Shumica në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit i dha të drejtë gjyqtares së Tiranës dhe kandidates për në Gjykatën Kushtetuese, Regleta Panajoti duke pranuar arsyetimet e saj mbi mosdeklarimin e gjendjes cash dhe fitimet në emigracion. Por relatori i çështjes në pakicë arsyetoi se ajo duhej të ishte shkarkuar.
Nga Vladimir Karaj
Kandidate për të qenë një nga anëtaret e Gjykatës Kushtetuese, gjykatësja e Tiranës Regleta Panajoti u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash më 26 qershor.
Shumica, kryesuesja Genta Tafa Bungo dhe anëtarja Valbona Sanxhaktari arsyetuan se Panajoti kishte burime të ligjshme të pasurisë, ishte e aftë profesionalisht dhe e pastër në kriterin e figurës. Një sërë pikëpyetjesh që u ngritën gjatë relatimit në seancë dëgjimore u vlerësuan prej shumicës si jo të mjafueshme për të çuar në shkarkim. “Komisioni çmon se parregullsitë formale, të konstatuara në deklarime apo dukja e mungesës së të ardhurave në momente të caktuara përgjatë deklarimeve të pasurisë ndër vite, nuk ka pasur për qëllim fshehjen apo paraqitjen në mënyrë të pasaktë të pasurisë”, shprehet shumica në vendimin e zbardhur sëfundmi.
Por relatori i çështjes Lulzim Hamitaj në pakicë arsyetoi se gjyqtarja duhej të ishte shkarkuar për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Duke iu referuar vendimeve të marra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, përfshi ato për ish-gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj, Gani Dizdari dhe Fatos Lulo, Hamitaj arsyeton se Panajoti “Ka pasur mungesë në vlerën prej 3.8 milionë lekësh të burimeve të ligjshme financiare”.
Vendimi i zbardhur tregon se trupa është ndarë kryesisht mbi mënyrën se si do të konsiderohej mosdeklarimi i gjendjes cash për disa vite. “Mosdeklarimi i gjendjes cash në banesë nuk mund të provojë me saktësi se kemi të bëjmë me pasaktësi në deklarim apo me mungesë burimesh financiare të ligjshme”, arsyeton shumica. Përkundër këtij arsyetimi anëtari i KPK Hamitaj shprehet se Panajoti “nuk ka përmbushur detyrimin ligjor” për të deklaruar gjendjen cash dhe se kjo e bënte deklarimin e saj të pamjaftueshëm.
Regleta Panajoti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej gati dy dekadash në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë. Ajo ka kandiduar në dy thirrje të hapura për të plotësuar vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese. Kandidatura e saj wshtw miratuar edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Paratë e fituara në emigracion
Të tre anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë rënë dakord për vlerësimin e Panajotit në dy prej kritereve. Sipas tyre ajo ishte e aftë profesionalisht dhe një problem në këtë kriter ishte sqaruar. Po ashtu KPK nuk ngriti dyshime sa i përket kriterit të pastërtisë së figurës.
Megjithatë KPK u ndan në arsyetimin mbi pasurinë e gjyqtares. Problemet për Panajotin nisën me mundësitë e saj për të dokumentuar paratë e fituara nga ajo dhe bashkëshorti në emigracion. Panajotit i kaloi barra e provës për të dokumentuar një shumë prej 3.5 milion lekësh të deklaruar si e ardhur nga puna në emigrim.
Panajoti siç del nga vendimi i zbardhur u përpoq të faktonte udhëtimet e saj dhe të bashkëshortit në Greqi, qëndrimin e tyre në këtë vend, pasjen e siguracioneve për të pakët një prej viteve dhe po ashtu emra konkretë punëdhënësish që kishin ndërruar jetë dhe ato të një kompanie peshkimi të falimentuar në vitin 2004.
KPK thotë se Panajoti ka pretenduar ndër të tjera pamundësi objektive për të sjellë dokumentacion, ajo pretendoi se vetë shteti Grek e kishte pasur për vite me rradhë të parregulluar emigracionin me qëllim punësimi. Ajo megjithatë provoi pagesën e sigurimeve për 2 prej viteve të qëndrimit.
Ndër të tjera Panajoti argumentoi se edhe ditët e hyrje daljeve të shënuara në pasaportat e saj dhe bashkëshortit, në të cilat rezultonin qëndrime me pak ditë, nuk ishin provuese, pasi duke qenë bashkëshorti minoritar ata kishin përdorur edhe dokumente të tjera udhëtimi.
