivlerësimit që ka përfituar shumën,” zëvendësohet me frazën “Kur me vendim penal të formës së prerë provohet se subjekti i rivlerësimit ka përfituar shumën, ai”.
Amendamenti 19
Në nenin 51 bëhen këto ndryshime:
- Në paragrafin 1 shtohet fjalia me përmbajtjen si vijon:
“Neni 89 i Kodit të Procedurave Administrative nuk zbatohet.”.
- Paragrafi 2 riformulohet me përmbajtjen si vijon:
“Seanca dëgjimore është e hapur për publikun. KPK, mund të mos lejojë pjesëmarrjen e mediave dhe të publikut në seancë dëgjimore ose në një pjesë të saj, me arsyetimin e mbrojtjes së moralit publik, rendit publik, të sigurisë kombëtare, të sekretit tregtar, të së drejtës së jetës private ose të të drejtave vetjake.”
- Në paragrafin 3, fjalia e fundit, shfuqizohet.
“3. KPK dhe vëzhguesi ndërkombëtar kanë të drejtë t’i drejtojnë pyetje subjektit të rivlerësimit, i cili ka të drejtë të mos përgjigjet për to. Subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë shpjegime, të ngrejë pretendime rreth mënyrës së marrjes së provave përgjatë procesit të rivlerësimit, të paraqesë prova për të cilat pretendon se nuk ka patur mundësi t’i paraqesë më parë, si dhe të japë shpjegime dhe të ngrejë pretendime mbi vlerësimin e rrethanave të faktit dhe të ligjit.”.
- Në paragrafin 5, bëhen ndryshimet si vijon:
“5. Bisedimet për marrjen e vendimit ndaj subjektit të rivlerësimit zhvillohen me dyer të mbyllura vetëm me pjesëmarrjen e anëtarëve të trupit gjykues. Anëtarët e trupit gjykues, nën drejtimin e relatorit, votojnë vecmas për cdo cështje të faktit dhe të ligjit. Vendimi i Komisionit merret me votim të hapur dhe me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të trupit gjykues. Nëse një anëtar voton ndryshe për një ose më shumë cështje të faktit apo të ligjit, ai arsyeton me shkrim mendimin e tij. Vëzhguesi ndërkombëtar ka të drejtë të shkruajë një mendim ndryshe ose paralel me vendimin e trupit gjykues, që përfshihet në dosjen e subjektit të rivlerësimit.”.
Amendamenti 20
- Në paragrafin 1 të nenit 52 bëhen ndryshimet si vijon:
- Pas frazës “Subjekti i rivlerësimit” shtohet fjala “kryesisht”.
- Shprehja “jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, shfuqizohet.
- Pas paragrafit 2, shtohet paragrafi 3 me përmbajtjen si vijon:
“Subjekti i rivlerësimit me kërkesë, ka të drejtë të tërheqë kërkesën e tij për rivlerësim. Në këtë rast, vendoset pushimi i procesit administrativ të rivlerësimit të tij. Kërkesa e riparaqitur për rivlerësim pas pushimit të procesit administrativ sipas këtij neni nuk pranohet.”
Amendamenti 21
- Paragrafi 2 i nenit 54, shfuqizohet.
- Pas nenit 54, shtohet një nen i ri, me përmbajtje si më poshtë vijon:
“Neni
Përshtatshmëria e pranimit në sistem
- Në rastin e këshilltarëve ligjor jo magjistratë në Gjykatën Kushtetuese ose Gjykatën e Lartë, Kryeinspektorit dhe inspektorët jo magjistratë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndihmësit ligjorë pranë Prokurorisë të Përgjithshme ose gjykatave administrative, ish gjyqtarë ose ish prokurorë, që kanë ushtruar këtë funksion për të paktën tre vjet, apo ish këshilltarë ligjorë të Gjykatës Kushtetuese ose të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet, Komisioni mund të vendos:
- Subjekti është i përshtatshëm në drejtim të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale;
- Subjekti nuk është i përshtatshëm në drejtim të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale;
- Nëse është rasti, marrjen e një vendimi sipas nenit 54 të këtij ligji për ato subjekte që janë në detyrë.
- Nëse një prej subjekteve të parashikuara në shkronjën “a” të paragrafit 1 të këtij neni, kërkon të emërohet gjyqtar ose prokuror, në vendet vakante të shpallura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ose Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sipas rregullave të parashikuara në legjislacionin në fuqi, për emërimin e tij duhet të plotësohen kushtet e mëposhtme:
- a) në momentin e paraqitjes së kërkesës për emërim ekzistojnë më shumë se 10 përqind të vendeve vakante për gjyqtarë apo prokurorë;
- b) vendet vakante sipas shkronjës “a” të këtij paragrafi nuk mund të plotësohen për të paktën edhe 1 vit, me kandidatë që përfundojnë Shkollën e Magjistraturës;
- c) subjekti përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror në Republikën e Shqipërisë, duke përfshirë edhe kushtin që, në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991, të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaҁme.
ҁ) në rastin e subjekteve të rivlerësimit vullnetar, që nuk kanë përfunduar më parë Shkollën e Magjistraturës, të përfundojnë studimet dhe të diplomohen në këtë Shkollë.”.
