Partia Demokratike krahas aksionit të saj politik, me protesta kombëtare dhe jo vetëm, por edhe me takime direkte të vetë kryetarit me strukturat e bazës ka programuar edhe një proces pastrimi, ose më saktë vettingu në radhët e saj.
Dhe këtë nuk pret t’ia bëjnë institucionet shtetërore, por vetë strukturat. Partia Demokratike po kalon në sitë të gjithë zyrtarët demokratë, përfshirë edhe anëtarët e këshillit kombëtar. Formulari i vetëdeklarimit u është shpërndarë të gjithë strukturës, ndërsa pyetjet që kërkojnë përgjigje janë specifike dhe të detajuara.
Në të kërkohen të dhënat personale, të dhëna për punësimin, të dhëna mbi shkollimin, mbi eksperiencën në punë, të dhëna për pastërtinë e figurës që lidhen me gjendjen gjyqësore dhe të dhëna mbi veprimtarinë politike.
Ky formular është i vlefshëm edhe për çdo kandidat për zgjedhje vendore apo parlamentare. Zyrtarët demokratë, janë të detyruar krahas çdo eksperience punësimi apo niveli arsimimi, të deklarojnë edhe marrëdhënien e tyre me ligjin.
Rëndësi e veçantë i është kushtuar dhunës në familje, ndërsa zyrtarët demokratë duhet të japin përgjigje në qoftë se ndaj tyre është paraqitur ndonjëherë kërkesë për urdhër mbrojtje.
Zyrtarët demokratë duhet të deklarojnë veprimtarinë e tyre politike që nga viti 1991 deri në ditët e sotme.
Ditën e sotme, mediat shkruajnë se më shumë se sa një vetting, kjo nismë mund të konsiderohet një masë “kërcënuese” për ata që do të ngrejnë zërin kundër Lulzim Bashës.