Ajo paraqiti si provë një llogari bankare të hapur në vitin 1998 dhe lëvizjet e parave nga kjo llogari. Shumica në KPK e ka pranuar pamundësinë e Panajotit për të sjellë dokumente për shkak të kohës dhe problemeve që hasnin emigrantët në këtë kohë.
Po ashtu shumica e konsideron faktin që kjo shumë ishte deklaruar që në vitin 2003 me këtë burim si një provë në favor të subjektit. “Për më tepër, këto të ardhura kanë qenë të depozituara në sistemin bankar që në vitin 1998, duke shuar çdo dyshim për abuzim”, shprehet shumica.
Shumica ka cilësuar lehtësues edhe faktin që të ardhurat pjesërisht ishin krijuar nga bashkëshorti para se të lidhej martesa dhe shumica e tyre i përkisnin një kohe para se Panajoti të emërohej gjyqtare.
Dy anëtaret në shumicë po ashtu cilësojnë si të mjaftueshme përpjekjen e Panajotit për të provuar punësimin e ligjshëm të bashkëshortit të saj në Greqi. Sipas shumicës edhe pse provat ishin indirekte ato tregoni se “subjekti ka punuar në shtetin grek në mënyrë të ligjshme, dhe për pasojë, edhe në përputhje me legjislacionin e kohës të atij shteti”.
Por relatori Hamitaj duke përdorur në disa raste edhe vetë argumentet e Panajotit ka arsyetuar se deklarimi i saj në këtë pikë ishte i pamjaftueshëm. Ai shprehet në mendimin e pakicës se gjyqtarja ka sjellë dhe ka provuar vetëm faktin që ajo dhe bashkëshorti kishin udhëtuar në Greqi disa herë dhe kishin disa hyrje dalje, por jo atë të punës së tyre atje.
Hamitaj arsyeton se nga këto dokumente nuk rezultojnë periudha të gjata qëndrimi në Greqi. “Sipas dokumentit të udhëtimit të të dy bashkëshortëve rezultojnë hyrje-dalje në shtetin grek në afate tepër të shkurtra që fillojnë nga dy ditë”, shprehet Hamitaj. Ai pranon se në këto dokumente nuk mund të vërehen lëvizjet e plota, por po ashtu shprehet se ato nuk provojnë punën e kryer dhe as burimin e ligjshëm të të ardhurave.
Duke iu referuar vemdimeve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Hamitaj arsyeton se edhe nëse pranohej indirekt punësimi i çiftit në Greqi “përsëri këto të ardhura do të mbeteshin jo të ligjshme, në këndvështrimin e parashikimeve kushtetuese, ligjore dhe të orientimit jurisprudencial, të konfirmuar dhe të konsoliduar nga disa vendime të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”.
Hamitaj thotë se Kolegji ka sanksionuar se që remitancat të vlerësohen nevojitet që ato të provohen se “janë dërgesa vlerash monetare të emigrantëve shqiptarë në vendin e origjinës, të cilat janë realizuar nga burime të ligjshme dhe për të cilat janë përmbushur detyrimet përkatëse tatimore në vendin e krijimit …”
Sipas tij “mungesa e pagimit të tatimeve dhe kontributeve për periudhën që kanë punuar në Greqi, është pohuar e deklaruar në mënyrë të përsëritur nga vetë subjekti”.
Duke përdorur argumentet e Panajotit për qëndrim legal në Greqi, Hamitaj arsyeton se nuk ka gjurmë të trasferimit të parave dhe nuk ka llogari bankare në territorin grek. “Duhet evidentuar fakti që mundësia konkrete për të punuar me rregulla dhe me kontribute të paguara, nga këndvështrimi legjislativ dhe administrativ, ka qenë e realizueshme dhe në dispozicion të familjes Panajoti”, arsyeton ai duke iu referuar faktit që për një vit familja kishte qenë e rregjistruar në një zyrë pune në Greqi dhe i ishin paguar kontributet.
Në përfundim ai e cilëson si të pamjaftueshëm deklarimin e Panajotrit për shumën 3.5 milion lekë që llogaritej si burim për blerjen e një apartamenti.
Qëndrimi mbi deklarimin e shumave cash
Nga vendimi i zbardhur rezulton se ishin dy momente që KPK ishte përballur me mosdeklarim të gjendjes cash nga Panajoti, i pari në vitin 2006 dhe i dyti në vitin 2015. Në vendim vihet në dukje se gjyqtarja nuk kishte deklaruar gjendjen cash në vitin 2006 dhe për rrjedhojë nuk provonte me dokumentacion burimin e një shume prej 870 mijë lekësh, e cila ishte përdorur në vitin 2007 për një depozitë bankare.