Amendamenti 22
Në nenin 55 bëhen ndryshimet si vijon:
- Paragrafi 1 riformulohet me përmbajtjen si vijon:
“1. Konfirmimi në detyrë i jepet subjektit të rivlerësimit të detyrueshëm në rast se plotësohen së bashku kushtet e mëposhtme:
- a) kur nuk ka në pronësi, përdorim ose posedim pasuri më të mëdha nga dyfishi i pasurisë së ligjshme dhe ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasuritë e tij dhe të personave të lidhur;
- b) kur nuk ka lidhje dhe kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar;
- c) kur vlerësohet “i aftë” në përfundim të rivlerësimit të aftësive profesionale.
- Paragrafi i dytë hiqet.
Amendamenti 23
Paragrafi 2 i nenit 56 riformulohet si më poshtë vijon:
“2. Në përfundim të programit të trajnimit nga Shkolla e Magjistraturës, KPK organizon testimin e njohurive të përfituara dhe në përfundim vendos nëse subjekti i rivlerësimit i ka eleminuar apo jo mangësitë e konstatuara gjatë procesit të rivlerësimit.”.
Amendamenti 24
Neni 57 riformulohet si më poshtë vijon:
Neni 57
Shkarkimi nga detyra
Shkarkimi nga detyra i subjektit të rivlerësimit të detyrueshëm jepet si masë disiplinore në këto raste:
- kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të.
- kur rezulton se ka lidhje apo kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar;
- kur rezulton se ka bërë deklarim të paplotë apo të pasaktë për kriteret e kontrollit të figurës dhe pasurisë, sipas parashikimeve të neneve 35 dhe 29 të këtij ligji.
- kur rezulton si i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale.”.
Amendamenti 25
Në nenin 59 paragrafi 1, në fund të fjalisë shtohet fraza “me përjashtim të rasteve, kur Kushtetuta përcakton se ndaj vendimit nuk lejohet ankim”.
Amendamenti 26
Neni 62 riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 62
Vendimi i Kolegjit të Apelimit
- Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji i Apelimit vendos:
- a) mospranimin e ankimit;
- b) lënien në fuqi të vendimit të Komisionit;
- c) ndryshimin e vendimit të Komisionit;
ҁ) prishjen e vendimit dhe pushimin e cështjes kur subjekti nuk është më subjekt i rivlerësimit kalimtar.
- Në rastin kur ankues është Komisioneri Publik, Kolegji i Apelimit nuk mund të vendosë një masë disiplinore më të rëndë pa i dhënë subjektit të rivlerësimit kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe për t’u dëgjuar në seancë publike.
- Përfundimet e Kolegjit të Apelimit mbi cështje të ligjit në arsyetimin e vendimit të tij janë orientuese për Komisionin në zgjidhjen e çështjeve të ngjashme.
- Vendimi i Kolegjit të Apelimit që vendos shkarkimin nga detyra është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë.
- Subjekti i rivlerësimit mund të ushtrojë ankim ndaj këtij vendimi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”.
Amendamenti 27
Paragrafi 2 i nenit 65 riformulohet si më poshtë vijon:
“2. Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, mbledhja e përgjithshme e anëtarëve të KPK, pas marrjes së mendimit të Shkollës së Magjistraturës, miraton rregullat dhe procedurat e testimit të parashikuara në nenin 38 të këtij ligji.”.
Amendamenti 28
Neni 67 riformulohet si më poshtë vijon:
“Neni 67
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.”.
[1] Konkretisht: Amendament nr. 3 [për paragrafët 3, 6 dhe 11 të nenit 3 të riformuluar],Amendamenet nr. 6 [për nenet e shtuara 7-10], Amendament nr. 9, Amendament nr. 10,Amendament nr. 11 [për nenet e shtuara 15-21], Amendament nr. 16 [për paragrafin 3 të nenit 39 të shtuar], Amendament nr. 18 [për pikën 2] dhe Amendament nr. 21 [për pikën 1]) – depozituar në Kuvend me shkresën nr. 2525, datë 23.08.2016.
[2] Kujtojmë këtu mënyrën e zgjedhjes së Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI, që është bërë në mënyrë të njëanshme, vetem nga mazhoranca aktuale parlamentare.
[3] Drejtori i DSIK, sipas ligjit, është në varësinë direkte të Kryeministrit, emërohet dhe shkarkohet prej tij. Aktualisht, këtë detyrë e kryen një funksionar i Partisë Socialiste, i përzgjedhur personalisht nga Kryeministri aktual.
[4] Shërbimi i Kontrollit të Cështjeve të Brendshme dhe Ankesave, sipas ligjit, është në varësinë direkte të Ministrit të Brendshëm. Drejtori i saj, emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Brendshëm.
[5] Ky institucion është në varësinë direkte të Ministrit të Financave. Drejtori i saj, sipas ligjit, emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri. Aktualisht, këtë detyrë e ushtron Kyretari (apo ish) i Komisionit të Garancive Statutore në Partinë Socialiste, i përzgjedhur personalisht nga Kryeministri aktual.