Si shumica edhe pakica bien dakord se “Pavarësisht të ardhurave të konsiderueshme të krijuara nga subjekti dhe bashkëshorti i tij, të dokumentuara, nuk ka një element provues të kursimeve gjendje cash në banesë nga viti 2006”.
Por shumica arsyeton se “Në përfundim të analizës, Komisioni çmon se pavarësisht mundësisë reale që subjekti ka pasur për realizimin e këtyre të ardhurave, mosdeklarimi i gjendjes cash në banesë nuk mund të provojë me saktësi se kemi të bëjmë me pasaktësi në deklarim apo me mungesë burimesh financiare të ligjshme”.
Po ashtu shumica justifikon mosdeklarimin e gjendjes cash duke e cilësuar atë të paqëllimtë dhe keqkuptim të ligjit. Sipas shumicës Panajoti ka pasur mundësi financiare (të ardhurat dy deri tre herë më të larta) për krijimin e kësaj pasurie dhe se “nuk ka pasur qëllimin dhe dashjen për të bërë deklarim të pasaktë, deklarim të rremë apo fshehje pasurie”.
Shumica thotë se doli në këtë përfundim edhe prej faktit se paratë ishin “depozituar në bankë në emër të subjektit dhe nuk u konstatuan veprime të qëllimshme nga ana e subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të”.
Ngjashëm arsyetohet edhe për një shumë prej 2 mijë eurosh prej shitjes së një makine në vitin 2015. Shumica ka pranuar se kjo shumë mund të ishte trasferuar si kursim cash duke hamendësuar mbi mundësitë e Panajotit dhe bashkëshortit për të kursyer.
“Nga vlerësimi i dokumentacionit ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit vërtet nuk ka deklaruar gjendjen cash në banesë deri në vitet 2015, por se të ardhurat e tyre të ligjshme kanë qenë realisht dy deri në tri herë më të larta se shpenzimet e deklaruara”, arsyeton shumica.
Në fund ajo i ka konsideruar të parëndësishme mosdeklarimet e gjendjes cash, duke arsyetuar se nuk kishin “peshë specifike” në raport me faktet e tjera.
Por Hamitaj arsyeton të kundërtën. Ai thotë se pesha specifike e mosedeklarimeve ishte më e madhe nëse konsiderohej sëbashku me të edhe shuma prej 3.5 milion lekësh të ardhura nga emigracioni që sipas tij nuk mund të provoheshin dhe që sipas tij e çonin në 4.6 milion lekë shumën për të cilën nuk kishte burime të ligjshme.
Hamitaj arsyeton se mosdeklarimi i kursimeve cash dhe pranimi i këtij mosdeklarimi nga Panajoti nuk “nuk e mundëson konsiderimin e këtyre shumave hipotetike cash si burim të depozitimit në fjalë, pasi ky fakt nuk është i provuar edhe pse ka ekzistuar mundësia e kursimit të kësaj shume”.
Duke arsyetuar për mosdeklarimin e shumës prej 2 mijë eurosh në vitin 2015 Hamitaj arsyeton se nuk ishte dakord me qëndrimin e shumicës pasi “nuk është e provuar që shuma e përfituar nga kjo shitje të mos jetë shpenzuar brenda atij viti”.
Hamitaj po ashtu kundërshton pretendimet e Panajotit se “nuk ka ekzistuar ky detyrim ligjor për subjektet e deklarimit deri në vitin 2014”. Pakica shprehet se detyrimi për deklarimin e gjendjes cash ka qenë në ligj që prej vitit 2003. Duke marrë si referëncë ligjin dhe një përgjigje të ILDKPKI-së Hamitaj thotë se ndryshimi për të cilin flet Panajoti kishte të bënte vetëm me sasinë e parave që mund të mbaheshin cash dhe kufizimin e tyre në 1.5 milon.
Duke përdorur si argument pohimet e Panajotit se ligji për gjendjen cash kishte ndryshuar në vitin 2014 Hamitaj vë në dukje se “rezulton se subjekti i rivlerësimit nuk e ka kryer deklarimin e gjendjes cash në vlerën 2.000 euro, as në vitin 2015”.
Problemet mbi një kontratë shitjeje
Përndryshe nga shumica Hamitaj ka cilësuar shkarkuese edhe deklarimet e Panajotit sa i përket një kontrate shitje trualli në Korrçë. Hamitaj ngre dyshime se kemi të bëjme me deklarim të pasaktë ose “një kontrate fiktive”. Trupa gjykuese në këtë pikë duket se përplaset edhe sa i përket leximit të fakteve që ka pasur në dispozicion.
Hamitaj vë në dukje se trualli 634 metra ishte deklaruar i shitur në deklaratën veting për 1.7 milion lekë, por nga kontrata e majit 2003 (Për shitje në një kohë të ardhme) dhe kontrata e shitjes e vitit 2004 rezulton se pasuria ishte shitur për një shumë më të vogël.
“Ka rezultuar se pjesa takuese e subjektit të rivlerësimit, nga të ardhurat/çmimi që korrespondon me pronësinë e saj të shitur me sip. 634 m2, është në vlerën 533.000 lekë (634 m2 x 84038 lekë/ m2), dhe jo 1.775.200 lekë, sa e ka deklaruar subjekti në deklaratën “Vetting”, shprehet Hamitaj.
Përndryshe shumica duket se ka në dorë dy kontrata të tjera. Sipas shumicës çmimi në kontratën e vitit 2003 është i njëjtë me atë që ka deklaruar Panajoti në deklarimet periodike dhe në deklaratën veting. “Në përfundim, Komisioni vlerëson se subjekti ka deklaruar si çmim shitjeje atë të kontratës fillestare për shitje në një kohë të ardhme, ndërkohë është nënshkruar edhe një kontratë tjetër, ku subjekti i rivlerësimit ka qenë e përfaqësuar me prokurë ku çmimi është ndryshuar nga palët prezente”, thuhet në arsyetimin e shumicës.
Hamitaj thotë se vetë Panajoti ka pranuar mospërputhjen dhe ka pranuar se çmimi real ishte më i lartë dhe se kontrata ishte me çmim fiktiv “për të evituar pagesën e taksave dhe mbi këtë rrethanë ka paraqitur edhe deklarata noteriale”.
Ai po ashtu thotë se në këtë rast deklarimet e Panajotit bien ndesh me përmbajtjen e kontratës dhe se “kontrata fiktive, nuk mund ta legjitimojë shumën e përfituar, përtej asaj për të cilën janë paguar detyrimet tatimore”.
Ai fajëson gjyqtaren se “nëpërmjet nënshkrimit të një kontrate më një çmim më të ulët se sa ai real, ka pranuar, ndihmuar dhe mundësuar shmangien e pagesës së plotë të detyrimeve tatimeve, mbi shumën e përfituar nga shitja në fjalë”.
Hamitaj thotë se arsyetimi i Panajotit se nuk kishte qenë në dijeni të shumës së pasqyruar në aktin noterial, pasi kontrata përfundimtare nuk ishte nënshkruar prej saj, nuk qëndronte, pasi kishte qenë vetë gjyqtarja që kishte firmosur kontratën e vitit 2003 në të cilën ishte përcaktuar çmimi e shitblerjes.
“Nga njëra anë, duhet theksuar se ka qenë pikërisht në kontratën e datës 17.5.2003, e nënshkruar nga subjekti, që është caktuar çmimi e shitblerjes, i cili nuk ka ndryshuar më pas, por është konfirmuar edhe nga kontrata e dytë e datës 11.3.2004”, thotë Hamitaj.
Por shumica duke iu referuar të njëjtave dokumente del në përfundim tjetër. Ajo merr të mirëqenë faktin që ka një “fiktivitet për të evituar pagesën e taksave”, por arsyeton se vetë subjekti nuk kishte qenë në dijeni. Sipas shumicës kontrata e vitit 2003 ku Panajoti ishte e pranishme nuk ishte e njëjtë me atë të vitit 2004.
“Duke analizuar veprimet në lidhje me fiktivitetin e çmimit në kontratën e vitit 2004, rezulton se ajo nuk ka qenë prezente në nënshkrimin e kësaj kontrate dhe rrjedhimisht nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për shmangien fiskale që mund të kenë kryer bashkëpronarët”, arsyeton shumica.
Sipas saj “subjekti ka deklaruar si çmim shitjeje atë të kontratës fillestare për shitje në një kohë të ardhme” dhe çmimi është ndryshuar në kontratën e dytë ku subjekti i rivlerësimit ka qenë e përfaqësuar me procure.
“Nga të gjitha rrethanat faktike dhe nga hetimi administrativ, Komisioni vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë në dijeni, dhe rrjedhimisht, në mungesë të elementit të anës subjektive, ky ndryshim i çmimit nga një kontratë e mëpasshme nuk mund të konsiderohet si sjellje relevante për qëllim të zbatimit të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në arsyetimin e shumicës.(BIRN)